Hajredin Kovaçi per Risand Magazine

September 17, 2013   | Kulturë / Kultura

Hajredin Kovaci1. Biografia

U lind në Draginë më 1960. Shkollën fillore e kreu në Anë të Malit, kurse atë të mesme në Ulqin. Në vitin 1979 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku si rezultat i trazirave të vitit 1981, arrestohet dhe dënohet politikisht me dy vjet burg.
Është një ndër themeluesit e subjektit të parë politik të shqiptarëve në Malin e Zi-Lidhjes Demokratike në Mal të Zi. Gjithashtu është një ndër themeluesit e SHAI ,,Art Klub” dhe kryetar i Fondacionit ,,Studenti”. Është anëtar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe kryetar i Komisionit për kulturë pranë këtij këshilli.
Merret me shkrime. Ka filluar të shkruajë shumë herët dhe ka botuar herë pas here në revistat e kohës duke filluar në ,,Fillimet”, ,,Zëri i rinisë”, ,,Bota e re”, ,,Fati”, e më vonë edhe në revistën ,,Lemba”, ,,Alternativa”, ,,Koha Javore” etj.
Është poet, publicist dhe merret edhe me aktivitete kulturore. Deri tani ka botuar tre libra me poezi; ,,Ecje pa mbarim”, ,,Fundi është larg” dhe ,,Vrasja e frikës”. Ka marrë pjesë në shumë evenimente kulturore, si brenda dhe jasht shtetit, si në: ,,Kalimera poetike”, ,,Poeteka”, ,,Ditët e poezisë shqipe – Shas”, në orën e madhe letrare ,,Ora e maleve” në Rozhajë, në ,,Festivalin Letrar të Shkodrës” në Bibliotekën ,,Marin Barleti” Shkodër, në ,,Takimet e Dom Mikelit XXIII” në Stubëll të Epërme- Kosovë etj. Merret edhe me përkthime nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Prej gjuhëve të huaja flet ghuhën malazeze, serbe, kroate dhe ruse. Jeton në Draginë-Ulqin. Është i martuar me Suzanën dhe kanë tre fëmijë: Valonin, Jetlirin dhe Elirën(të tre studentë).

2. Cili është motivi që zë më shumë vend në letrat tuaja ?

Hajredin Kovaci-1Poezia ime ka një shtrirje në tërë hapësirën shqiptare dhe kjo më bën të ndihem mirë kur kritika letrare e quan etnopoezi. Unë kam qenë i lidhur shumë emocionalisht me Kosovën, kam shëtitur pothuajse të gjitha trojet shqiptare dhe doemos kjo ka ndikuar që në poezinë time të gërshetohen motive të ndryshme. Në shumë poezi shihet qartë mllefi i papërmbajtur dhe një mëri e pakufishme ndaj ngjarjeve të ndryshme, ndaj atyre që krijuan situate trishtuese me ankth e pasiguri, ndaj fenomeneve dhe një filozofie të stërvjetëruar, ndaj individëve…etj. Pra, është motivi patriotik që prinë, pastaj reagimi me tone satirike që gati kalon në sarkazmë, motivi filozofik i të shprehurit në vargje, për detin dhe detarët ulqinakë, për Kalanë e vjetër, për ullirin si simbol të Ulqinit, për Liqenin dhe qytetin e vdekur të Shasit, për Tivarin si varrezën më të madhe për shqiptarët, për Bunën që s’ka argjinaturë që e ndalë, etj.

3. Si shihet ndikimi politik mbi letrat ulqinake?
Në përgjithësi nuk mund të them se ka shumë poetë apo shkrimtarë që janë ndikuar nga politika, por veten do ta konsideroja gjithësesi të tillë, sepse politika ka ndikuar në letrat e mia qysh si nxënës në Ulqin, si student në Prishtinë, gjatë vuajtjes së burgut (dy vjet) dhe sot e kësaj dite, ku shoh rrënimin e veprave të ndërtuara, degradimin e vlerave të arritura, dhe asimilimin e vazhdueshëm që çon drejt një zhdukjeje të heshtur.

4. Promovimi i kulturës shqiptare në Malin e Zi është parë ndonjëherë nga pushteti si provokim ?
Ka edhe raste të tilla që është parë si provokim, vazhdimisht është lënë anash nga ana e shtetit dhe një kohë shumë të gjatë ka qenë shumë vështirë të jesh krijues shqiptar në Malin e Zi. Në përgjithësi shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, se ata nuk dinë të bëjnë kulturë, pra nuk dinë të bëjnë letërsi. Bile, mendoj se edhe sot kultura shqiptare në Malin e Zi, mbijeton në margjinat e jetës kulturore në Malin e Zi, nën hijen e plotë të krijimtarisë në gjuhën malazeze. Ajo, në përgjithësi, nuk ndihmohej dhe nuk ndihmohet nga institucionet përkatëse të shtetit të Mali të Zi.

5. Secila degë e artit ka edhe gjethet e veta, ka ndonjë gjeth që u vret syrin ?

Për një a dy gjethe, nuk thahet dega. Një gjethe që ma vret mua syrin, kënaq një sy tjetër, ky është arti.

