Pushohen nga puna njëzet punëtorë në kriporen e Ulqinit

November 15, 2013   | Anketë / Anketa

Radnici-ulcinjske-SolaneUlqin – Njëzet punëtorë të Kripores “Bajo Sekuliq” në Ulqin, 19 prej të cilëve shqiptarë, janë pushuar nga puna nga administrata e falimentimit në këtë ndërmarrje. Administratori i falimentimit Ognjen Jovoviq ka thënë se të 66 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të pushohen nga puna, por me 46 prej tyre do të lidhen kontrata të reja pune të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti, kurse njëzet punëtorët e tjerë të pushuar nga puna do të angazhohen me prioritet në rast nevoje. Punëtorët e pushuar nga puna kanë protestuar të hënën para portës në hyrje të Kripores. Kryetari i Sindikatës së Kripores, Marko Miranoviq, ka thënë se askush nga punëtorët e pushuar nga puna nuk do t’i marrë vendimet pa biseduar me administratorin e falimentimit, duke paralajmëruar tubime të reja protestuese. Punëtorët kanë thënë se nuk pranojnë t’i marrin vendimet derisa ndërmarrja mos t’ju paguaj të gjitha borxhet dhe t’ju lidhë stazhin e punës.

Ata madje kanë shfaqur dyshime se pushimi nga puna është bërë mbi baza nacionale “Sipas cilave kritere kemi mbetur pa punë? Pse nga 20 punëtorët e shkarkuar 19 janë shqiptarë? Kam të drejtë të dyshoj që e gjitha është bërë në baza nacionale“, ka thënë Xhavit Cucoviq, i cili punon tash 25 vjet në Kriporen e Ulqinit. Pushimi i punëtorëve nga puna është paralajmëruar që në fillim të vitit, por në fund të muajit shkurt drejtuesit e Kripores së Ulqinit dhe Sindikata e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje kanë arritur kompromis të përkohshëm për zgjidhjen e problemeve të tyre, në takimin që kanë mbajtur me ndërmjetësimin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu. Pas debateve dhe argumenteve të të dyja palëve, punëdhënësi ka premtuar atëherë se nuk do të pushojë asnjë punëtor nga puna, siç kishte paralajmëruar për shkak të procesit të falimentimit në këtë ndërmarrje, dhe se me rreth 70 punëtorët e saj do të lidhin kontrata të reja pune me afat katërmujor.

(Kohapress)