Propozimi i Vendimit mbi shkurtimin e mandateve të këshilltarëve të Kuvendit të komunës së Ulqinit

November 15, 2013   | Anketë / Anketa

kuvendi i ulqinitUlqin – Pas më shumë se katër muajsh, këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit do të mblidhen sërish për t’u përpjekur të zgjidhin krizën politike të qeverisjes vendore në këtë komunë. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Milazim Mustafa, ka thirrur më 12 nëntor dy seanca të Kuvendit të Komunës së Ulqinit: seanca e parë e rregullt në orën 11, kurse seanca e dytë e jashtëzakonshme në orën 13. Edhe pse në rendin e ditës së seancës së rregullt janë plot 23 pika, të miratuara në seancën e 5 korrikut, ajo pritet të mos mbahet pasi që kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, i ka tërhequr të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe Raportin e punës së tij, i cili është bërë shkas për krizën e funksionimit të koalicionit qeverisës në Komunën e Ulqinit.

 

Forca e Re Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, kurse nga PDS-ja kanë bërë të ditur se nuk do të krijojnë shumicën e nevojshme për mbajtjen e Kuvendit. Ndërkaq në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, në rend dite do të jenë Propozimi i Vendimit mbi shqyrtimin e numrit të këshilltarëve në Kuvendin e komunës së Ulqinit dhe Propozimi i Vendimit mbi shkurtimin e mandateve të këshilltarëve të Kuvendit të komunës së Ulqinit. Seanca e jashtëzakonshme është thirrur me iniciativën e PDS-së, të cilën e kanë përkrahur 21 këshilltarë të pozitës dhe opozitës. Ajo pritet t’i japë fund krizës politike në komunën e Ulqinit dhe t’i hapë rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme lokale.

(Kohapress)