KNSH: Kumtese per opinion- arrestimi i banoreve te fshatit Martinaj

May 27, 2013   | Ngjarjet - Events

KËSHILLI NACIONAL I SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI

NACIONALNI SAVJET ALBANACA U CRNOJ GORI

ALBANIAN NATIONAL COUNCIL IN MONTENEGRO

 

 

Nr. 34/13

Ulqin, me 26.05.2013

 

 

 

KUMTESË  PËR OPINION

-Arrestimi i banorëve të fshatit Martinaj në Plavë-Guci-

 

Ngjarja e hidhur e datës 25 Maj në fshatin Martinaj, me ç´rast forcat speciale policore malazeze, arrestuan 23 banorë të këtij fshati, për shkakun e vetëm se ata mbronin pronën e tyre dhe truallin e vet,në mesin e të cilëve kishte edhe pleq të moshës mbi 70 vjeçare si edhe të mitur, ka shqetësuar jo vetëm shqiptarët në Malin e Zi, por  të gjithë shqiptarët   kudo që ndodhen .

Këshilli Nacional i Shqiptarëve duke ndjekë me shqetësim dhe brengosje, këtë veprim dhune të Policisë, vlerëson se dhuna e përdorur  ndaj banorëve autokton të fshatit Martinaj, i banuar vetëm me shqiptarë, bëhet me qëllimin e vetëm – përpjekje për pastrim etnik të kësaj treve historikisht  shqiptare, largimin dhe shpërnguljen e banorëve, sikur  është vepruar në vijimësi, gjatë gjithë shekullit të kaluar.

Këshilli Nacional i shqiptarëve e dënon ashpër arrestimin dhe dënimin me gjobë të banorëve shqiptarë të fshatit Martinaj dhe u bën thirrje Institucioneve shtetërore të Malit të Zi që të heqin dorë përfundimisht nga metodat e dhunës dhe presionit jo vetëm ndaj shqiptarëve të Plavë Gucisë por të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi dhe t´u qaset metodave institucionale e  demokratike për zgjidhjen e problemeve , ashtu sikur veprojnë shtetet  demokratike e ligjore evropiane, shtete këto, të cilave pretendon t´u bashkohet edhe Mali i Zi.

KNSh në Malin e Zi njëkohsisht, apelon te Gjykata që të anulojë vendimin e padrejtë të dënimit me gjobë prej 240 euro të banorëve të arrestuar, të cilët nuk prekën dhe nuk cenuan askend, përveç se protestuan  kundër uzurpimit të pronave të veta shekullore nga uzurpatorët tradicional të Kishës Pravosllave Serbe. Është paradoksale që në  një shtet, sikur Mali i Zi, i cili pretendon  integrimet europiane, Gjykata  në vend që të dënojë uzurpatorët e keqbërësit, arreston dhe dënon ata të cilët mbrojnë pronën e vet prej këtyre uzurpatorëve, si një e drejtë e pacenueshme e çdo individi apo komuniteti.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, u bën thirje  subjekteve politike shqiptare e deputetëve në Parlament e Malit të Zi, t´i kundërvihen kësaj padrejtësie të madhe ndaj popullit shqiptar  të Plavës e Gucisë, duke bërë presion te Institucionet e Malit të Zi, bojkot të Parlamentit, mospërkrahje të Qeverisë, zhbërje të koalicionit me partinë në pushtet, e forma të tjera të veprimit demokratik. Nuk ka funksion,  a privilegj politik i cili mund të vendoset  mbi interesat e banorëve  shqiptarë të fshatit Martinaj në Plavë, apo të shqiptarëve kudo që jetojnë  ata, në trevat e veta stërgjyshnore në Malin e Zi.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve zotohet  se,  për  dhunën e ushtruar ndaj banorëve të Martinajve dhe do të njoftojë të gjitha Institucionet relevante  ndërkombëtare që veprojnë në Malin e Zi dhe  se  do të angazhohet me të gjithë kapacitetin   e ingjerencat e veta Ligjore, që kjo çështje të zgjidhet drejt e pa dhunë.

 

Kryetari,

Tahir Tahiri