Mali i Zi hapi ambasadën në Prishtinë

July 30, 2013   | Rajoni / Region

Milaniq-HoxhajMali i Zi ka hapur ambasadën e vet në Kosovë. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur Radovan Milaniqin, i cili ka dorëzuar letrat e emërimit në pozitën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë.

“Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Republikës së Kosovës për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve me Malin e Zi në shumë fusha”, thuhet në një njoftim të MPJ-së.

Hoxhaj ka bërë të ditur se së shpejti edhe Kosova do të caktojë përfaqësuesin e saj diplomatik në Mal të Zi, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve fqinje, funksionalizimin e misioneve diplomatike në dy kryeqytetet.

Milaniq ka shprehur përkushtimin e tij që gjatë punës në Kosovë, do të jetë në shërbim të fuqizimit të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve të gjithanshme ndërmjet dy shteteve.

 

Koha Net