Ulqini i mirëpret investitorët nga Kosova

September 4, 2013   | Rajoni / Region

Cungu-HaradinajBashkëpunimi në mes Malit të Zi dhe Kosovës është me interes të dy vendeve, ndërsa shqiptarët e këtij vendi, do të jenë urë lidhëse që ky bashkëpunim të forcohet dhe vazhdohet edhe më tutje. Kështu ka deklaruar kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pas takimit që kishte me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, e i cili ka ftuar publikisht qytetarët e Kosovës që të investojnë në Komunën e Ulqinit.

Cungu, që njëherësh është e kryetar i partisë, Forca e Re Demokratike, të Malit të Zi, ka falënderuar edhe kandidatin për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahirin, për aktivitetet dhe seminaret, që sipas tij, i ka organizuar me qëllim ngritjen e bashkëpunimit rajonal për avancimin e qeverisjes lokale.

“Do të shfrytëzojmë rastin të ftojmë investitorët nga Kosova që të vijnë dhe të bëjmë investime dhe ta ndijën veten si në shtëpinë e vet. Unë gjithashtu e kam falënderuar edhe Besnik Tahirin për aktivitetet dhe seminaret që i ka organizuar lidhur me ngritjen e bashkëpunimit rajonal për avancimin e qeverisjes lokale, të cilat na kanë ndihmuar për eksperiencë”, ka pohuar ai.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka siguruar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të vazhdojë, pasi që sipas tij, do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të qytetarëve të dyja vendeve.

“Si Kosovë jemi të motivuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me Malin e Zi dhe që ky bashkëpunim të jetë i sinqertë, pasi që kanë interesa të ndërsjella dhe që nga ky bashkëpunim të jenë përfitues qytetarët e të dyja vendeve”, ka pohuar ai.

Sa i përket numrit të pushuesve në sezonin që sapo lamë pas, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, është shprehur i kënaqur, duke thënë se çdo vit pushuesit në këtë vend po rriten, pasi që edhe kushtet në infrastrukturë janë përmirësuar./Kosovapress/