Hapja solemne e xhamisë së Klleznës

July 11, 2013   | Reportazh / Reportaža

hapja solemne e xhamisë së klleznësTë shtunën, më 6 korrik 2013, u bë hapja solemne e Xhamisë së rindërtuar të Klleznës, në Kllezën, komuna e Ulqinit. Ceremoninë e hapi dhe e udhëhoqi Ardita Rama, e cila përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë dhe këtë jo vetëm për katundin e Klleznës

 

Më 6 korrik 2013 u bë hapja solemne e Xhamisë së rindërtuar të Klleznës.

Të pranishëm në këtë solemnitet ishin sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Mal të Zi, z. Fehim Çetin, sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Lirim Ujkaj, kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat eff. Fejziq, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar – TIKA, z. Biroll Çetin, kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu, kryemami i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Ali eff. Bardhi, prifti i amullisë së Klleznës, don Simon Filipaj, përfaqësues të politikës, të pushtetit lokal, imamë, si dhe një numër i madh i banorëve vendas e të tjerë.
hapja solemne e xhamisë së klleznës.1

Të gjithë ishin mbledhur që së bashku të përjetojnë e festojnë gëzimin e përbashkët, inaugurimin e Xhamisë së re, e cila është rezultat i një angazhimi dhe pune të pashoq të jo vetëm vendasve, por edhe shumë të tjerëve, të cilët dinë të çmojnë rëndësinë e këtij tempulli të shenjtë. Iniciativën për rindërtimin e saj e ndërmori para disa muajve Këshilli i Xhamisë, pasi që objekti ishte i vjetër nuk i plotësonte kushtet e duhura. Ishin të shumtë ata të cilët kontribuuan në rindërtimin e saj. Përveç vendasve, të tjerëve dhe diasporës, ndihmë të madhe dha edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar – TIKA.
hapja solemne e xhamisë së klleznës.Tika

Programi ishte i gërshetuar me fjalime dhe ilahi e recitime nga Kori i Xhamisë së Klleznës. Fjalën e morën imami i Xhamisë Senad eff. Maku, kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Ali eff.Bardhi, kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar – TIKA, z. Biroll Çetin, sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Mal të Zi, z. Fehim Çetin, kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat eff. Fejziq dhe kryetari i Këshillit të Xhamisë së Klleznës, z. Samir Kurti. Në fund të programit u bë prerja e shiritit dhe zbulimi i pllakës në hyrje të Xhamisë, si dhe pjesëmarrësit vizituan Xhaminë e re.
hapja solemne e xhamisë së klleznës.2

Pas programit zyrtar, organizatorët për pjesëmarrësit kishin shtruar një koktej me gjellë tradicionale, të përgatitura nga vetë vendasit e Klleznës.

hapja solemne e xhamisë së klleznës.4

Pak fjalë për Klleznën

Kllezna është fshat i cili i takon Komunës së Ulqinit. Ka një pozitë karakteristike gjeografike: shtrihet në luginën e Klleznës, prej fshatit Pelink e kufizohet me liqenin e Shasit. Ajo në veri-jug të Anës së Malit shtrihet në mes maleve Mozhur – Zhgep dhe Malit të Brisë nga Ulqini. Me Anë të Malit kufizohet me Malin e Shasit, Malin e Kërpnetit dhe Malin e Pavarës. Përbëhet  prej dy tërësive: Kllezna e Sipërme (Kllezna naltë) dhe Kllezna e Poshtme (Kllezna poshtë), të cilat ndahen në mënyrë natyrore me sheun e Megjureçit.
hapja solemne e xhamisë së klleznës.3

Ky fshat në dokumentet arkivore dhe në histori ka tre emra: Kalezina, Kelezena dhe Kllezna. Po ashtu të moçmit pohojnë se dikur moti ky vendbanim i vogël, është quajtur Bria, e nga kjo ndërsa sot e kësaj dite përdoren emërtimet (toponimet) Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Mulliri i Brisë, Kroni i Brisë etj. Është e njohur edhe për monumentin unik të kulturës, Urën e Klleznës, e cila është dëshmi e një lashtësie shekullore. E ndërtuar në vitin 1696 nga një mjeshtër dibran, varri i të cilit ende gjendet në një arë afër xhamisë së Klleznës, kjo urë ka qenë e vetmja që ka lidhë Ulqinin me Klleznën, por edhe me Anën e Malit dhe me Krajën.

Kllezna është e banuar me shqiptarë autoktonë, të cilët janë të njohur për mikpritje, bujari, atdhetari, fisnikëri, besnikëri, ndershmëri dhe bashkëjetesë në harmoni të plotë fetare. Klleznorët e të tri konfesioneve njihen si besimtarë të devotshëm. Ajo që i ka karakterizuar ata gjithmonë është fakti se midis tyre gjithmonë ka mbretëruar toleranca fetare. Por, edhe Kllezna, sikur të gjithë fshatrat e tjerë të banuar me shqiptarë në Mal të Zi, lëngon nga një plagë e dhimbshme – emigrimi. Sot në Kllezën kanë mbetur rreth 80 familje. Shumë familje nga Kllezna janë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ka edhe në shtete të Evropës, ndërsa shumë të tjera kanë dalë e jetojnë në Ulqin. Megjithatë, asnjë nga ata nuk e harrojnë vendin e të parëve të tyre dhe kudo që të jetojnë e quajnë veten klleznorë.
kori i xhamis-kllezen

Sa i përket Xhamisë së Klleznës, të dhënat e shkruara thonë se është ndërtuar në vitin 1917 me kontributin e vetë besimtarëve, me sipërfaqe prej 84 m2. Mirëpo, ekzistojnë të dhëna, të cilat duhen të studiohen më thellë, që Xhamia e Klleznës është ndërtuar kur u ndërtua edhe Ura e Klleznës, pra në vitin 1696. Në oborrin e xhamisë janë varrezet e fshatit, disa prej të cilave janë me shekuj të vjetër. Xhamia është riparuar para vitit 1966, ndërsa në vitin 1984 u ndërtua plotësisht xhami e re, në themelet e xhamisë së rrënuar nga termeti i vitit 1979. Pas 29 vitesh, Xhamia e Klleznës u rindërtua përsëri dhe kjo datë 6 korrik 2013 do të hyjë në historinë e re të kësaj xhamie, si datë e rëndësishme jo vetëm për katundin e Klleznës, për banorët e saj, por për mbarë shoqërinë.  

ardita-rama

Në këtë xhami shërbyen shumë imamë, siç ishin Mulla Dan Klezna, Osman Spahiq, Said Bisha, Sadik Llolla, Selim Shaptafa, Rifat Tulaj, ndërsa nga 1 janari 2011 detyrën e imamit e ushtron Senad eff. Maku, i cili kontribuoi shumë jo vetëm në rindërtimin e Xhamisë, por edhe në ngjalljen e veprimtarive e aktiviteteve të shumta në kuadër të kësaj Xhamie. Një prej dëshmive të punës së tij është edhe formimi i Korit të Xhamisë në Ramazan të vitit të kaluar, i cili edhe u paraqit me disa ilahi e recitime para publikut të shumtë në hapjen e Xhamisë së re.

 

 

Ardita Rama