Salaj: Me rastin e Ditëve te Filmit Shqiptar ne Ulqin

July 10, 2013   | Kulturë / Kultura

Ditet e Filmit Shqiptar ne UlqinNisme per nje festival rajonal

Nga: Ali Salaj

 

Në kuadër të veprimtarisë kulturore që Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”  zhvillon  më shumë se dy dekada, kohëve të fundit kjo  veprimtari u pasurua edhe me promovimin e artit kinematografik qoftë përmes revyjave apo përmes  ditëve të filmit shqiptar.

Këto evenimente “Art Club” i nisi me revynë e filmit artistik për të vazhduar me Ditët e filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar me synim që në një të ardhme të krijohet edhe  një festival me reputacion rajonal e mesdhetar.

Edhe pse sotë tek shqiptarët në rajon më shumë organizohen festivale të filmit sesa prodhohen filma, megjithatë spostimi i artit kinematografik në qendër të zhvillimeve kulturore e afirmon në mënyrë të shpejtë dhe efikase kulturën e një kombi pasi filmi me gjuhën e imazhit krijon magjinë e përjetshme që e veçon nga të gjitha artet tjera.

Ditët e filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar po organizohet  për herë të parë në Ulqin në një qytet bregdetar ku mungon kinemaja. Për këtë arsye këto filma do të ofrojnë një larmi të theksuar kulturore me identitetin kombëtar, i cili është më se i nevojshëm për publikun shqiptar  në Mal të Zi. Filmat që u shfaqen këto ditë sollen një kolazh ngjarjesh , temash dhe problemesh që janë të pranishme në shoqërinë tonë. Filmat e përzgjedhur janë krijime të viteve të fundit që kanë fituar çmime në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.Prandaj shfaqja e këtyre veprave kinematografike dhe prania e autorëve e bëri më interesante dhe më joshës këtë ngjarje kulturore. Përmes filmit publiku i Ulqinit përjetoi artistikisht ndjesinë e rolit që luan arti kinematografik  në thyerjen e kufijve dhe bashkimin e njerzëve. Kjo ndjesi ishte edhe më e veçantë në ambientin e perzgjedhur pranë kalasë mijëvjeçare ku gërshetohet e vjetra me të renë dhe i cili vend ishte vendxhirimi për vepra të ndryshme kinematografike në mesin e të cilëve edhe të filmave holivudian.