Dr. Sulejmani: Ulqin, të dua të bukur, të dua të shëndetshëm

May 31, 2013   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Dr.Argezon Sulejmani Më e vështira për një mjek do duhet të jetë të merret me rregullore, ligje e politikë. Më e lehta, të bëjë punën për të cilën është shkolluar e kualifikuar. Thonë që njeriu lehtë përshtatet. Edhe mjeku-njeri është. Cdo rrëfim imi mund të etiketohet si konflikt interesi apo konflikt për interes, megjithatë fjala është dhunti dalluese nga Zoti për njeriun, kurse heshtja shpesh-herë përulje e skllavit ndaj pronarit.

Jetojmë në periudhën kur shëndetësia lokale dhe jo vetëm, në vend që të matet me të kaluarën, me rajonin, me perëndimin apo me të rejat e fundit shkencore, rron në kohën kur kritikë e pikëreferim ka politikën, ngushtësisht. Komuna e Ulqinit, aty ku edhe unë gravitoj jetësisht e intelektualisht trashëgon defekte të rënda në sistemin shëndetësor. Edhe sot politizimi e zormenaxhimi e kanë kacafytur e mjeruar këtë sektor jetik. Këtu fillon ajo pjesa më e vështire për mua e cdo mjek. Ligje, nene, rregullore. Të gjitha do të mund të përmblidheshin në: garanca për përfitimin e shërbimit shëndetësor është e drejtë themeltare e garantuar me kushtetutën e cdo shteti, me ligjet ndërkombëtare për të drejtën e njeriut dhe me cdo ligj mbi mbrojtjen shëndetësore, pavarësisht ‘prejardhjes nacionale, rracës, gjinisë, moshës, gjuhës, besimit, shkollimit, gjendjes sociale, prones dhe të tjerave vecori individuale.’ Historiku i shërbimit shëndetësor në komunën tonë tregon për një diskriminim të vazhdueshëm të etnisë shqipfolëse. Dhe kjo, me “goditjen në kokë” të saj përmes mosavancimit profesional të personelit shëndetësor.

Thonë që historia e cila harrohet-perseritet. Komuna e Ulqinit ka vuajtur me dekada të tëra per staf shëndetësor të kualifikuar. Përtej kësaj, po në këtë vend kanë vuajtur papunësine me dekada të tëra mjekë e profesionistë shëndetësor edhe përkundër mungesës së kuadrove. Të gjithë e dinë dhe njohin diskriminimin që u është bërë mjekëve tanë në mbarimshekullin e kaluar. Me t’u kthyer në vendlindje më janë bërë të ditura shumë histori të trishta të kolegëve të mi të viteve ’90. Për të më shantazhuar, për të më ngushëlluar apo për të më dhënë kurajo. Njëri që ishte detyruar të kapërcente detra e oqeane për të zhvilluar profesionin e vet të shenjtë, tjetri që duke u shantazhuar e kërcënuar detyrohej të linte vendlindjen për një të ardhme të panjohur jo vetëm profesionale, disa që në asnjë mënyrë nuk lejoheshin të kualifikohen më tej në profesionin e tyre, të tjerë që përtej gjithckaje vendosin në mënyre private ta cojnë shëndetësinë (shëndetin e bashkëvendasve te tyre) përpara e deri tek ata që detyrohen të ngujohen në këtë vend pa asnjë shpresë me titullin e mjekut që si hije e keqe i ndiqte.

Këta nuk janë historira të zymta të vecuara apo thjeshtë personale të disave prej nesh, por të të gjithë neve. Përmes kësaj është lënguar e cënuar shërbimi shëndetësor i cdo banori. Janë krijuar vakuume profesionale. Është stopuar avancimi i shëndetësisë në këtë vend. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejtë që Ulqini sot të gjendet në nivelin e vetëm të një qendre primare shëndetësore, që komuna jonë të mos ketë kuadër të kualifikuar për hapjen e maternitetit, që Spitali i Ulqinit të mbetet thjeshtë dhe vetëm një përrallë e bukur apo ëndërr e shfrenuar.

E kaluara na “e polli” të sotmën. E sotmja do të lindë të nesërmen. Nëse nuk kemi arritur të hapim mendjet tona retronostalgjike së paku mos të përsërisim të njëjtët gabime. Ulqini, banorët e tij, meritojnë të avansojnë në ofrimin-përfitimin e të mirave shëndetësore. Kjo kërkon mbi te gjitha ta duash Ulqinin. Dikë që e do vërtetë, pikësepari e do të shëndetshëm. Ulqini, si vend turistik, si qendër e shqiptarëve në Malin e Zi dhe si lidhës i rrugëve rajonale meriton të ketë një qendër shëndetësore dinjitoze. Madje, përtej kësaj. Shqiptarët e kanë të garantuar me kushtetutë të drejtën e përfshirjes (autentike) në institucione publike e organe shtetërore. Ne disponojmë me kuadro që denjësisht do të mund të ofronin ndihmën e tyre edhe në mbrojtjen sekondare shëndetësore (spitale), në atë Klinike-Universitare e deri në Ministrinë e Shëndetësisë të Malit të Zi. Është humane sa mjekësia, e shenjtë si ajo të kërkosh të drejtën e mohuar.

Institucioni shëndetësor në Ulqin duhet të bëjë hapa përpara. Këtë, edhe për borxh të së kaluarës. Shëndetësia duhet të pavarësohet, të decentralizohet, shëndeti ju përket te gjithëve. Është obligim i secilit prej nesh të nisim një planifikim afatmesëm që do të conte deri tek spitali i qytetit. Për këtë duhet nisur punën që sot. Së pari, duke mos përsëritur gabimet e së kaluarës, diskriminimin në baza etnike dhe kualifikimet në bazë te teserëve partiak. Mesazhi i OBSH-së është i qartë: “Shëndet për të gjithë.”

Dr Argëzon Sulejmani,
Prishtinë, 2013.