6. Si e shihni letërsinë postmoderne, si materializëm apo standard letrar ?
Ka kohë që kanë humbur standardet letrare, prandaj edhe letërsinë postmoderne e shoh si materializëm. Sot shkruan gjithkush, kopjohet me të madhe, vlerësohen antivlerat, lobohet për marrjen e çmimeve të ndryshme letrare, etj. Po, çfarë është letërsia postmoderne, kush e ka përkufizuar këtë ?
7. Ku e shihni dallimin midis letërsisë së vjetër dhe asaj të sotme ?

Dallimi në mes letërsisë së vjetër dhe të sotmes është i madh edhe për faktin se janë shkruar në periudha të ndryshme kohore. Letërsia e vjetër, për mendimin tim është më e lexueshme, më e kuptueshme, më inspiruese, më e kapshme, më rimore, pra më shpirtërore. Ndërkaq, letërsia e sotme është më filozofike, më abstrakte, më reaguese, nganjëherë më kote, pa kritere, por gjithësesi ka përjashtime. Keni parë Ju ndonjë aktor të njohur shqiptar të recitojë vargje prej pjesëve të letërsisë së sotme, përveç, Naimit, Fishtës, Migjenit, etj, etj.?

8. Cili është poeti symbol i letërsisë shqipe (mendimi i lirë nga ana juaj) ?

Ka shumë poetë të mirë letërsia shqiptare dhe është vështirë të përcaktohesh për njërin. por unë do jem i lirë dhe do të veçoja poetin e madh, Ali Podrimja.
9. Jashtë poetikës, cila rrymë e artit bënë dritë në botën tuaj ?
Hajredin Kovaci-2
Më pëlqen poezia, ta lexoj dhe ta shkruaj sepse mendoj se me poezi mund të ndryshohen gjërat dhe është forma më e moderuar për të ndryshuar përditshmërinë që bezdis, njerëzit që nuk janë vetvetja, situatat tragjike dhe botën në përgjithësi ,sepse jo gjithmonë gjërat ndryshohen me dhunë e kërcënime, por me kulturë e art të mirëfilltë, pra me poezi, sepse poezia është filozofi, është protestë, por mbi të gjiha është dashuri. Jashtë poetikës, më pëlqen shumë edhe piktura sepse një pikturë ka brenda një poezi me njëmijë fjalë. Po, pa muzikë, a jetohet ?
10. Në letrat e tuaja, në cilën vete ngjyroset personazhi, të parën, të dytën apo të tretën?

Në poezitë e mia, personazhi herë flet në vetën e parë njëjës herë në vetën e parë shumës, por ndonjëherë edhe në vetën e tretë. Në shumë poezi jam unë personazhi që herë flas në emrin tim e herë në emër të kombit që i takoj. Kjo do të thotë se fati i autorit është i lidhur ngushtë me fatin e kombit shqiptar kudo që ndodhet.
11. Momenti më i rëndësishëm në jetën tënde ?

Unë në jetën time pata shumë momente të bukura, të gëzuara, por jo rrallë edhe çaste të hidhura, të rënda, të vështira. Por, moment i rëndësishëm i jetës time ishte dalja nga burgu pa ndryshuar pikëparjet e mia filozofike, patriotike, bile dola më i kompletuar, më i vendosur për realizimin e të drejtave dhe lirive të kombit tim (Për dy vjet në burg, lexova shumë edhe ,,libra të ndaluar”, por edhe shkrova shumë poezi të cilat mi morën në ditën e daljes nga burgu, mbi 60 poezi që kush e di se ku kanë përfunduar. Ah, sa do të dëshiroja të mund t’i shkruaja prapë!!).
12. Keni provuar ndonjëherë të lozni me psikologjinë e lexuesit ?

Jo, nuk mendoj se është mirë të luash me psikologjinë e lexuesit. Lexuesin duhet ta lëmë të lirë, ta lexojë poezinë, të gjejë fshehtësinë e vargut, ta kuptojë ose jo mesazhin dhe mbi të gjitha , të jetë i lirë ta kuptojë si të dojë.
13. Ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë kritikë ndaj shkrimeve tuaja të jetë krejtësisht e gabuar (kur ju flisni për malet, ata të kritikojnë fushën) ?

Në fakt, mua më pëlqen kur më kritikojnë, por deri tani në përgjithësi kritika ndaj shkrimeve të mia ka qenë pozitive, bile disa e vlerësojnë poezinë time si diçka të re në letërsinë shqiptare, sidomos në Malin e Zi dhe e quajnë ,,poezi e reagimit”,, shqetësime identitare”etj. Ka ndodhur që një poezi që e pëlqen njëri poet, s’e vlerëson tjetri dhe kështu më radhë dhe kjo më pëlqen sepse del se të gjitha poezitë qenkan të mira. Më pëlqen kur më pyesin:,,Çka ke dashtë me thanë me këtë?”Dhe kur unë mundohem t’ua shpjegoj, më thonë:,,Auuu, tash na ke tretë n’thekën ti”!
Krijuesit shqiptarë në Malin e Zi, duhet të promovohen edhe në hapësirat tjera shqiptare në mënyrë që kritikët të merren edhe me këtë pjesë të krijimtarisë që është pjesë përbërëse e letërsisë mbarëkombëtare. Jemi shumë afër, por shumë pak e njohim njëri tjetrin !.

Risand Magazine