Reagim mbi marreveshjet mbi lehtesimin e takses se Stacionit te Autobuseve ne Ulqin

May 11, 2013   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Duke marrë shtysë nga marrëveshja e ditëve të  fundit në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe kompanisë “T.B. Infinity” për të ulur taksën e stacionit të autobusëve në Ulqin prej 2.5 Eurove në 2 Euro, e shohim si përgjegjësi që të reagojmë për një vendim të tillë që nuk është as afër zgjidhjes së vërtetë të këtij problemi që shqetëson qytetarët e sidomos studentët e Ulqinit si dhe turistët e shumtë të cilët udhëtimin e tyre e bëjnë përmes stacionit të autobusëve.
Studentët e Ulqinit në Prishtinë
Ne si studentë e kemi ngritur këtë çështje që kohë më parë pasi që një taksë e tillë prej 2.5 Eurove për shërbimin e stacionit të autobusëve është para së gjithash e paligjshme, pastaj e padrejtë, disproporcionale me vetë çmimin e biletës si dhe rëndon tej mase në xhepat e studentëve. Shqetësimin tonë e kemi ngritur tek Komuna e Ulqinit, më saktësisht tek Kryetari i Komunës si dhe tek Ministria e Transportit të Malit të Zi. Pas një pritjeje mjaft të gjatë dhe një neglizhence që rrallë shihet, kemi marrë përgjigje se nuk është kompetencë e Komunës së Ulqinit pasi që stacioni i autobusëve tashmë është në pronësi private. Nga ana e Ministrisë së Transportit kemi marrë një shkresë zyrtare (edhe një vërejtje për stacionin e autobusëve në Ulqin, në të cilën këtij subjekti i tërhiqet vërejtja për shkeljet lidhur me taksën prej 2.5 Eurove dhe disa shkelje të tjera, me përmbajtjen e të cilës Ministria përkatëse na njofton edhe ne) ku thuhet se sipas ligjeve të transportit të Malit të Zi, çdo stacion i autobusëve në Mal të Zi nuk ka të drejtë të marrë taksë me vlerë më të madhe se 1 Euro nga udhëtarët për shërbimet e ofruara për ta, derisa në realitet stacioni i autobusëve të Ulqinit vazhdon të veprojë në kundërshtim me këtë përgjigje të Ministrisë, më saktësisht me ligjet e transportit të Malit të Zi duke taksuar udhëtarët me plot 2.5 Euro. Së fundmi ne kemi kërkuar nga Ministria një shpjegim se përse lejohet që stacioni i autobusëve në Ulqin të veprojë në kundërshtim të hapur me ligjin, përgjigje të cilën ende nuk e kemi marrë. Andaj kjo “marrëveshje” është një marrëveshje për zbutjen e “hajnisë” dhe sa për të hedhur “hi syve” palëve të interesit mbi këtë çështje dhe në asnjë rast nuk është marrëveshje për zgjidhjen e saj por që fatkeqësisht për ambientin tonë në Ulqin ku këto fenomene janë bërë të zakonshme ky rast shënon një hap (sado mikroskopik) pozitiv.

Ne  kemi kërkuar që të lirohemi nga kjo taksë stratosferike në natyrën e saj dhe e paarsyeshme duke marrë parasysh se në çdo vend të botës studentët si e ardhmja intelektuale dhe si një shtresë që duhet privilegjuar janë të liruar nga pagesa për shumë shërbime ose paguajnë një vlerë simbolike shumë të ulët. Ndihemi thellësisht të indinjuar që si shumë fenomene negative që nuk rreshtin së ndodhuri në vendin tonë, kërkesat e studentëve nuk u morën parasysh. Një tjetër kërkesë e jona ka qenë mundësimi i një vendndalimi në Anë të Malit nga ana e stacionit pasi që studentët nga Ana e Malit dhe Kraja detyrohen që të presin autobusin matanë kufirit ose të udhëtojnë disa kilometra deri në stacion  duke mos “guxuar” të hipin në Anë të Malit vetëm me kushtin që të gjithë të paguajnë taksën e stacionit të autobusëve. Ndihemi të zhgënjyer nga përkrahja e institucioneve tona, intelektualëve tonë, bashkëvendasve tonë. Është një fenomen për të cilin duhet të bëhen protesta sepse është vjedhje publike e jo të heshtet dhe të shikohet vetëm puna e vet siç thotë një thënie popullore. Kjo na bën të krijojmë përshtypjen se pushtetarët tonë ose nuk kanë qenë kurrë studentë në mënyrë që të kuptojnë shpirtin dhe kurajon e studentit ose janë bërë rob të karrigave e miqëve të pushtetshëm.

Zmadho Foton
Studentët e Ulqinit në Prishtinë -lista e votimit

Kjo taksë ndikon tejet negativisht edhe në vetë imazhin turistik të qytetit tonë duke “plaçkitur” turistët të cilët janë të detyruar të paguajnë këtë taksë. Paradoksi tjetër është se studentët trajtohen si turistë në vetë shtëpinë e tyre dhe detyrohen të paguajnë këtë taksë duke mos pasur alternativë tjetër udhëtimi.

Fatkeqësisht studentët përmenden dhe u “dëgjohen” kërkesat vetëm gjatë fushatave elektorale ku përmes pseudopremtimeve atyre u premtohet zgjidhje për çdo problem të tyrin, probleme të cilët “nuk ekzistojnë” gjatë 4 viteve të tjerë. Ne me të drejtë kerkojmë që të gjendet një zgjidhje për këtë problem të studentëve duke shpresuar që përsëri kerkesat tona të mos bien në “vesh të shurdhër”. Ne shpresojmë që ky reagim sado modest por domethënës të vetëdijësojë sadopak opinonin se çfarë realisht po ndodh. Nuk besojmë që ky reagim do të arrijë tek institucionet dhe pushtetarët tonë pasi që tek ata vështirë arrihet. Nuk besojmë që edhe nëse arrin tek ata mund të ketë çfarëdo ndikimi pasi që ata gjithmonë janë shumë të zënë me “punë të mëdha” e “marrëveshje”. Gjithsesi, ne i takojmë Ulqinit aq sa edhe ata, dallimi është ndoshta tek dashuria që ushqejmë të dy palët për qytetin tonë.

 

Studentët e Ulqinit në Prishtinë, SUP