Dr. Zhilbert Tafa krenaria e qytetit tonë

July 19, 2013   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Zhilbert TafaShkruan: Ilir Lleshi

Dr. Zhilbert Tafa është lindur në Ulqin, më 16.07.1974. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Ulqin, në gjuhën amëtare shqipe, ku disa vite u shpërblye si nxënësi më i dalluar në gjeneratën e vet.

Fakultetin Elektroteknik në degën e elektronikës e ka kryer në Podgoricë, po ashtu si një ndër studentët më të dalluar të gjeneratës.

Pas diplomimit punësohet në Telekom të Malit të Zi, por njëkohësisht angazhohet honorar edhe në vende tjera si: profesor në shkollën e mesme në Ulqin; ligjërues në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër; inxhinier në firmën Comtrade, në Prishtinë; ligjërues për OJQ ndërkombëtare dhe të vendit; konsultant në komisione dhe grupe punuese profesionale etj.
Zhilbert Tafa.1

Duke punuar vazhdon studimet postdiplomike në Fakultetin elektroteknik të Podgoricës ku magjistron me notën mesatare 10, në katedrën e Shkencave kompjuterike, me tezën “Kontribut zhvillimit të sistemeve sensorike wireless me akcent në aplikimet mjekësore”. Hulumtimi shkencor në kuadër të magjistraturës paraqet aplikimin e parë në Mal të Zi në pikëpamje të monitorimit të sinjaleve fiziologjike (ECG dhe PPG) në kohën reale, duke përdorur teknologjitë wireless. Po ashtu, asokohe (viti 2005), ky ishte edhe njëri ndër aplikimet e para në botë i realizuar në këtë mënyrë.

Duke qenë njëkohësisht i angazhuar në Telekom si drejtor teknik i qendrës telekomunikuese, Zhilbert Tafa regjistron studimet e doktoraturës në Fakultetin Elektroteknik në Beograd, në katedrën e Inxhinierisë kompjuterike dhe teorisës së informacionit, në vitin 2008, ndërsa titullin Doktor i Shkencave Elektroteknike e merr në vitin 2012, duke mbrojtur disertacionin “Algoritmet e reja për përmirësimin e probabilitetit të formimit të barrierave të forta sensorike duke përdorur nyjat mobile”.

Gjatë punës së deri tanishme akademike dr. Tafa publikoji një sërë punimesh shkencore nga lemi të ndryshme të shkencave kompjuterike dhe elektroteknike, kryesisht në konferenca dhe revista ndërkombëtare si në: SHBA, Angli, Gjermani, Francë, Turqi, Çeki, Greqi, Sërbi. Përveç kësaj, ai është koautor i dy librave të publikuara në SHBA. Ai ka publikuar një numër punimesh shkencore edhe në revista udhëheqëse botërore nga domeni i teknologjisë, revista këto që janë të ranguara me impakt faktorë nga Institute for Scientific Information – Thomson Reuters. Shumicën e artikujve i ka publikuar në gjuhën angleze.
Zhilbert Tafa.2
I pranuar dhe i njohur me punën e tij në botën shkencore, Dr. Zhilbert Tafa ishte edhe recensent për librin “Smart Healthcare Applications and Services” (të shtypur në SHBA) dhe si anëtarë i komisionit për pranimin e publikimeve për revista dhe konferenca prestigjioze botërore, siç janë: IEEE Communications Magazine, IEEE Mediterranean Conference on Embedded Computing dhe IEEE Wireless Communications and Networking Conference.

Dr. Zhilbert Tafa është sot bashkëpunëtor në projekte pranë Universitetit të Malit të Zi në Fakultetin Elektroteknik të Podgoricës dhe është anëtar i Grupit për Elektronikën Aplikative (APEG) pranë Fakultetit Elektroteknik në Podgoricë. Po ashtu është i angazhuar ligjërues në Universitet në Shkodër dhe në Tiranë. Është anëtar i Dhomës së Inxhinierëve të Malit të Zi dhe inxhinier i licencuar për projektimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve telekomunikuese dhe kompjuterike. Nga Qeveria e Malit të Zi, Dr. Tafa është i emëruar ekspert gjyqsor për lëmitë e teknologjive informatike-komunikuese.

Babai Avdo, nëna Sabahete e motrat, sot krenohen me djalin e vëllaun e vet Zhilbertin. Me Zhilbertin krenohemi edhe ne shokët e gjenerates. Me te kenohet edhe mbarë qyteti i Ulqinit, andaj me plot gojë themi: Dr. Zhilbert Tafa je krenaria e qytetit tonë!

Ilir Lleshi