Durrësi braktiset nga pushuesit, shkaku i Ramazanit

Durrësi braktiset nga pushuesitPlazhi i Durrësit zbrazet nga pushuesit në pikun e sezonit turistik. Tetëdhjetë për qind e kosovarëve dhe turist nga Maqedonia janë larguar për të festuar muajin e Ramazanit në vendlindjen e tyre. Pronarë të hoteleve, resto-ranteve dhe të njësive tregtare përgjatë bregdetit pohojnë se po falimentojnë dhe se sezoni veror i këtij viti konsiderohet si më i keqi në 10 vitet e fundit. Ata shprehen se turizmi dështoi në muajin qershor për shkak të zgjedhjeve parlamentare.
Ndërkohë që tani, plazhi është boshatisur sërish nga pushuesit tradicionalë. Nisja e muajit të Ramazanit, i cili shoqërohet me agjë-rimin për 30 ditë, dhe një baze rregullash strikte e të forta për të gjithë besimtarët, ka larguar të gjithë pushuesit e mbërritur nga Kosova e Maqedonia. Mësohet se nga Agipi deri tek “Iliria”, çadrat dhe shezlongët janë mbyllur, ndërsa në lokale kanë mbetur vetëm kamarierët.

Në zonat më të mbipopulluara, konkretisht, “Iliria” dhe “Rrota e Kuqe”, subjektet punojnë me 20% të kapacitetit të tyre. Aktualisht, plazhi që numëron më shumë pushues është ai i Gjirit të Lalëzit, transmeton BW.

Zbrazja e bregdetit nuk ishte diçka që nuk pritej nga pronarët e banesave dhe hotelierët në zonën e plazhit të Durrësit, tek të cilët pushuesit shkojnë për të kaluar disa ditë pushimi. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur plazhi gjatë javëve para dhe pas Ramazanit ka pasur frekuentues jo të paktë, këtë zezon ai është shfrytëzuar fare pak. “Në qershor kishte fushatë elektorale e zgjedhje parlamentare, në korrik nisi Ramazani, ndaj jemi në kulmin e krizës së xhiros. Nuk mund të paguaj as qiranë e dyqanit.

Të pesë pjesëtarët e familjes rrimë pa punë fare”, thotë pronarja e një subjekti ushqimor. Ndërsa, pronari i një lokali tek “Rrota e Kuqe” shprehet se “gatuajmë për të tre vaktet ushqime tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë. Sivjet nuk ka punë fare. Nuk mund të paguajmë as pagat e kuzhinierit e të kamarierëve, shikojeni, asnjë person nuk ka në lokal për të ngrënë. Ikën sepse pushuesit janë me Ramazan”.

Lokalet me emra tipikë të Kosovës ose Maqedonisë, si “Prizreni”, “Gostivari”, “Gjilani”, “Prishtina” etj., janë bosh. Në të njëjtën situatë janë edhe hotelet e banesat private. “Nuk ka prenotime fare për muajin korrik, turizmin në Durrës e bëjnë kosovarët dhe shqiptaret nga Maqedonia.

Tani që ikën ata, hotelet janë për t’u mbyllur, ashtu si edhe banesat private”, thonë menaxherët e këtyre subjekteve, të cilët i gjen në rrugë, në përpjekje për të gjetur qoftë edhe një pushues për klientelë. Situata e krijuar ka pasuar me uljen drastike të çmimeve në restorante, hotele e banesa që jepen me qira. Ndërkohë, vihet re se plazhi i Durrësit është më i pastër, për shkak të uljes drastike të numrit të pushuesve.

ShqipMedia