Demarkacioni i kufirit sipas qejfit të malazezëve
Komisionet ndërshtetërore për përcaktimin e demarkacionit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, këtë javë kanë zhvilluar në Mal të Zi takimin e radhës për përcaktimin e kufijve. Sikur herët e kaluara edhe në këtë takim pala kosovare ka shkuar pa asnjë dokument alternativ që do të sfidonte propozimin e autoriteteve malazeze për përcaktimin e vijës përfundimtare kufitare. Pas këtij takimi pala kosovar ka preferuar të hesht për procesin e demarkacionit, derisa ai proces të mbarojë, pavarësisht se brenda komisionit kosovar ka mospajtime për propozimin malazez, i cili konsiderohet i dëmshëm dhe i papranueshëm për vendin tonë. Plani i komisionit të Malit të Zi për demarkacion është ndërtuar mbi kufijtë e hartës së vitit 1974, e cila në fakt nuk ekziston, por është e kopje e hartës së vitit 1932, nga koha e mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Me hartën e malazezëve kufiri lëvizet më tepër se shtatë kilometra, nga maja e Çakorrit ku ka qenë e bie deri të fshati Kuqishtë të Rugovës. Këtë ndryshim të kufirit autoritetet malazeze e kanë përpunuar edhe në librat e tyre kadastral. Për malazezët demarkacioni i kufirit duket se ka marr fund dhe si i tillë i merr një pjesë të mirë të territorit të komunës së Pejës. Autoritetet komunale të Pejës e kanë kundërshtuar propozimin e malazezëve dhe janë shprehur se nuk do ta pranojnë as një vendim që do të shkojë në dëm të territorit të komunës së Pejës dhe banorëve të saj që kanë prona përgjatë kufirit më Malin e Zi dhe që tash do tu mbeten disa prona edhe andej kufirit me hartën e re, që e kanë punuar autoritetet e Malit të Zi në një anshmëri, dinakëri dhe mjeshtëri para syve të qeveritarëve tonë qendrorë, të cilët nuk e kundërshtojnë.






