Ismet Karamanga në emisonin Flladi – Kalaja e Ulqinit & Pirates

July 8, 2013   | Intervista / Intervju

ismet-karamanaga-emisioni-flladi-ulqin
Ismet Karamanaga dha një kontribut lidhur me historikun e kësaj kalaje e nder të tjera tha:

Kjo kala ka një histori, ku secili gur mund të flasë për një të kaluar të bujshme, është ndër më të vjetrat dhe më atraktivet në këtë pjesë të Mediteranit. Shkëmbinjtë mbi të cilët ngritën lart muret dhe bedenat e saj, mijëra vjeç të shpëlarë nga valët e detit, dëshmojnë se këtu kanë jetuar paraardhësit tonë Ilirët, shumë më parë se kur është filluar të shkruhet historia.
Sipas Plinit (të vjetër) në shekullin V p.e.r. themelohet Kalaja me emrin Olcinium. Muret e vjetër “qiklope” në hyrje dëshmojnë për vjetërsinë disa mijëravjeçare të sajë. Secila pëllëmbë e kësaj hapësire flet për një të kaluar të famshme, për një histori të bujshme të këtij vendbanimi. Shumë gërmadha arkeologjike flasin për këtë kështjellë si për një vendbanim me civilizim të lartë, me një portë dhe me një flotë të famshme, e cila e ka lidhur Ulqinin me botën e njohur antike. Shumë të njohur e të panjohur që jetuan dhe vepruan këtu lanë gjurmët e një civilizimi me të cilin gjeneratat e sotme mund të krenohen.

As pas luftërave romako-ilire ( 269-268 ) në Kala nuk u ndërrua substanca ilire. Romakët në Ulqin kanë sjellë veteranët të cilët gëzonin po ato të drejta civile dhe qytetare, si në qytetet tjera të Perandorisë Romake.
Periudha më e errët e Kalasë është në shekullin VII-XI me ardhjen e sllavëve në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo gjatë gjithë kësaj periudhë ajo ruajti identitetin e vet dhe gëzoi një autonomi edhe kur Zetën e pushton Stefan Nemanja me 1183. Mbishkrimet në monumentet kulturo – historike dëshmojnë për këtë. Deri me 1403 mbizotëruese ka qenë feja katolike, të cilën e kanë pranuar edhe pushtuesit sllavë. Ka të dhëna që flasin se Kalaja prosperitetin më të madh ekonomik në historinë e saj e arriti në kohën e Ballshajve (1363-1421). Gjergj Ballsha ndërton pallate të ndryshme dhe kisha. Në Kullën e Ballshajve ka jetuar dhe vepruar reformatori i Talmudit, i famshmi Sabatej Cevi, në kohën e sundimit Osman, i cili në vitin 1666 kalon në Islam dhe me emrin e tij Mehmet Efendija jeton deri në vdekje, me 1676.

Në vitin 1421 Kalaja kalon nën Venedikun dhe pa dyshim e humb rolin dhe vlerën të cilën e ka pasur më parë. Mbetet si një kështjellë e fortifikuar me bedena por pa rëndësi politike në këto vise.

Le të jetë ky një mesazh i këtij takimi si porosi, qe te vazhdohet ne këtë stil, qe te rritet dhe kultivohet kultura jone edhe ne zezonat verore. Le te mbeten edhe turistet te kënaqur dhe te pajisur edhe me një kujtesë kulturore artistike nga Ulqini ynë i mrekullueshëm .