Abazoviq: Danaj më kujtonë Sheshelin

July 22, 2013   | Rajoni / Region

dritanabazoviqDeputeti i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se ai nuk e merr serioze deklaratën e Koço Danajt, se Mali i Zi duhet të lëshojë pjesët lindore të territorit të saj, ku shumica e shqiptarëve jetojnë në atë zonë në mënyrë që ti takojnë “Shqipëria natyrale”.

“Sot kërkojmë bashkimin e të gjithë shqiptarëve, pa luftë,” kishte deklaruar Danaj.

Abazoviq deklaratën e Danajt më shumë e sheh si një përpjekje për marketing dhe promovim personal duke shtuar se mesazhe të tilla mund të kenë efekte negative te shqiptarët në rajon.

Siç raporton RTMZ, Abazoviq pajtohet se në deklaratën e Danajt mund të gjenden elemente që kujtojnë në paraqitjet e radikalit serb Vojisllav Sheshel.

“Nacionalizmat e këtij lloji asnjëherë nuk do të vdesin krejtësisht, pyetja është se sa do të margjinalizohen, se sa dikush i tejkalon veprimet e politikës së moderuar. Mund të tërhiqen disa paralelizma, por Shqipëria kurrë nuk ka patur qëllime ekspansioniste dhe nuk ka luftuar për territore që nuk ishin të saja “, përfundoi Abazoviq, transmeton Almakos.

Vojisllav Sheshel është akuzuar në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte ndaj kroatëve dhe boshnjakëve.

Ndërkohë, funksionari i Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj, tha që këtyre ideve nuk duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë, por që janë ide që forcohen për shkak të sjelljes së shteteve të regjionit ndaj Shqiptarëve dhe çështjes shqiptare.

Funksionari i PDS-së Nikoll Gegaj mendon që deklaratat e Danajt janë anakronike dhe të panatyrshme, duke shtuar që Mali i Zi ndërton marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e regjionit, shkruan po i njëjti burim.

Analisti Koço Danaj ditë më parë, për agjensionin gjerman DPA, kishte deklaruar se Mali i Zi duhet lëshuar pjesët ku jetojnë shqiptarët. Ai po ashtu theksoi se, po që se nuk bashkohen tokat shqiptare, do të ketë luftë të re në Ballkan./Almakos/