Memorandum mirëkuptimi për TAP
Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë firmosur një memorandum që konkretizon bashkëpunimin e 4 vendeve ballkanike për Projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik.3 vendet e tjera nënshkruese, ky projekt gjigant nuk i prek, por nëse në fund të qershorit do të ketë një vendim në favor të TAP-it, nga ky projekt do të përfitonin indirekt edhe Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, zoti Aldo Bumçi, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian i Malit të Zi, zoti Igor Lukshiç, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Hercegovinës, zoti Zlatko Lagumdzija dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, zoti Joshko Klisoviç. Palët nënshkruese, duke vepruar brenda kuadrit të detyrimeve të traktateve ekzistuese në fushën e energjisë, përfshirë Kartën e Traktatit të Energjisë dhe Traktatin Themelues të Komunitetit të Energjisë të Evropës Jug-lindore, me firmosjen e këtij dokumenti mundësojnë ndërlidhjen midis Projektit TAP dhe Projektit IAP. Një veprim i tillë mundëson që gazi natyror i prodhuar në Republikën e Azerbajxhanit, rajonin e Kaspikut dhe më gjerë të furnizojë Evropën Juglindore, duke rritur besueshmërinë dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se një vendim i madh merret gjatë javëve që vijnë nga konsorciumi Shah Deniz 2, në Azerbajxhan, lidhur me trajektoren e gazsjellësit të gazit të kësaj fushe, i cili përllogaritet në trilionë metër/kub.

“Prej vitesh konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik ka bërë një punë të shkëlqyer dhe faktikisht çdo njeri që hedh një vështrim në trajektoren e këtij gazsjellësi gjen pothuajse rrugën natyrale mbitokësore të gazit. Natyrisht, drejtim kryesor i gazsjellësit Trans Adriatik është tregu i madh italian, ai grek dhe tregje të tjera, por rajoni, me dinamizmin e tij, sjell një vlerë të shtuar, një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz të këtij gazsjellësi. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vijnë. Memorandumi që u firmos sot, në mirëkuptim të plotë me qeverinë italiane dhe qeverinë greke, mendoj se është dëshmi e një urie edhe më të madhe për gaz në rajon, nga sa mund të merret me mend. Besimi dhe shpresa ime është se TAP-i i ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Ne jemi të inkurajuar nga qëndrimi konstruktiv neutral i Komisionit Evropian, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë mike të Turqisë. Krahasuar të dy projektet, çdo njeri e gjen TAP-in një projekt qartësisht më fizibël dhe më të avancuar. Nabucco light në fund të ditës është produkt i mossuksesit të Nabucco big dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka projekti Trans Adriatik, i cili është elaboruar me kaq përkushtim dhe kompetencë nga konsorciumi që punon prej vitesh me të. Dua të theksoj edhe një tjetër faktor, fuqinë bashkëpunuese midis vendeve që mbart në vetvete projekti Trans Adriatik. Pak kohë më parë qeveria e Italisë, ajo e Greqisë dhe e Shqipërisë firmosën një marrëveshje të përbashkët, e para e këtij lloji, e cila i angazhon këto vende për të respektuar rregulla të përbashkëta shumë të rëndësishme. Me qeveritë e vendeve mike që jemi këtu, Memorandumi ka në vetvete frymën e kësaj marrëveshje. Unë besoj se vendimmarrësit do ta kenë parasysh edhe këtë faktor” u shpreh Berisha.
Albeu Online





