Komuna e Strugës do të binjakëzohet me Ulqinin
Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka pritur në një takim deputetin shqiptar nga Mali i Zi, njëkohësisht edhe nënkryetar i partisë Forca e Re Demokratike, Genc Nimanbegu. Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e ngrohtë, ku u diskutua për shumë çështje, kryesisht për situatën aktuale politike në vend, si dhe për një bashkëpunim ndërshqiptar në të gjitha sferat e jetës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kulturës dhe zhvillimit të turizmit, për eksperiencën që ka komuna e Ulqinit në këtë fushë dhe për mundësinë që në të ardhmen të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy komunave, kryesisht këmbim i eksperiencave. Përndryshe kryetari i partisë së Nimanbegut, FRD, është edhe kryetar i komunës së Ulqinit, kështuqë u shqyrtua mundësia për thellimin e bashkëpunimit deri në binjakëzim të dy komunave. Nimanbegu falenderoi, kryetarin e komunës së Strugës për mikpritjen dhe bisedën e këndshme, si dhe e përgëzoi atë për punën që e bën në drejtimin me komunën e Strugës.
Në takim, Nimanbegu ashtu si edhe Sela, konkluduan se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi, nuk është në nivelin e duhur dhe të dy ishin të mendimit se duhet angazhim maksimal të të gjthë faktorëve politik dhe institucional vendorë, sensibilizim të faktorit ndërkombëtar dhe sidomos një përkushtim i dy shteteve shqiptare në rajon, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fund të takimit Sela premtoi se në një të ardhme të afërt do të vizitojë komunën e Ulqinit ku edhe do të zhvillojë takim me kryetarin e kësaj komune.
/A-H/Shqipmedia/