Vriten në Pejë Xhekë Kelmendi dhe Kastriot Kukaj

October 14, 2013   | Ngjarjet - Events

RIP Xheke Kelmendi & RIP TOTI KUKARexhep Isuf Kelmendi dhe Kastriot Kukaj janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri mbrëmë, rreth orës 20:00, në afërsi të Pallatit të Kulturës në Pejë, më saktësisht në rrugën “Uesli Klark”, që shpie për në spitalin Rajonal të Pejës. Xhekë Kelmendi dhe Kastriot Kukaj kanë qenë duke pirë kafe në një lokal kur mbi ta është shtie me kallashnikov nga një veturë në lëvizje. Motivi i këtij krimi dyshohet të jetë për hakmarrje, kurse kryesit e kësaj vepre nuk dihen. Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, Xhevat Ibraj, e ka konfirmuar vrasjen. Ai ka thënë se Rexhep (i njohur me emrin Xhekë) Kelmendi, nga Peja, nga plagët e marra, ka mbetur i vdekur në vend, kurse personi tjetër që i takon familjes Kukaj, Kastriot Kukaj, i njohur si Toti, është plagosur rëndë dhe urgjentisht është dërguar për në QKUK të Prishtinës, ku ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Rexhep (Xhekë) Kelmendi është kushëri i afërt i Naser Kelmendit, i cili ndodhet në paraburgim në Prishtinë. Drejtori i Spitalit Rajonal në Pejë, Skënder Dreshaj, ka thënë se në Emergjencën e qytetit mbrëmë e kanë sjellë një person pa shenja jete dhe mjekët e kanë konstatuar vdekjen e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në gjendje shumë të rëndë për Prishtinë, në QKUK.

Zëdhënësi i policisë, rreshteri Xhevat Ibraj, ka thënë se policia po e heton rastin dhe është në kërkim të kryesit apo kryesve të kësaj vepre dhe se në vendin “Maja e zezë” është gjetur një makinë e djegur, për të cilën dyshohet të ketë qenë e përdorur në këtë akt të krimit.

Gazeta “Kosova Sot”