Mali i Zi fokusohet në korrupsionin e kujdesit shëndetësor
Qeveria e Malit të Zi do të futë një plan veprimi deri nga fundi i vitit, që është përcaktuar të reduktojë korrupsionin në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Plani do të përfshijë monitorimin e të gjitha tenderave dhe kërkesave publike për ilaçe, medikamente dhe pajisje të tjera. Institucionet shëndetësore duhet të ofrojnë informacion në ministrinë e shëndetësisë lidhur me tenderat që kanë.
Në kuadrin e planit, ministria e shëndetësisë ka formuar një komision për të mbikqyrur kontrollin cilësor në institucionet e kujdesit shëndetësor.
Sipas raportit të përparimit të BE të 16 tetorit, Mali i Zi “duhet të zhvillojë një bazë të dhënash të regjistruara lidhur me korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.”
Gjatë tre viteve të kaluara, zyra e prokurorisë në Podgoricë ngriti akuza penale kundër shtatë njerëzve në sektorin e shëndetësisë për korrupsion dhe marrje mite. Gjykata e Lartë e Malit të Zi ka dënuar një person dhe gjashtë rastet e tjera janë në proces.
Dy radiologë nga Klinika Qendrore e Malit të Zi u arrestuan në 2011 për marrjen e rushfeteve me vlerë 500 euro nga pacientët. Gjykata lokale në Podgoricë dënoi secilin prej tyre me 14 muaj burg, por Gjykata e Lartë e ktheu vendimin në 2012 dhe i liroi ata nga burgu.
Studimi i kryer nga Qendra për Monitorimin dhe Kërkimin, një OJQ me bazë në Podgoricë, tregon se 43 përqind e shtetasve të Malit të Zi besojnë ende se duhet të ofrojnë rushfet për peronelin shëndetësor për t’u kujdesur.
“Rushfetet u jepen më së shumti kirurgëve, gjinekologëve, mjekëve dhe inferemjerëve,” thoshte raporti botuar muajin e kaluar.
Më shumë se një e treta e të përgjigjurve, 37 përqind, thanë se mjekët e tyre i shikojnë ata në klinikat private, ku ata duhet të paguajnë për një ekzaminim që mund ta kishin gratis në një klinikë kombëtare.
Stevo Vukureviç, 40 vjeç, nga Podgorica, tha se ai u ka dhënë “peshqeshe” mjekëve disa herë.
“Unë nuk mendoj se është rushfet kur i jep doktorit ca çokollata apo një shishe likeri. Megjithatë, di njerëz që mjekët u kërkuan para dhe nuk i operonin ata deri sa t’u jepej një zarf me para. Kur një njeri është i sëmurë, ai i pranon të gjitha,” i tha Vukureviç SETimes.
Mali i Zi ndan çdo vit 170 milion euro për kujdesin shëndetësor, që është vetëm 250 euro për banor, Kroacia ndan 750 euro për çdo banor çdo vit, ndërsa shifra për shtetasit në Serbi është 500 euro dhe 400 euro në Bosnje dhe Hercegovinë.
Nevenka Lukovac Janjic, një mjeke në Klinikën Qendrore të Malit të Zi, spitali më i madh në vend, tha se sistemi shëndetësor malazes nuk është imun ndaj korrupsionit.
“Unë kam punuar si mjeke për nëntë vjet dhe nuk më kanë ofruar kurrë para për shërbimet shëndetësore. Megjithatë, kam dëgjuar shumë herë që njerëzit u japin para mjekëve. Arsyeja për korruspion mund të ishte pagat e vogla. Një mjek specialist në Malin e Zi ka një pagë prej 600 euro në muaj, që është më poshtë se çdo mesatare. Njerëzit trëmben më shumë për shëndetin e tyre, kur janë të sëmurë nuk çajnë kokë për paratë. Për fat të keq, disa njerëz përfitojnë nga kjo,” i tha Likovac Janjiç SETimes.
Në 2008, ministria e shëndetësisë e Malit të Zi futi një linjë të drejtpërdrejtë telefonike që shtetasit mund të telefoninin anonimisht për të raportuar korrupsion.
Sipas ministrisë, 35 raporte janë regjistruar nëpërmjet linjës që nga 2011. Informacionet shpunë në atë që një doktor u dënua me tre muaj burg për mitëmarrje.
“Me gjithë me synimin tonë të shprehur për hapje komplete dhe bashkëpunim në qartësimin e kësaj çështjeje, një numër shumë i vogël shtetasish raportuan dyshime të akteve të korrupsionit në ministri,” i tha SETimesministri i shëndetësisë Miodrag Radunoviç.
Në Malin e Zi, mposhtja e korrupsionit në kujdesin shëndetësor “kërkon masa për të rivendosur besimin e humbur të popullit në institucionet e kujdesit shëndetësor. Këto masa përfshijnë kontroll më të madh, zhvillim të sektorit privat, reformë të sistemit të pagesave dhe përfshirjen e shtetasve në marrjen e vendimeve të rëndësishme,” i tha Mina Brajoviç, e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Malin e ZiSETimes.
Çfarë hapash mund të marrë Mali i Zi për t’i dhënë fund korrupsionit në kujdesin shëndetësor? Na thoni se ç’mendoni në komentet.
Burimi: SETimes.com





