Bashkëpunimi mes policive te Shqiperisë dhe Malit te Zi, për sezonin turistik 2013

June 15, 2013   | Rajoni / Region

Hisni Burgaj- Slavko StojanovicBurgaj-Stojanovic, protokoll bashkëpunimi mes policive, për sezonin turistik

Në kuadër të sezonit turistik 2013, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Malit të Zi është nënshkruar sot një protokoll bashkëpunimi, i cili përcaktojn modalietet e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta për parandalimin e krimit dhe të patrullave të përgjithshme në territorin e Malit të Zi, duke synuar në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e të dy vendeve.

Protokolli i bashëkpunimit u nënshkrua ditën e sotme në qytetin e Shkodrës ndërmjet Drejtorit të Përgjtihshëm të Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj dhe Drejtorit të Përgjtihshëm të Malit të Zi, Z. Slavko Stojanoviç.

Në fokus të takimit ndërmjet dy Drejtuesve të lartë policorë dhe delegacioneve që i shoqëronin ishte dhe sigurimi i të gjitha lehtësirave të nevojshme për qytetarët e të dy vendeve në pikat e kalimit kufitar, si dhe fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore.

Z. Burgaj gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje vuri në dukje nivelin e lartë të bashkëpunimit ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve.

“Çdo ditë që vjen dhe më pak i rëndësishëm për dy organizatat policore po bëhet kufiri shtetëror në drejtim të bashkëpunimit të përbashkët në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Sigurisht ne do vijojmë të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Malin e Zi. Shembull i këtij bashkëpunimi është pika e përbashkët e kontroll kalimit Muriqan-Sukobinë. Ndërkohë dhe ky protokoll që ne nëshkruam sot është një mesazh për qytetarët e të dy vendeve, që ne në drejtim të bashkëpunimit nuk njohim kufij në shërbimin policor.”- u shpreh Z. Burgaj.

Z. Burgaj evidentoi gjithashtu rëndësinë e këtij protokolli bashkëpunimi, i cili do të pasohet dhe nga masa për krijimin e lehtësirave në pikat e kontroll kalimit kufitar, si dhe vuri në dukje fushat në të cilat bashkëpunimi policor mes të dy vendeve ka rezultuar mjaft i suksesshëm.

“Sigurisht ky protokoll parashikon shërbime të përbashkëta të policisë së rendit dhe kriminale në Budva dhe Ulqin, po kështu të ndërsjellta, kjo pasohet dhe me shërbime e bashkëpunim në pikat e kontroll kalimit kufitar. Po tentojmë që të shkëmbejmë informacionin në kohën më të shkurtër të mundshme në këto pika, duke synuar të arrijmë drejt asaj që të kemi një kontroll, ku secili shtet të kontrollojë hyrjet në territorin e tij, për ti krijuar lehtësira sa më të mëdha qytetarëve shqiptarë dhe malazez. Ky është një ndër objektivat tanë dhe besoj që së shpejti ne do të mund ta arrijmë pas kontakteve të ekspertëve përkatës.

Por ne nuk kemi mbetur vetëm këtu sa i përket bashkëpunimit, kemi patur bashkëpunim të shkëlqyer dhe kemi arritur operacione të përbashkëta, procedime të përbashkëta. Po tentojmë që kufiri shtetëror mes nesh të jetë sa më pak i rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit policor, pra nuk do të ketë asnjë pengesë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet, ç’ka do të thotë që ne nuk kemi asnjë pengesë ligjore për të realizuar bashkëpunimin dhe për ta forcuar atë në të ardhmen.”- u shpreh Z. Burgaj.

Drejtori i Përgjtihshëm i Policisë së Shtetit evidentoi faktin se ky bashkëpunim është vendosur prej vitesh dhe me Policinë e Kosovës, kemi shërbime të përbashkëta me Italinë, po tentojmë që vitin e ardhshëm të nënshkruajmë një protokoll të tillë me Maqedoninë, po kështu dhe me Greqinë jemi në kontakte për të arritur një marrëveshje të tillë.

“Unë dua t’u informoj që me të gjitha organizmat ndërkombëtare sa i përket bashkëpunimit policor të organizatës shqiptare është ndër nivelet më të larta që ka qenë ndonjëherë dhe kjo është e faktuar me operacione dhe rezultate konkrete. Rreth 90% e sasisë së drogës, kanabis sativa, është sekuestruar brenda kufijve të territorit shqiptar, ç’ka do të thotë që nuk kemi qenë shqetësim për vendet e Bashkimit Europian, po kështu dhe me drogat e forta, ku pothuajse ne kemi dalë si vend tranzit, pra Shqipëria ka dalë si vend tranzit.

Një punë shumë e madhe po bëhet sa i përket emigracionit të paligjshëm nga vendet e treta dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer nuk kemi patur probleme.”- u shpreh Z. Burgaj.

Z. Burgaj theksoi se bashkëpunimi rajonal çdo ditë po shkon drejt fuqizimit dhe Policia e Shtetit do të vijojë punën për përmirësimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Drejtori i Përgjtihshëm i Policisë së Malit të Zi, Z. Slavko Stojanoviç, duke shprehur kënaqësinë për takimin e sotëm ndërmjet dy policive, vuri në dukje rëndësinë e tij në kuadër të fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.

“I kemi harmonizuar qëndrimet tona lidhur me sfidat që kemi përpara, si dhe jemi marrë vesh për operacionet e përbashkëta dhe linja të tjera të bashkëpunimit. Mendoj se bashkëpunimi jonë i mirfilltë duhet të vazhdojë rrugën në integrimin Europian.

Po ashtu jemi marrë vesh për thjeshtimin e modalitetit të kontrollit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Sukobinë-Muriqan, shkëmbimin e informacionit të duhur lidhur me trafikimin e personave, trafikimin e armëve, të muncionit, dhe kemi definuar së bashku modalitetin e punës dhe operacioneve të përbashkëta në luftimin e këtyre dukurive.”- theksoi Z. Stojanoviç.

Ndërkohë duke ju referur protokollit të sapo nënshkruar Z. Stojanoviç u shpreh: “Shtetasit tuaj mund të ndihen komod dhe të sigurtë dhe dy policitë do të mundohen që kjo të realizohet dhe në praktikë. Konfirmim i kësaj është dhe ky protokoll që e kemi nënshkruar, implementimi i të cilit do të shoqërohet dhe me prezencën e patrullave të përbashkëta, që do të jetë prezente në Malin e Zi gjatë sezonit veror.”

Në përfundim të takimit Drejtuesit e lartë policorë të të dy vendeve shprehën bindjen se dy organizatat policore do të vijojnë me të njëjtin intensitet bashkëpunimin dhe do ta fuqizojnë dhe më tej atë, pasi tashmë, për luftën kundër krimit nuk ka më kufij, policitë e dy vendeve, për nga niveli i bashkëpunimit, mund të konsiderohen si një organizatë e vetme, që punojnë së bashku për garantimin e sigurisë maksimale për qytetarët.
(m.a/BalkanWeb)