Intervistë me Genci Nimanbegun, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi

November 15, 2013   | Intervista / Intervju

Genci NimanbeguKoha javore: Z. Nimanbegu, si e vlerësoni punën e deritashme të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi?

G. Nimanbegu: Përbërja e parë e KNSHsë sigurisht që ka pasur vështirësitë e veta; nga zhvillimi i kompetencave, ngritja e pozicionit të vet, por edhe realizimi i funksioneve të veta sipas statutit dhe Ligjit mbi të drejtat e pakicave. Nga vetë anëtarët e KNSH-së kam shumë sugjerime se cilat ishin mangësitë e Këshillit në të kaluarën. Gjithsesi besoj se KNSH dhe z. Tahiri kanë dhënë kontributin e vet, i cili duhet të vlerësohet pozitivisht, me një vërejtje: se më shumë kanë realizuar projekte kulturore dhe më pak aktivitete të mirëfillta politike. Këtu sigurisht që ka rol edhe vetë skena politike e shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe shumica e arritur në KNSH-në e kaluar. Përfundimisht, KNSH-ja ishte një foshnje e cila lindi, filloi të ecë, të flasë dhe tani duhet të fillojë të punojë më konkretisht në çdo aspekt.

Koha javore: Në çfarë do të përqendrohet puna e KNSH-së gjatë mandatit Tuaj?

G. Nimanbegu: Plani im është që të fokusohemi në aktivitete politike ndaj Qeverisë së Malit të Zi dhe ministrisë përkatëse në veçanti. Gjithashtu planifikoj të aktivizojmë shumë intelektualë shqiptarë në komisionet e KNSH-së sepse me kontributin e secilit, besoj që KNSH si organ që sublimon qëndrimet e shqiptarëve në Mal të Zi, do të ndërmarrë iniciativa me interes të përgjithshëm kombëtar, përafrojë qëndrimet politike të subjekteve nacionale. Puna dhe aktiviteti me sektorin joqeveritar por edhe me diasporë, besoj që është i mirëpritur nga këto segmente të shoqërisë.

Koha javore: Ju keni ardhur në krye të KNSH-së nga politika. Si dhe sa do të ketë kjo ndikim në punën e KNSH-së si organizëm mbipartiak dhe përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi?

G. Nimanbegu: Unë besoj që pozita e kryetarit të KNSH-së është dhe duhet të jetë politikë. Në të njëjtën mënyrë edhe i gjithë Këshilli. Folklore, kremtime, aktivitete kulturore duhen realizuar vetëm me rastet e kremtimeve të festave kombëtare, kurse shumica e aktiviteteve duhet të orientohen në funksion të zhvillimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.

Koha javore: Sa jeni të kënaqur me kompetencat e këshillave nacionale në bazë të zgjidhjeve ligjore ekzistuese?

G. Nimanbegu: Nuk jam ideator i Ligjit, i cili mundëson krijimin e Këshillit. Por më parë duhet zhvilluar kompetencat që lejon ligji. Dhe më lejoni që në këtë pyetje të përgjigjet vetë kjo përbërje e KNSH-së pas një viti apo edhe më pak, kur vetë anëtarët e KNSH-së të shohin se çka është mirë e çka duhet ndryshuar në ligj. Një nga vërejtjet politike është lejimi i funksionimit të Këshillit Nacional të Serbëve në Mal të Zi. Për mua kjo është një dobësi e ligjit që duhet ndryshuar urgjentisht.

Koha javore: KNSH është ankuar shpesh se mendimet dhe rekomandimet e tij, edhe pse të bazuara në ligj, nuk janë marrë parasysh nga pushteti. Si do të veproni me qëllim të jetësimit të të drejtave të këshillave nacionale (KNSH), të parashikuara me ligj?

G. Nimanbegu: Disa nga kompetencat e Këshillit, posaçërisht dhënia e mendimit për drejtorë të shkollave, ishte vetëm për sy dhe faqe. Ministri nuk i respektonte. Mendoj që me këtë dëshmohet se politizimi në arsim është element që lidhet me partitë malaziase në pushtet dhe që është në dëm të cilësisë së procesit arsimor edhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

Koha javore: Në diskutim publik është Projektligji për zgjedhjen, përdorimin dhe ekspozimin publik të simboleve nacionale? Cili është qëndrimi i KNSHsë rreth tij?

G. Nimanbegu: Së pari, vërehet që ky Projektligj është më i mirë se ligji aktual. Besoj se në ligj duhet mundësuar që në komunat Ulqin, Tivar, Tuz – Podgoricë, Plavë dhe Rozhajë të lejohet përdorimi i simboleve kombëtare edhe në institucionet shtetërore, por shqyrtimi publik duhet të përfundojë më 13 nëntor dhe besoj se do të ketë sugjerime të tjera që do ta liberalizojnë maksimalisht përdorimin e simboleve kombëtare.

Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore