Nika: Disa improvizime të panevojshme të kohës në veshjen popullore të Anës së Malit

July 5, 2013   | Kulturë / Kultura

Muhamed NikaShkruan Muhamet Nika

Pasi  ndoqëm me interesim manifestimin gjithë popullor Pranvera në Anë të Malit, si dhe do emisione tjera etnografike dhe folklorike duke hetuar një varg improvizimesh të pa nevojshme që tradita e veshjes nuk i pranon, për te qenë  sa më i kapshëm për deformimet e përmendura, po shtrojmë çështjen për trajtim.

 

Fillimisht për historikun e veshjes me këmishë

Për dijen etnografike shqiptare, vlen parimi , që  kostumet popullore në përgjithësi tek shqiptarët, patën një zhvillim dhe ndryshim të madh e tepër të vrullshëm, në pjesën e dytë të shekullit 19. Ndërsa sipas nesh, ky fenomen preku edhe veshjen e trevës së Anës së Malit. Mirëpo,  veshja më e vjetër e trevës së Anës së Malit , si duket  me gjithë  atë, duhet të jetë, pa dyshim,  veshja e tipit me këmishë…Gjurmët e  kësaj  këmishe që sot ndeshët në Anë të Malit , të çojnë,  në thellësinë e shekujve deri te  “Dalmatika” ilirë. Këmisha më e përafërt  që bashkohet  me dalmatikën ilire, duhet të jetë ajo  që në popull njihet si -kmisha e dekës.

Vërejmë se kjo këmishë, ishte pjesë e pajës së nuseve,  te brezi i moshuar, kurse tashti nuk ekziston më …?!!.  Këmisha  ishte, e punuar në veg , një lloj si këmisha e zakonshme, por prej  materiali, pak  më të trash  dhe  për dallim, nuk zbukurohej , me “rruza “të imta , si stoli , rreth grykës  .  Vërtetohet se ky ishte  i vetmi dallim  i saj, në raport  me këmishën aktuale të veshjes së përditshme.

Kuptohet që këmisha u vishej grave femra me rastin e vdekjes, zakonisht përdorej në rastin e vdekjes së ndonjë gruaje të familjes së burrit …

Ideja e krahasimit të “këmishës së dekës”, me dalmatikën, mund të mbështetet , edhe  nga një  studim i  Ruzhdi Ushakut- studiues nga Ulqini,  i cili, duke trajtuar problemin e veshjes më këmishë të  një zone të përafërt, me atë të Anës Malit, mendojmë në  veshjen e  Shestanit,  vëren se veshja me këmishë e Shestanit, zbulohet edhe  në veshjen e statujës së femrës së Dimalit.

Statuja e Dimalit , sipas tij,  bën lidhje me veshjen e Shestanit. Kurse kjo e ofron sipas nesh edhe m   përdorim të këmishës në Anë të Malit, në kohë  dhe treva të ndryshme në vazhdimsi… Duke e ditur, se rituali i vdekjes , për nga natyra është tabuja më e madhe, vdekja ka ndikuar që  këmisha e  vdekjes  të  bëhet pjesë e kësaj  tabuje , duke i siguruar asaj  gjallërim nga thellësitë e  errëta  të kohëve.

 

Si duhet të jetë, veshja e grave e tipit me këmishë dhe vjetërsia e saj ?!

 

Duke e ditur se trendi i  qenies në hap me kohën, aktualisht,nuk i toleron më krijimet naive e joprofesionale, sipas thënies ,“ hajt le të bëhet diç e le të ndodh diçka në kulturë qoftë edhe me lëshime,  se nuk është punë e madhe…”, po marrim guximin, për të trajtuar gjendjen si është dhe si duhet të jetë…., sidomos  kur është fjala te kultivimi i traditës dhe vlerave  në veshjen popullore, në veçanti, por edhe të  koncepti   i vlerës  në përgjithësi.

Thuhet se ideja  kryesore, gjatë  një aktiviteti kulturor  duhet të jetë, demonstrimi i arritjeve më të mëdha të një kolektivi  njerëzor  në sferën materiale, mendore apo shpirtërore . Në këtë aspekt , shtojmë se, gjatë shekujve, nevojë imediate  gjithë herë  ka qenë,  sigurimi i një “meritumi,” apo “meritokracie intelektuale kulturore” e cila  duhej të përkujdesej për mbarëvajtjen sa më organike të  procesit të demonstrimit të   vlerës  kulturore . Dhe  pastaj, në fund  të demonstrimit kulturor, zakonisht,  përmes një note bëhej vlerësimi  i asaj që çmohej nga kolektivi, si  “ Me kimet kulturor…”

Që këtu pastaj, fillon  e nis edhe procesi i diferencimit  për shijet e njerëzve, rreth  vlerës  së  re të demonstruar. Vlera  e demonstruar, çmohej si vlerë e   arritur… ose thjeshtë  injorohej nga censura e “Meritumit”, ose censura kolektive.

Është interesant, që gjatë kultivimit të traditës, të  përdorimit të veshjeve popullore, në mungesë të një etnografi, etnologu, apo koreografi vendas, sot në Anë të Malit,   shohim të  paraqiten  disa veta  , të cilët nuk  disponojnë me  ata njohuri që duhen nga historiku dhe praktika  e  veshjes popullore anamalase…

Dhe prapë, po këta, për çudi, bëjnë përpjekje të merren me  kultivimin e veshjes popullore.. Për ata që e dinë  çështjen, po  sjellim një vështrim kritik të situatës për mes  një fotografie të  kiçit etnografik.

veshja ne ane te malit

 

Shih me kujdes fotografinë nga manifestimi Pranvera në Anë të Malit,

Sidomos veshjen me këmishë e pa mbulesë koke dhe bohçe ?!

 

Nëse  analizohen dy nuset  që shoqërojnë  konferencierën në fotografi nga manifestimi “ Pranëvera në Anë të Malit”/ viti 2013, mund të shtojmë se: pasi  kundrohet me  më kujdes veshja e tyre, vërejmë, që kemi të bëjmë ,me një kapërcim logjik në të  veshur,” nga meritumi”…., e cila nuk i përgjigjet fare realitetit  të veshjes së nuseve. Dhe që për mungesë të një parametri të  stilizimit, veshja  nga fotografia , nuk mund të quhet, as novacion stilistik…?!!

E para: rreth asaj që vërehet në fotografi , duhet të themi që kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh, që nusja  nga Ana e Malit të dalë në publik, me këtë lloj veshjeje të kombinuar ashtu si në fotografi , që do të thotë; pa  degërmi apo zhyzheh( mbulesa koke)…?!!

Dhe dy: kur nuset “ veshin këmishë të mëndafshit”( ashtu siç quhet në popull), ato    kurrë nuk bartnin me këmishë  xhamadan të grave  ose xhamadan të  plakave, ashtu siç paraqiten në  fotografi, por xhamadan nusesh

Dhe gjëja e tret:,   dalja eventuale e femrave pa bohçe në vende publike po edhe jashtë dhomës së gjumit , ta zëmë edhe në shtëpi të burrit, ka qenë e pamundur, sepse trajtohej si sjellje e turpshme dhe e pamoralshme…. Një kombinim i tillë i veshjes me ”këmishë të mëndafshit” , në flokë e pa bohçe, do të ishte i kuptimtë për rastin në fjalë, vetëm sikur organizatori, të  kishte  pasur  idenë,  që të bëjë ironizomin  e traditës popullore apo përqeshjen e saj…Brezi  i moshuar Ana Malas, kombinime të tilla të veshjes, ngjante t’i  bënte nga ndonjë herë vetëm në dasma, me qëllim të  përqeshjes së   grave  të përdala…,  zakonisht  në rol të femrës së përdalë, vihej një djalë  i maskuar ”si femër “,  i cili dinte të imitonte femrën e  përdalë dhe kështu dispononte të pranishmit. Kjo  ka ngjarë në kohët  kur dasmat në Anë të Malit, zgjasni 2 ditë e dy net.

Veshja” me këmishë “e  nuseve  hynë në  tipin  e veshjeve solemne, dhe  ajo mund të ishte e  2 llojeve; për  nuse dhe për gra të moshuara ;

Veshja me këmishë,   detyrimisht  shkonte  me” gjysa të gjana(lloj brekësh të gjata) “,  që kishin funksion të  siguronin gjithsesi     pjesët intime të trupit…,  kurse  në rast e  tilla, në kokë vihej njëra nga  mbulesat e kokës qoftë zhyzheh( nuset) ose degërmi (gratë) kurse  përpara vishej gjithsesi bohçja , po ashtu sipas grup moshës.

Mendojmë se trajtimi i të gjitha këtyre çështjeve, në mënyrë të thukët, nuk mund të bëhet    vetëm me  studiues shqiptarë , të cilët nuk kanë kryer më herët, ekspedita hulumtuese në terren.  Të bazuarit vetëm në ta,  mund të krijojë huti , si rasti i. një studiuesi nga Kosova , i cili duke folur, për tipin e veshjes nga Shestani, e ilustron punimin për këtë tip veshjeje, me një tip të veshjes së grave të moshuara të  Anës së Malit,  e cila gjë,  me siguri mund të indinjojë anën tjetër sepse pak ose aspak nuk kanë ngjashmëri.

