Shkolla fillore “Marshali Tito” kremtoi ditën e saj

May 26, 2013   | Kulturë / Kultura

Shkolla marshali Tito UlqinKrenar për punën e vet

Nga Gjekë Gjonaj

E premtja e kaluar  ishte një ditë e veçantë për nxënësit  dhe mësimdhënësit e Shkollës fillore “ Marshali Tito” në Ulqin.  Atë ditë në lokalet e kësaj shkollë me një traditë  të  gjatë  të punës së suksesshme  në  arsimimin dhe edukimin e  nxënësve të kësaj komunë u   shënua  25 maji – Dita  e shkollës. Të pranishëm në këtë manifestim solemn ishin  nxënës, mësimdhënës, udhëheqësia e shkollës, prindër, ish arsimtarë të kësaj shkollë, drejtor të shkollave të kësaj komunë ,  kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, kryetari i parlamentit të  këtij qyteti, Milazim Mustafa,  përfaqësues të tjerë të Komunës së Ulqinit, dhe përfaqësues të Policisë së Ulqinit.

Me një program kulturoro-artistik të organizuar nga nxënësit e shkollës nën mbikqyrjen e arsimtarëve të gjuhës shqipe, arsimtarëve të kulturës muzikore dhe të tjerëve, e bënë më madhështor shënimin e ditës së shkollës. Fillimisht u intonua hymni i Malit të Zi. Më pas ka vazhduar programi i larmishëm  kulturoro-artistik  në gjuhën shqipe, malazeze dhe angleze i gërshetuar me recitime, këngë, valle, interpretime në piano,   violinë e koreografi të tjera që u pëlqyen nga të pranishmit.

Zadrima: Rezultatet  e arritura flasin për  punën tonë të mirë
Martin-Zadrima_Direktor_-shkolla-fillore_Marsal-Tito_Ulqin

Për rezultatet e arritura  këtë vit shkollor  në procesin edukativ dhe arsimor të kësaj shkollë, foli  Martin Zadrima , drejtor i shkollës.

Ai e vlerësoi punën e personelit arsimor në këtë shkollë, duke thënë se vetë rezultatet e treguara dhe suksesi i nxënësve flasin më së miri për punën  tonë të mirë.

“ Sa i përket suksesit  të përgjithshëm në nivel të shkollës  80 për qind e  nxënësve kanë arrijtë sukses pozitiv.  Nga  gjashtë paralele të klasëve të nënta që përfunduan vitin shkollor, 99 nxënës kanë treguar rezultat pozitiv,  të shkëlqyeshëm janë 38, prej të cilëve 16  janë fitues të diplomës “ Lluça”:  Ajdina Metanoviq ( nxënësja më e mirë  e gjenaratës)  Besart Hoxhiq, Rajmond Gjonaj, Blendi Çapriqi, Miranda Maku,  Leudrita Mustafa, Antoneta Elezoviq, Aksa Murati, Maida Gjoni, Marina Luliq, Kristina Junkoviq, Lenka Llalloviq, Katarina Marnikoviq, Nagja  Nuculloviq, Amella Muriq dhe  Katarina Kujunxhiq.

Edhe sivjet nxënësit tanë kanë marrë pjesë në gara shtetërore në disa lëndë. Sukses të lartë  veçmas treguan  Ajdina Metanoviq dhe  Marina Luliq nga gjuha  gjermane, të cilat  zunë vendin e dytë dhe tretë  në nivel shtetëror, kurse mentori i tyre i gjuhës gjermane  Bernd Vogel u shpall  me meritë mentori më i mirë në Mal të Zi në katër vitet e fundit, i cili është ndër profesorët e rrallë  që mësimin  në orë e shpjegon  në  mënyrë interesante përmes lojës dhe   komunikimit  të vazhdueshëm në gjuhën gjermane”, tha Zadrima. Sipas tij  këto rezultate  dhe ky   sukses i  nxënësve  është    arrijtë falë  organizimit të mirë të punës  së arsimtarëve dhe besimit që tregojnë nga viti në vit prindërit për punën tonë.

