Kraja “tradhton” me katër ribotime

June 8, 2013   | Rajoni / Region

Akademia e Shkencave dhe të Arteve të KosovësUlqini ishte fillesa e parë kur u botuan shkrimet e tij të para në letërsi, në kohën kur ai ishte nxënës i gjimnazit. E nën përkujdesjen e Esad Mekulit, ishin tregimet e para të tij ato që u botuan në revistën letrare “Jeta e Re”, asokohe. Deri më tani ka botuar njëmbëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës. Është ky autori Mehmet Kraja, i cili së fundmi promovoi katër romane të ribotuara nga shtëpia botuese “Onufri”: “Im atë donte Adolfin” (2005), “Selvitë e Tivarit” (2007), “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004) dhe “Hotel Arbëria” (2010) janë romanet që të enjten u shpalosën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në prani të shumë akademikëve kosovarë, letrarëve, kolegëve e shkrimtarëve. Në mesin e të pranishmëve, Bujar Hudhri nga shtëpia botuesve “Onufri”, ka dhjetë vite që boton shkrimet e Krajës.

“Jam i mahnitur me gjuhën shqipe që ka përdorur autori”, ka thënë mes rreshtash Hudhri. Romanet në fjalë janë ribotime të cilat autorin e kanë “ngacmuar” për t’i ribotuar në mënyrën e re të kohës, shoqëruar edhe me ndryshime në kopertina. Recensenti i këtyre veprave, Ali Aliu, për autorin ka thënë se është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së sotshme shqipe. Sipas tij, Kraja është personalitet me ndikim në hapësirën kulturore shqiptare.

“Cikli romanor narrativ ka temën “Historia shqiptare”, që me këtë rast do të thotë domosdoshmërisht qëndrim dhe pozicion i qartë i vetë autorit”, ka thënë Aliu, i cili ka shtuar se e veçanta e Krajës në letërsinë bashkëkohore lidhet me rrallësinë e tij si autor për t’i kapërcyer kufijtë, duke i bërë bashkë hapësirat shqiptare. Sadik Bejko u shpreh i gëzuar që merr pjesë në promovimin e veprave të Krajës.

“Mehmet Kraja është një personalitet i prozës shqiptare e në mënyrë të veçantë i prozës romanore, ai është një krijues i mirë i teksteve dhe njohës i mirë i tyre”, është shprehur Bejko, ndërsa romanin e fundit të Krajës “Edhe të çmendurit fluturojnë” e ka quajtur si hapësirë ku tregohet se të gjithë njerëzit janë të palumtur, dhe më të këqijtë e njerëzve janë ata që e afishojnë palumturinë e tyre. Kurse autori Basri Çapriqi ka thënë se Kraja e ka tradhtuar gjuhën në fillimet e tij, sepse ai nuk ka nisur me romanin por me antiromanin, e kështu e ka cilësuar Krajën si autor atipik. Çapriqi thotë se romani i parë i këtij autori, “Gjurmët në trotuar” (1978), është përputhje e përpiktë e një romani me tipare post-moderne.

“Jo vetëm romani i parë, por edhe disa libra të Krajës të kësaj faze karakterizohen me një gjuhë të komunikativitetit të ulët, kurse më vonë ai ka hapur gjurmë dhe me këto libra ai ka dalë në pah me gjuhë të hapur” thotë Çapriqi, i cili ka shtuar se Kraja është mjeshtër i lojës me kontekste të mëdha kulturore.
“Vepra e Krajës është nga më cilësoret e prozës sonë dhe e përbërë nga dhjetëra vëllime me tregime, me publicistikë, eseistikë si dhe prej një sërë romanesh të suksesshme” shkruan Vath Koreshi.

“Mehmet Kraja i ka verifikuar edhe një herë dhe ka dëshmuar aftësitë e tij në lidhje me njohjen e thellë të gjuhës shqipe dhe leksikut të saj të pasur. Kjo është aq e dukshme dhe u shërben si një shkollë estetike shumë njerëzve që aspirojnë për të shkruar në gjuhën shqipe prozë apo çdo lloj tjetër letërsie. Me leksikun e futur ndjeshëm në frazën e tjerrë artistikisht aq plotësisht, ai bëhet bartës i elementeve të reja që janë shkas për studiuesit e gjuhës” shkruan Miranda Haxhia, në një broshurë që “Onufri” ka përgatitur në nder të Krajës. Pas luftës së Kosovës, Kraja ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “Zëri” dhe më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën “Koha Ditore”. Që nga viti 2002 është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku jep lëndën e skenarit të filmit dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Drilon Pulaj

Zëri