“Art Club” boton monografinë “Shtodri në breg të Bunës” të autorit Fadil Sala
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Shtodri në breg të Bunës” të autorit Fadil Sala. Në parathënien e librit, autori thotë se ai ka lindur nga dëshira e tij për të lënë diçka të shkruar për vendlindjen. Autori është përpjekur që në bazë të shënimeve që ka pasur në dispozicion, rrëfimeve të brezit të kaluar si dhe kujtesës së brezit të sotëm, të pasqyrojë të kaluarën dhe të tashmen e këtij fshati, duke potencuar periudhat kohore që ishin vendimtare për fatin e tij.
Monografia përbën një përpjekje për të ndriçuar aspekte të ndryshme të Shtodrit, këtij fshati në Anë të Malit. Në 110 faqet e librit, autori flet ndër të tjera për pozitën gjeografike të Shtodrit, etimologjinë e fshatit Shtodër, Shtodrin e vjetër, ngjarjet e fundshekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, popullsinë dhe emigrimin, shkollën, xhaminë dhe varrezat e fshatit, lojërat popullore, punimet artizanale, toponimet e fshatit Shtodër, frazeologjitë që lidhen me lumin Buna etj. Një pjesë të rëndësishme të monografisë e zë fotoalbumi ku janë prezantuar fotografitë e kryefamiljarëve të çdo trungu familjar.
Redaktor i librit është dr. Nail Draga, recensent Asllan Bisha, lektor Skënder Temali, ndërsa redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është shtypur në shtypshkronjën “Rozafa 1” në Shkodër.
Fadil Sala ka punuar një kohë të gjatë, derisa është pensionuar, mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe i letërsisë në Shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Ky është libri i tij i parë.
Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.
Ulqin, më 09. 09. 2013 SHAI “Art Club”