Osnovna-Skolla-Marsal-Tito_Ulcinj

 Njerëz të vegjël dhe të  mëdhenj

Mësimdhënësit e shkollës, Abdullah Kurti,    Mefit Tela, Abaz Mustafa, Muho Ceka, Rudi Goga, Hinda Llolla, Emina Muja, Martin  Kocoviq, Lubo Llukiq   e të tjerë  thonë  fjalë  të mira për  nxënësit e tyre,  për të cilët shprehen se tashmë nuk janë më  fëmijë të vegjël, por njerëz të rritur. Të gjithë  mësimdhënësit e shkollës  deklarohen  të kënaqur  me suksesin  e nxënësve si në aktivitete mësimore ashtu edhe jashtë tyre. “ Këtë gjeneratë, e cila sivjet për herë të parë do të japë provim maturën  e vogël,   e karakterizon  edukata, sjellja e mirë e cila  vërehet  përmes nderimit të mësimdhënësve, respektimit të ndërsjelltë  dhe   tolerancës. Ndjehemi krenar dhe fatlum për këtë gjeneratë të gjysmëmaturantëve  e cila  tek ne ka lënë përshtypje të  mëdha. Me  arsye  mund të lavdërohemi me rezultatet e arritura në procesin edukativo-arsimor të nxënësave tanë, gjë të cilën e dëshmojnë 16  mirënjohje prestigjioze “ Lluça”,  thonë me sinqeritet  mësimdhënësit, duke u uruar nxënësve të tyre  të jenë të mirë e të suksesshëm , sikur kanë qenë në shkollën fillore,  të kenë  shëndet dhe fat në jetën e tyre.

 Shkolla fillore është diçka që nuk harrohet

Gjysmëmaturantëve shembullorë dhe  atyre me sukses të shkëlqyeshëm të kësaj shkollë  u vjen mirë për suksesin  e arritur. Ata thonë se  për të arritur këtë sukses u është dashur të mësojnë në mënyrë sistematike, duke  shtuar se për suksesin e tyre  meritat më të mëdha i kanë mësimdhënësit dhe prindërit e tyre të cilët i kanë përkrahur  që nga takimi i parë me mësuesin në  foshnjore. Por ajo që ata  do ta mbajnë mend  gjithmonë sigurisht janë ditët  e përbashkëta shkollore.  “  Na vjen keq që  e lamë shkollën fillore, sepse  për të mbajmë shumë kujtime. Ajo është diçka që nuk harrohet”, thonë  shoqet e klasës Leudrita, Lejla, Antoneta, Emina dhe  Miranda. Ngjashëm shprehen edhe   shokët e tyre Besarti, Blendi, Rajmondi, Arlindi dhe Fitori . “Gjatë shkollimit nëntëvjeçar  kemi patur momente të bukura.Jemi shoqëruar me njëri-tjetrin. Së bashku kemi kaluar mjaft  çaste të kënaqshme, të cilat nuk do t’i harrojmë kurrë, sikurse as mësimdhënësit tanë të dashur nga të cilët mësuam që  të bëhemi njerëz të ditur dhe të kulturuar”, pohojnë ata dhe shtojnë se nuk kanë frikë nga matura e vogël, sepse për këtë provim nga gjuha shqipe, matematika dhe lënda zgjedhëse  i kanë përgatitur profesorët e tyre.
Osnovna-Skolla-Marsal-Tito_Ulcinj.1

Revista e shkollës “ Fjala jonë”

Me rastin e shënimit të ditës së shkollës   u promovua  numri 9-të i revistës    shkollore “ Fjala jonë” në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze. Në faqet e kësaj reviste  janë botuar  punime të nxënësve të talentuar në lëmi të ndryshme, artikuj , ku bëhet fjalë për  suksesin e nxënësve të dalluar në shkollë dhe jashtë saj,   garat e ndryshme  shkollore, komunale, shtetërore dhe  ndërkombëtare.   Poashtu   në faqet e kësaj reviste   kanë zënë vend  edhe  ngjarje e aktivitete të ndryshme punuese dhe organizative të kësaj shkollë gjatë këtij viti shkollor, pastaj punime letrare të nxënësve në poezi dhe prozë, fjalë të urta popullore, kuriozitete, kuizi, fjalëkryqi, punime artistike nga lënda e artit figurtaiv të nxënësve , anketa me nxënës, dhe preferencat e   nxënësve nga fusha e muzikës, filmit dhe letërsisë.

 

Mesazh urimi

Natyrsiht se të gjithë nxënësit nuk kanë  mundur të jenë njëlloj të suksesshëm ,por tani kanë mundësinë dhe rastin të zgjedhin atë që dëshirojnë, atë që u intereson . Ajo çka është më e rëndësishme është fakti që gjatë shkollimit të mëtejshëm të jeni njerëz të mirë.  Dhe  këtë  u lutemi  që gjithmonë ta keni në mendje. Sepse fitimi më i madh i shkollës, i shoqërisë dhe i prindërve  tuaj   është  që  ju  të formoheni  si njerëz të dobishëm. Mësoni, mësoni dhe vetëm mësoni. Mësimi ju ofron sfida të shumta.