Mbrëmje letrare me Kim Mehmetin në Ulqin – Video

August 3, 2013   | Kulturë / Kultura

kim mehmetiShkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ishte i ftuar në manifestimin tradicional kulturor “Kalimera Poetike 2013”. Mehmeti para të pranishmëve u përgjigj në pyetjet e shumta që lidheshin me veprat e tij letrare, mirëpo në një atmosferë ku nuk mungonte interesimi i publikut ulqinak, bashkëbisedimi i tij u shtri edhe në fushën e publicistikës, me theks të veçantë tek situata e shqiptarëve të Maqedonisë dhe zhvillimet e përgjithshme politike në këtë shtet. Shkrimtari dhe publicisti Mehmeti u përgjigj edhe për rolin e politikës së Tiranës zyrtare në raport me “Shqipëritë e tjera”, siç i quajti ai të gjitha trevat tjera shqiptare.

Takimin në këtë mbrëmje e hapi Ali Salaj, i cili tha se “Kalimerën Poetike” është emblemë kulturore e Ulqinit. Salaj u shpreh se kjo veprimtari kulturore zuri fill e shtyrë nga kërshëria intelektuale për ta gjallëruar artin dhe letërsinë në një province bregdetare që është shumë anemike në aspektin kulturor.

I ftuar për të folur për krijimtarinë e Kim Mehmetit, ishte akademiku Ali Aliu. Ai theksoi se fshati metaforik që e hasim pothuajse në të gjitha veprat e shkrimtarit Mehmeti, është një ndërthurje e imagjinatës e cila shtihet në hapësirë dhe kohë duke trajtuar fatin kolektiv të shqiptarëve në përgjithësi. Sipas kritikut letrar Ali Aliu, Kim Mehmeti është mjeshtër i dëshmuar në tregimin e shkurtër, ndërsa romanet e autorit, theksoi Aliu, atë e rendisin në mesin e krijuesve më të mirë të prozës shqiptare.

Duke u përgjigjur pyetjeve që iu shtruan në këtë takim, Kim Mehmeti theksoi nevojën e kahershme që qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës të mbështesin projekte mbarëshqiptare kulturore dhe jo vetëm kulturore. Sipas tij, shumëçka në shoqëritë shqiptare ende funksionon sipas principit “çdo princ pronar i principatës së vet”.

“Ne kur flasim për politikanët e korruptuar në të vërtetë harrojmë apo nuk kemi guxim të përballemi me një të keqe më të madhe se kaq: në shoqëritë shqiptare korrupsioni i ka përfshirë të gjitha sferat. Sot, shiten diploma, blihen çmime – përfshirë dhe ato letrare, blihen ndere të ndryshme me lekë …. Sot, edhe pse ndokund stolisemi me shqiponjën, flasim për atdhetari dhe për besnikëri ndaj kombit, në të vërtetë besnik i mbetemi vetëm ngjyrës së euros”, tha Mehmeti, i cili gjithashtu shtoi se shqiptarët e Maqedonisë, nga viti 2001 e këtej nuk kanë probleme me maqedonasit, por me vetveten se si ta definojnë dhe realizojnë konceptin e tyre për Maqedoninë.

Të ftuar në “Kalimerën poetike 2013” janë edhe shkrimtari slloven Slavko Pregl dhe ai kosovar, Mehmet Kraja, të cilët do të mbajnë mbrëmje letrare me publikun në Ulqin.

Në 21 edicionet e “Kalimerës poetike”, e cila është ideuar nga poeti i ndjerë, Ali Podrimja, kanë parakaluar autorë të njohur, ndër të cilët, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Zija Cela, Qerim Ujkani, etj./Almakos