Pesticide të larta, Mali i Zi bllokon perimet shqiptare

November 1, 2013   | Rajoni / Region

perimet nga shqiperiaBlerina Hoxha

Siguria ushqimore në vend merr përmasa shqetësuese vetëm kur fqinjët tanë me të cilët bën tregti Shqipëria, bllokojnë prodhimet shqiptare si të rrezikshme për shëndetin. Alarmi se frutat dhe perimet vendase dynden me pesticide pasi nuk i kontrollon dhe ndalon askush, ka rënë prej kohësh në vesh të shurdhër, por dje këmbanat ranë sërish, pasi Mali i Zi bllokoi disa maune me kastravecë shqiptarë me destinacion tregun malazez.

Bllokimi

Shkak për këtë bllokim është bërë fakti se në një kilogram kastravec është gjetur një materie aktive e quajtur spiroxamine, me një sasi prej 0,094 mg për kg, që e kalon normën e përcaktuar nga legjislacioni i BE-së. Për këtë shkak janë bllokuar edhe perime të tjera që ishin nisur për në Malin e Zi. Pak kohë më parë autoritetet shqiptare ndaluan importin e qumështit nga Shqipëria për përmbajtje të lartë aflatoksine. Por menjëherë ka reaguar Ministria shqiptare Bujqësisë. Deklarata ka qenë e njëjtë si edhe në rastet e tjera, se nuk ka vend për panik dhe se konsumi i tyre nuk përbën rrezik për shëndetin. Ministria e Bujqësisë ka nisur një grup inspektimi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për të marrë mostra të këtij produkti dhe për të bërë analizat e nevojshme pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Ministria shqiptare e Bujqësisë thekson se ka komunikuar zyrtarisht me homologët e saj në Malin e Zi dhe se pala malazeze ka deklaruar se lidhur me problemin nuk ka vend për panik. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, rasti është në nivele të ulëta krahasuar me vendet e tjera. “Nga komunikimet tona zyrtare me Malin e Zi, autoritetet malazeze u shprehën se nuk ka vend për panik dhe sensacion, pasi rasti i konstatuar me kastravecët shqiptarë është në nivele më të ulëta të spiroksaminës sesa tek i njëjti produkt i ardhur nga vendet e tjera. Ky është një rast i kufizuar për Shqipërinë (dhe i pari) dhe në sasi të vogël”, – bënë të ditur burimet pranë ministrisë. “Njëkohësisht, grupi i inspektorëve do të verifikojë pranë të gjitha farmacive bujqësore praninë ose jo të fungicidit spiroksaminë dhe mënyrën e përdorimit të tij. Pasi të përfundojnë analizat nga institucionet shqiptare, rezultati do t’i bëhet i ditur publikut. Njoftojmë gjithashtu se gjithë produkti i kastravecëve dhe perimeve të freskëta në tregun vendas do t’i nënshtrohet analizave të imtësishme për praninë e këtij fungicidi”, thotë ministria.

Efektet dhe mbrojtja

Fëmijët në moshë të vogël mund të janë mjaft të ekspozuar ndaj pesticideve që ndodhen tek frutat apo perimet. Këto substanca mund të rrisin në mënyrë sinjifikative rrezikun që tek këta fëmijë të zhvillohet sëmundja e kancerit në vitet në vazhdim. Këto të dhëna bëhen publike nga kërkuesit e universitetit të Kalifornisë, të cilët kanë kryer një studim tek 364 fëmijë, 207 prej të cilëve nën 5 vjeç. “Jemi përqendruar tek fëmijët,- thonë studiuesit,- sepse një ekspozim i hershëm ndaj këtyre pesticideve mund të ketë efekte për një kohë të gjatë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje”. Studimi ka nxjerrë në pah se ekspozimi ndaj pesticideve, prania e të cilave është e ndjeshme tek frutat apo perimet, rrit rrezikun e prekjes nga kanceri. Studimi është botuar në revistën mjekësore “Environmental Health”. Ata rekomandojnë se pastrimi me ujë mund të heqë mbetjet e pesticideve në sipërfaqet e frutave dhe perimeve, por kur pesticidet kanë depërtuar brenda, duhet qëruar lëkura e tyre. Kështu, heqja e lëkurës së patateve mund të largojë mbi 70 % të mbetjeve të pesticideve. Pra, tri mënyrat kryesore për heqjen e gjurmëve të pesticideve në fruta dhe perime janë pastrimi me ujë, heqja e lëkurës ose e pjesës së jashtme të tyre dhe kalimi në ujë të valuar. Nëse ende jeni të shqetësuar, mund të bëni zgjedhje të larmishme të frutave e perimeve, sepse për fruta dhe perime të ndryshme përdoren pesticide të ndryshme. Kështu, nëse zgjedhim larmi frutash dhe perimesh, mund të pakësojmë sasinë e përdorimit të pesticideve të ndryshme, të cilat jo të gjitha janë të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Burimi: MAPO