Abazoviq: Si të lehtësohet qarkullimi në kufirin Sukobinë – Muriqan – Video

June 1, 2013   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Dritan Abazoviq-ulqinDeputeti i “Pozitivës”, Dritan Abazoviq ka pyetur ministrin Konjeviq nëse ekziston mundësia që në marrëveshje me Shqipërinë të përshpejtohet qarkullimi i udhëtarëve në vendkalimin e jashtëm kufitarë Sukobinë dhe a ekziston plan që në periudhën e ardhshme të hapet edhe ndonjë vendkalim tjetër kufitarë me Shqipërinë, si psh. në Ostros. Ministri Konjeviq ka theksuar se palët shqiptare dhe malazeze shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të procedurës të ligjit kufitarë me ç’rast kontrollet kufitare do të kryheshin vetëm  me rastin e hyrjes në shtet me qellim të thjeshtësimit të procedurës për kalimin e kufirit shtetëror.

Kufiri-Sukobin-Muriqan

Diçka për  kufirin Sukobinë – Muriqan

Kjo Pikë e hapur në maj të vitit 2002 ka funksionuar për kalimin e njerëzve dhe automjeteve të vogla, në të dy anët e kufirit, ndërsa për mallrat u bë e mundur në qershor të 2009-ës. Pika doganore e kalimit kufitar Muriqan -Sukobinë, u inaugurua në 18 qershor të vitit 2009, në prani të Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, si investim i Komisionit Europian (KE) në një vlerë prej 1.1 milion euro.

Pika e Kalimit Kufitar Muriqan-Sukobinë, 14 km larg qytetit të Shkodrës, është pika e parë kufitare e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, pjesë e rrjetit prej 12 pikash kufitare që do të ndërtohen në Shqipëri dhe vendet fqinje, nga një financim i KE-së prej 5.4 milionë euro.

Bashkëpunimi mes dy administratave kufitare e doganore në Pikën e përbashkët Kufitare Muriqan-Sukobinë që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ka rezultuar i suksesshëm, duke bërë të mundur evitimin e rradhëve të gjata të shtetasve që kalojnë nga kjo pike doganore.
Vetëm në muajin korrik 2012, në doganën e Muriqan-Sukobinë kanë kaluar 150 987 shtetas, nga të cilët në vendin tonë kanë hyrë 98 153 shtetas, ndërsa  nga Shqipëria për në Malin e Zi kanë hyrë 53.575.