Përfundoi shpalosja e letërsisë në “Kalimera Poetike”

August 6, 2013   | Kulturë / Kultura

kalimera-poetike-ulqin
Kalimera poetike”, manifestimi tradicional që organizohet në kuadër të Festivalit “Skena Verore” në Ulqin, këtë vit ka bërë 21 edicione. Më 2, 3 dhe 4 gusht të këtij viti, mbajtur në Muzeun e Kalasë në Ulqin, ishin prezent mysafirë të ndryshëm duke e pasqyruar letërsinë shqiptare nga vende të ndryshme.

Kim Mehmeti nga Maqedonia, Mehmet Kraja nga Kosova dhe Slavko Pregl nga Sllovenia shpalosën letërsinë si rrjedhojë e këtij manifestimi, të cilëve iu kushtua mbrëmje autoriale. Në natën e dytë, shkrimtari slloven Slavko Prelg ka bërë bisedë interaktive në formë pyetje-përgjigje të drejtuara nga Nikollë Berishaj, që është edhe përkthyesi i autorit në gjuhën shqipe. Ndërkaq për romanin e vetëm të përkthyer “Gjenitë pa brekë” të Pregl, ka folur studiuesi Anton Gojçaj. Në veprat e tij, Pregl, paraqet jetën dhe aventurat e të rinjve, pa i zbukuruar ato, në mënyrë që të jenë më afër realitetit.
kalimera-poetike-ulqin-1

Ai ka treguar se është në mesin e shkrimtarëve më të lexuar në Slloveni. “Nuk jam shkrimtari më i lexuari në Slloveni, por në 5 vitet e fundit jam në mesin e 25 shkrimtarëve më të lexuar, që është nder i madh për mua”, ka thënë shkrimtari Slavko Pregl. Shkrimtari slloven që është fitues i disa çmimeve ka treguar se për t’i shkruar romanet e tij ai viziton nga afër të rinjtë dhe merr ide edhe nga ata. I pyetur se kur do ta shkruajë librin e tij të fundit, Slavko Pregl ka thënë se duhet pritur gjatë për këtë, derisa ka thënë se çdo libër e shkruan me përkushtim të madh dhe se çdo libër ka rëndësinë e vet. Letërsinë sllovene, sipas Pregl e vizitojnë shumë të rinjtë, që mesatarisht ai thotë se “një slloven merr mesatarisht në biblioteka publike 12 libra në vit”.

Ai ka treguar se në Slloveni ka 50 vite që ndahet çmimi “Dekorat e leximit”, i cili ndahet për nxënësit që e përfundojnë shkollën fillore, dhe ky çmim ka për qëllim t’i nxisë të rinjtë të lexojnë. “Ne nuk u themi të rinjve që duhet të lexojnë, por u ofrojmë të lexojnë, dhe jemi të bindur që tërë jetën do të mbesin lexues”, ka thënë Pregl.

Ndërsa për festivalin, Nikollë Berishaj, është shprehur se festivale të tilla në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar duhet të ketë edhe më shumë, ngase sipas tij, kjo është mënyra e ruajtjes së identitetit kulturor. “Me këtë festival dëshirojmë të tregojmë se edhe ne jetojmë dhe veprojmë për ruajtjen e identitetit tonë para së gjithash kulturor”, ka thënë Berishaj. Studiuesi dhe kritiku Anton Gojçaj, në recensionin e tij me titull “Koktej hormonesh dhe tundimesh rinore”, për romanin “Gjenitë pa brekë”, të Pregl, ka bërë një analizë të hollësishme për romanin duke analizuar në mes të tjerash personazhet, kohën dhe hapësirën. “Tipologjikisht, qoftë për kah tematika, qoftë për nga trajta e rrëfimit, “Gjenitë…” mund të klasifikohet si letërsi për të rinj, i nënzhanrit të romaneve me tematikë nga jeta e adoleshentëve”, thotë ai.

Prezent në natën e dytë, shkrimtari nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka thënë se edhe pse është ftuar si shkrimtar biseda ka marrë kahje politike, sipas tij, siç ndodh gjithmonë ku ai është i ftuar. “Unë e kam atë fat që çdo kund më ftojnë si shkrimtar, por pastaj biseda merr kahje politike ajo ndodhi edhe mbrëmë. Unë jam i gatshëm, sepse unë jam edhe njëra edhe tjetra për fat të mirë ose të keq. Gjithsesi ndjehem vetëm shkrimtar”, ka thënë Mehmeti, duke treguar edhe për rëndësinë që kanë organizimet e tilla.

“Këto organizime janë të mira, mua veçanërisht më gëzojnë kur bëhen në atë që e quaj unë unaza e kombit tonë, nëpër vendbanimet ku janë shqiptarët. Pse e quaj unazë është shumë e rëndësishme, sepse ajo e shpjegon edhe se cili është gishti që e mban atë dhe kujdesin ndaj qendrave kulturore që unë mendoj se janë të lëna pas dore”, ka thënë ai për “Zërin”. “Kalimera poetike” shërben si një takim në mes të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, krijuar nga Ali Podrimja. “Art club” vitin e kaluar ka propozuar që një shesh ose rrugë në Ulqin të marrë emrin e Ali Podrimjës.

Dafina Kabashi
Zëri