Duke bërë një shkëputje “të vockël”, jashtë problemit të veshjes, për t’i ndihmuar organizatorit të manifestimit popullor, në të ardhmen “ Pranvera në Anë të Malit”, në mënyrë që të evitohen dhunimet që ngjasin, sqarojmë që, organizatori i manifestimit, lë përshtypjen se  harron  shpesh herë të cek , “ qëllimisht”, emrin e  saktë të vendit të mbajtjes së  manifestimi, sidomos kur shprehet, se  manifestimi do të organizohet  te  ” Kalaja   e Shasit”….??!!! Ndërsa të gjithë e dimë, se në Shas ka vetëm Kishë…., më duket se, në këtë rast, duke  i marrë kishat për kala, nuk veprojmë drejtë dhe si duhet?! Dhe sinqerisht do të dëshiroja që edhe kjo puna “e kalasë” të jetë lajthitje si puna “e këmishës “??!!

 

Si të mësojmë rrugën duke mos bredhur kot me shembuj praktikë…

Pasi   përmendëm, disa ndërhyrje të panevojshme në ruajtjen dhe kultivimin e artit popullor anamalas, cekim se  kjo veshje  është duke pasur një  jetë  bukur  të fortë aktive. Ajo nuk është duke u harruar, siç ndodh në disa raste , por falë arritjeve të  gjeniut popullor dhe industrisë së tekstilit, ajo  dita ditës  është duke u modernizuar. Gjithashtu, spontanisht , hetohet që është duke u bërë edhe funksionalizimi i saj për herë e më tepër.  Vërehet  që për momentin,   vajzat e  kësaj ane, gjatë martesës, pa marrë parasysh  përgatitjen shkollore të vetën…,  nuk  heqin  dorë nga tradita e trashëguar  e veshjes  . Ajo   vazhdon të jetë  njëra nga stolitë  më të rëndësishme  që vajza duhet të ketë në “pajë “ gjatë momentit të  martesës…..

 

Si ta konkretizojmë problemin  e  çoroditjeve në veshje ?

Për të konkretizuar problemin e improvizimeve të panevojshme,  duke  i ardhur në ndihmë çështjes, do të nevojitej së pari,  të bëhej një, përkufizim   i  nocionit,  vlerë në kulturë, dhe vlerë në art.. Ideja është  që të bëhet  sa më plastike ajo  e cila  trajtohet si   vlerë dhe   ajo  që  trajtohet si  kundër vlerë ?!!! Nga ky kënd,  për ata që veshjen popullore e takojnë përmes manifestimeve të ndryshme televizive, pohojmë,  që sikur ndërhyrjet e pa takt të bëheshin , nga të huajt, me siguri që ndërhyrjet e  përmendura nuk do të kalonin pa u kritikuar .

Po veçojmë  këtu, edhe  një emision të TopCanelit, ku prezantuesi  i veshjes  nga Ana e Malit që fliste, si tha vetë “Me meritë”,deklaronte për një tip veshjeje  të grave nga Ana e Malit,” se është veshje e vajzave të cilën ato vazhdojnë ta veshin edhe kur bëhen nuse.”?!!!

Që vajzat të veshin teshat e grave nuk bënë “vaki “ veç se në ëndërr …Supozojmë që sikur   një grua apo nuse, ta bënte këtë,  do të  trajtohej si e çmendur,  dhe do të përjashtohej nga shoqëria.

Por gjatë realizimeve të ndryshme “ Gjoja artistike” ,  shpesh na takon të shohim edhe  kapërcime folklorike  ende  edhe  më të pa shijshme, si ai në dokumentarin e Anës së Malit, ku   vërejmë se si një grua e veshur me të bardha”bohçe të bardhë “ që shpreh gjendjen emocionale të zisë”…, këndon , me shoqet e veta ” kangë gruni “ gjatë procesit të korrjes ?!

Duke ndjekur dokumentarin , një i afërm  imi , në shpoti  tha: “ Qyre edhe kjo ,po duket , ka kjenë diku në dekë, për të shpreh ngushëllime… , dhe  tuj u kthy,  ka pa shoqet që korrin e  që këndojnë…, si duket paska  fillu të këndojë edhe vet me shoqe, tuj harru se ku ka kjen”….

Ky  fenomen i dhunimit të traditës në veshje që është duke ndodhur në Anë të Malit, vërehet se  në veshjet e trevave  tjera , nuk është duke ndodhur, mendojmë  kryesisht , në veshjen e  ” Krajës”, “ Shestanit”,dhe në veshjen e “Bregacoreve- Bregut të Bunës”,  por jo atë të qytetit të Ulqinit,  të cilat  janë duke  u kultivuar me fanatizëm.  Kurse edhe  stilizimet e mundshme të këtyre  veshjeve  ,  ç’është e vërteta tepër të rralla, në se bëhen,  bëhen vetëm në kuadër të stilizimit të natyrshëm . Në këso rastesh,  ata një herë   japin  , mesazhe të mjaftueshme te  vrojtuesit se fjala është për  stilizime  me mjaft takt.

veshja e shestanit

Veshja e Shestanit  ( nga fshatrat e Tivarit  dhe  të Ulqinit

-Ana  e Sipërme e  Krajës), një shembull i ruajtjes së traditës

dhe stilizimit me shije.