KK “Ulqini” i suksesshëm edhe në Shkup

May 14, 2013   | Rajoni / Region

KK Ulqini i suksesshëm edhe në ShkupMë 12 maj 2013 në Shkup, Maqedoni, në organizimin e klubit vendas të karatesë “Solidarnost”, u mbajt Turneu tradicional XIII ndërkombëtar i karatesë “Solidarnost Open”, në të cilin morën pjesë 52 klube me mbi 450 garues nga pesë shtete: Kosova, Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Në bazë të rezultateve të arritura në këtë garë, klubi i karatesë “Ulqini” u rendit në vend të dytë në renditjen e përgjithshme, në mesin e 52 klubeve të tjerë pjesëmarrëse.
KK ULQINI ME FITORE

Në këtë turne Klubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë me 18 garues. Ata u kurorëzuan me gjithsej 29 medalje në disiplinat individuale dhe ekipore, prej tyre 8 të arta – 5 në disiplinat individuale dhe 3 në ato ekipore, 10 të argjendta – 9 në disiplinat individuale dhe 1 në ekipore, 11 të bronzta në disiplinat individuale dhe 1 kupë për vendin e dytë të plasmanit gjeneral. Po ashtu, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e mirë në mes të dy klubeve, nga klubi i karatesë “Solidarnost” iu dorëzua klubit të karatesë “Ulqini” një plaketë mirënjohjeje. Nga Klubi i karatesë “Ulqini” në këtë turne me medalje u shpërblyen shumë garues, si në disiplinat individuale, ashtu edhe në ato ekipore. Me medalje të arta në disiplinat individuale u kurorëzuan: Eliza Salihu, Antigona Rama, Katarina Marnikoviq, Venesa Nuhi dhe Hantije Ibroçi. Në disiplinën ekipore kata me medalje të arta u kurorëzuan 3 ekipe: ekipi i parë djemtë e gjeneratës 2001/2000 në përbërje Ronald Jacoviq, Gabriel Bytyqi dhe Pjeter Hota, ekipi i dytë i gjeneratës 2001/2000 mix team i përbërë nga Diellëza Rama, Eliza Salihu dhe Ronald Jacoviq, si dhe ekipi i gjeneratës 1997/1996 mix team i përbërë nga Antigona Rama, Venesa Nuhi dhe Edin Kraja.
RUZHDI RAMA ME TROFE

Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me nga disa medalje të tjera. Me nga disa medalje të tjera të argjendta dhe të bronzta u kurorëzuan: Albert Rudoviq, Ensar Marshiq, Marko Daboviq, Christopher Rudoviq, Adnan Kuqi, Izabella Ivanoviq dhe Bylbyl Rexhepi. Udhëheqësit e ekipit Ruzhdi Rama, Muzafer Salihu, Kujtim Sukaliqi dhe Liridon Elezi, të cilët udhëhoqën garuesit në këtë turne, janë shumë të kënaqur me rezultatet e arritura të garuesve të tyre, pasi që gara ishte një garë e nivelit të lartë me një konkurrencë shumë të fuqishme. Udhëheqësia e klubit të karatesë “Ulqini” falënderon sponsorët Christopher Apartaments me pronar Viktor Rudoviq dhe Burektoren “Pelivan”, si dhe prindërit e garuesve.

SHËRBIMI PËR MARRËDHËNIE ME PUBLIKUN I KK “ULQINI”