END SEASON FEST – 20 – 22 shtator 2013

September 10, 2013   | Turizmi / Turizam

marubiulcinjFestivali Marubi

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë

Dëshiroj t’u njoftoj që jemi në prag të mbajtjes së një manifestimi të rëndësishëm për qytetin tonë, i cili ka për qëllim pasurimin dhe diversifikimin e ofertës turistike me synimin që të zgjatet sezoni turistik.

END SEASON FEST – Marubi do të mbahet nga data 20 deri, më 22 shtator në disa lokacione. Bëhet fjalë për një koncept inovativ të manifestimit me të cilin promovojmë trashëgiminë tonë kulturore, traditën dhe veçantitë e tjera të këtij nënqielli.

END SEASON FEST i dedikohet të gjithë turistëve dhe qytetarëve të Komunës së Ulqinit pa marrë parasysh moshën e tyre, sepse në vetvete përshkon një vistër të aktiviteteve të përshtatur për të gjitha shijet.

Dita e parë e Festivalit është dita e promovimeve të vlerave tona tradicionale. Gjatë ditës së parë, më 20 shtator në Sheshin e robërve në Kala, do të mbahet Panairi i kuzhinës tradicionale dhe suvenireve në të cilin do të ekspozohen të gjitha gjellët tradicionale të cilat qytetin tonë e bëjnë destinacion të njohur në rajon. Suvenirët autentikë, pjesë e traditës tonë shekullore të artizanatit, do ta bëjnë këtë panair edhe më shumë tërheqës për vizitorët.

Po atë ditë, pas panairit, pason koncerti i muzikës klasike dhe asaj burimore gjatë të cilit vizitorët do të kenë rast të dëgjojnë tonet e muzikës klasike, burimore dhe asaj etno me motive nga Ulqini dhe rajoni.

Dita e dytë e END SEASON FEST – it është dita e rinisë! Dita e dytë mbahet me datën 21 shtator në plazhet kajt surfing DOLCINIUM dhe PACHA beach.

Për të rinjtë kemi organizuar përmbajtje për argëtim të mirë siç është muzika e DJ – me me renome nga Ulqini dhe rajoni, akrobacione kajt surf dhe shkollë, turne në volejboll etj.

Dita e tretë e Festivalit, gjithsesi është nata më interesante. Dita e legjendave do të mbahet, më 22 shtator në lokalitetin Valdanos, në fushën pas plazhit. Programi i ditës së legjendave përmban paraqitjen premierë të koreografisë për dy legjenda ulqinake – Kroni i Zanave dhe Legjenda e Floçkës, të punuara posaçërisht për natën e tretë të Festivalit. Kështu për të parën herë promovohet një pjesë shumë e pasur por e lënë pas dore e trashëgimisë tonë kulturore.

Festivali mbahet në kuadër të projektit MARUBI: model i bashkëpunimit me qëllim të promovimit të turizmit në mes Shkodrës dhe Ulqinit, të cilin e financon Bashkimi Europian. Partnerë të Projektit, krahas Komunës sonë janë Komuna e Shkodrës, Organizata turistike e Ulqinit, Muzeu i Ulqinit, Agjencia për zhvillim TEULEDA dhe Fototeka MARUBI nga Shkodra.

Do të shfrytëzoj rastin që shkurtimisht të përmendi aktivitete e realizuara deri tash në kuadër të këtij projekti:

–          Hapja permanente e ekspozitës Marubi në Kullën e Balshajve në Kala me më shumë se 70 fotografi,

–          Vendosja e sinjalistikës dhe rinovimi i muzeut të Ulqinit,

–          Rregullimi dhe pastrimi i 8 shtigjeve malore në Komunën e Ulqinit me qëllim të promovimit të autdoor turizmit,

–          Vendosja e sinjalistikës për 8 shtigjet malore në territorin e Komunës së Ulqinit.

Sot me mua janë firmat dhe shoqatat të cilat pas zbatimit të procedurave tenderike në pajtim me rregullat e BE, kanë fituar kontratat për organizimin e disa aktiviteteve në kuadër të END SEASON FEST – it.

Në fund, shfrytëzoj rastin që në mënyrë të veçantë t’i falënderohem donatorit Delegacionit të Bashkimit Europian në Mal të Zi për këtë projekt, kurse të gjithëve ju ftoj që të bashkoheni me ne në momentet e kremtimit gjatë festivalit.

Faleminderit.