Studentet e Ulqinit ne Prishtine reagojm për arrestimet në Plavë
Atëherë kur të gjithë menduam se shteti i “fluturimit të shqiponjës” ka ndryshuar dhe se nuk i ka më ato kthetra sikurse në vitin 2006,
na doli se paskemi qenë gabim. Jemi dëshmitar të së sotmes ku ky shtet njëherë tenton të bëjë një deponi, një kancer të gjallë në një nga
trojet më të lashta shqiptare në Ballkan ndërsa sot tregon edhe njëherë se sa jotolerant dhe i dhunshëm është ndaj banorëve të këtyre trojeve.
SUP dënon ashpër aktin e dhunshëm e barbar të shtetit të Malit të Zi përmes forcave speciale policore ndaj bashkështetasve të vet,
banorëve të fshatit Martinaj të Plavës. Ky është një demonstrim qyqar i një vendi që rrejshëm pretendon të drejtën,
zhvillimin dhe familjen euro-atlantike. Kjo është rruga të cilën pandehëm që e kishim lënë prapa në shekullin e kaluar dhe në gjeneratat
e regjimeve të kaluara por fatkeqësisht e sotmja vazhdon të na e rikujtojë atë teksa bëhet pre e diktateve të së kaluarës së hidhur dhe
duket sikur nuk e ka ndërmend ta kapërcejë asnjë brez të këtij nënqielli pa konflikt e armiqësi.
SUP në anën tjetër, kërkon rizgjim dhe mirëpërfaqësim nga subjektet politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Këtë në rradhë të parë si
obligim e përgjegjësi ndaj sovranit e moralit. Ne mendojmë që pikërisht përgjumja, rraskapitja dhe shitblerja e përfaqësuesëve tanë po
sjellin ditë të tilla e më keq se kaq. Ata në vend që t’i prijnë këtij populli në ditë të mira e të këqija, zgjedhin “vrimën e miut”
në rastet si ky i fundit.
SUP kërkon nga institucionet relevante të Malit të Zi që të tregojnë përmbajtje e maturi ndaj etnicitetit shqiptar dhe ndaj çdo pakice
tjetër kombëtare të këtij vendi. Në asnjë rast nuk kërkojmë mëshirë por vetëm respektim të të drejtave qytetare, etnike dhe ndërkombëtare.
Ne nuk duam trazira e armiqësi të reja e ripërtërira në Ballkan. Ne duam Evropën
me të gjitha të mirat e dobësitë e saj. Mbi të gjitha sepse ajo besojmë të jetë garant i të drejtës e lirive të çdo individi a kombësie.
Studentet e Ulqinit ne Prishtine





