Shqiptarët në Mal të Zi të diskriminuar?
Mediet malazeze vunë në qendër të vëmendjes protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë Forumit të Miqësisë Kosovë – Mali i Zi, i cila u zhvillua të hënën dhe të martën në Prishtinë. Aktivistë të Vetëvendosjes, gjatë aktivitetit, në ambientin ku zhvilloheshin bisedimet, para foltores, shpalosën pankartën “Në Mal të Zi shqiptarët shtypen. Kjo nuk është miqësi!”.
Funksionari i lartë i Iniciativës Qytetare – Tuz, dhe ish deputeti, Vasel Sinishtaj, tha se është më se e vërtet se ekziston një lloj diskriminimi ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, dhe se shteti duhet gjetur mekanizma për të dëgjuar zërin e përfaqësuesve shqiptarë, shkruan portali malazez CDM. Mendoj se ka pakënaqësi të madhe të shqiptarëve në Mal të Zi edhe përkundër faktit që shumica përkrahin bllokun e shumicës qeveritare, citon Malesia Sinishtajn. Sipas tij, kur bëhet fjalë për shqiptarët, diskriminimi ekziston në fusha të ndryshme, ku në plan të parë thekson Komunën e Malësisë. “Kur është fjala për formimin e komunave të reja, shumë qartë vërehen standarde të dyfishta.
Dy deputetë të opozitës, unë dhe Genci Nimanbegu, kemi ngritur çështjen e komunës së Malësisë në gusht të vitit të kaluar, kurse gati një muaj më vonë u ngritë çështja për komunën e Gucisë. Për ta nuk ka pasur nevojë të ngritët tenderi publik, dhe as diskutim publik rreth elaboratit, kurse neve, ato na u imponuan”, tha Sinishtaj. Sipas tij, Ligji Zgjedhor i Malit të Zi, ka diskriminuar pikërisht shqiptarët, pasi që është humbur edhe diçka që ishte fituar. Kishim 5 deputetë, përfaqësues të shqiptarëve, kurse sot kemi dy, sqaron Sinishtaj.
Sinishtaj shton se shqiptarët janë në pozitë jo të volitshme edhe në arsim. Sipas tij, shqiptarët nuk janë mjaft të përfaqësuar në Universitetin e Malit të Zi./Lajmpress/





