Kallaba: Përdorimi i simboleve kombëtare është i kufizuar

November 28, 2013   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

ismet-kallaba-1E, kur flasim për të drejtat e shqiptarëve, të shpërndarë gjithandej nëpër shtetet e rajonit, hiç më mirë nuk qëndrojnë as ata në Mal të Zi. Përdorimi i simboleve kombëtare është i kufizuar për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në shtetin malazez. Publicisti nga Mali i Zi, Ismet Kallaba, thekson se as ligji aktual por as ai që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin malazez, nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve kombëtare shqiptare.

“Me ligjin ekzistues i cili është në fuqi për përdorimin e simboleve nacionale, përdorimi i simboleve nacionale për shqiptarët ne Mal të Zi është mjaft i kufizuar. Megjithatë në shqyrtim publik është ligji i ri mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike apo ekspozimin publik të simboleve nacionale të pakicave që në këtë rast hyjnë edhe shqiptarët i cili në një mënyrë e avancon përdorimin e flamurit dhe të simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Megjithatë duhet theksua se edhe projektligji i ri që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin e Malit të Zi, është një ligj i cili në një mënyrë përsëri nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve nacionale të shqiptarëve dhe të pakicave tjera. Aty parashikohet që një pakicë duhet të përbëjë ose duhet të marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm dhe është përcaktuar përqindja, prej 15 për qind në mënyrë që simbolet nacionale ose flamuri i asaj pakice të ketë të drejtë përdorimi në një territor të caktuar”, thotë Kallaba.

Duke hedhur kritika edhe mbi Draftligjin e ri, Kallaba, potencon se vetëm dy komuna në tërë Malin e Zi, mund ta përdorin lirshëm flamurin dhe simbolet kombëtare.

“Kjo i bie që sa i përket shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe konfigurimin e tyre dhe përqindjen e tyre në trevat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, i bie që edhe me ligjin e ri shqiptarët të kenë përdorim të lirë vetëm në Ulqin dhe në Plavë por jo edhe në treva tjera ku shqiptarët nuk përbëjnë 15 për qind. Duhet të kemi parasysh edhe një gj tjetër sa i përket përdorimit të simboleve nacionale, edhe me ligjin ekzistues por edhe me aktual nuk është shumë problem përdorimi i simboleve privat pra në festa etj, sa është përdorimi i tij publik”, shton ai. /RTK/

Telegrafi

YouTube Preview Image

Nëntorët e krenarisë, nëntorët e betejave e të heroizmit, të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, kombin shqiptar e gjejnë të ndarë padrejtësisht nga rrënja etnike në disa shtete të rajonit të Ballkanit të trazuar. Ky komb, që shtegtoi nga viti në vit, i përgjakur e i gjymtuar, nëpër stuhitë e kohëve të liga, pati para vetës dorën që ndalonte të drejtën e tij për liri, për gjuhë e flamur.

Në vend të kremtes së 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, shqiptarët e Luginës së Preshevës, pothuajse çdo vit mbajnë protesta. Më anë të këtyre protestave ata kërkojë liri më shumë, për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, shkruan RTK.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, thekson se shteti serb mundohet që t`ua imponojë shqiptarëve një flamur që nuk iu përket aspak interesave dhe traditës kombëtare shqiptare.

“Megjithëse Serbia promovon vullnet politik kinse për t`i respektuar të drejtat e komuniteteve joserbe dhe në këtë rast komunitetit shqiptar, megjithatë ndalimi i përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar reflekton një antishqiptarizëm paraekselancë.

Në anën tjetër, Serbia në emër të normave ndërkombëtare, përpiqet ta imponojë një flamur i cili është në s’përputhje me historinë dhe traditat e kombit shqiptar dhe aq më tepër kur kemi parasysh se ky simbol kombëtar është lejuar edhe në kohën e Titos, pavarësisht që ideologjitë politike ishin edhe më të ashpra. Në këtë kuptim Serbia dëshiron të imponojë simbolet që nuk janë në përputhje me interesat kombëtare dhe traditën kombëtare shqiptare, kjo është një shkelje e të gjitha të drejtave ndërkombëtare pavarësisht se bëhet dhe legjitimohet në emër të këtyre konventave ndërkombëtare”, thotë Belgëzim Kamberi.

Në anën tjetër deputeti në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, thekson se nga vitit 1968 deri në vitin 1990, është përdor lirshëm dhe në mënyrë institucionale simboli kombëtar. Mirëpo, rreth fillimit të vitit 1990 është ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar nga regjimi i Slobodan Milosevicit. Sipas tij, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kishte paraqitur një variant për simbolin e tyre, që do të ishte flamuri kombëtar por me një dimension më ndryshe.

“Këshilli Nacional tentoi vitin e kaluar që ta paraqes një version për zgjidhje që dallimi te jetë në dimensionin e flamurit kombëtar dhe të mos jetë identik me atë që përdoret në shtetin amë. Mirëpo kjo nuk është pranuar dhe tashmë faktikisht pozicionet e shqiptarëve në Luginë janë betonuar. Subjektet politike shqiptare dalin me argumente se simboli kombëtar duhet të përdoret i pandryshuar edhe në Shqipëri edhe në Mal të Zi edhe pse në Mal të Zi ka disa iniciativa që në një mënyrë për ta marrë përvojën e Serbisë, mirëpo në këto momente edhe më i fortë është fati se serbet në Kosovë e përdorin flamurin e tyre pa e ndryshuar fare në çdo fshat të Kosovës”, thotë Riza Halimi.

Pavarësisht përpjekjeve dhe protestave të vazhdueshme të shqiptarëve, që përdorimi i simboleve kombëtare të lejohet me ligj, kërkesat e tyre nuk janë përfillur asnjëherë nga ana e Beogradit zyrtar. Belgëzim Kamberi thotë se as faktori ndërkombëtar nuk është treguar i gatshëm për të ndërhyrë në zgjidhjen e kësaj çështje.

“Në anën tjetër, gjithnjë kemi hasur në vesh të shurdhër nga autoritetet e Beogradit dhe ajo që është edhe më shqetësuese është se edhe vet faktori ndërkombëtar, për të mos i provokuar ndoshta ndjenjat e Serbisë, nuk bënë sa duhet kur i përket çështjes së simboleve kombëtare por faktikisht përpiqet që t`i inkurajojë shqiptarët për të zgjedhë një simbol të tyre të përafërt por të ndryshëm nga ai i Republikës së Shqipërisë. Mendoj se në këtë aspekt edhe faktori ndërkombëtar është në s’përputhje krejtësisht me historiografinë sociologjike dhe kombëtare të popullit shqiptar në përgjithësi”, thotë Belgëzim Kamberi.

Shteti serb e ka parasysh se popullata shqiptare në Luginë nuk e përkrah ndryshimin e simbolit kombëtar shqiptar. Ndërkohë, spektri politik shqiptar, gjendjet në një pozitë jo edhe aq të mirë për shkak të gjendjes ekzistuese atje. Në pamundësi për të vënë bazën e së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare, shqiptarët nga Lugina shpeshherë i janë drejtuar edhe autoriteteve zyrtare në Prishtinë e Tiranë. Por, Belgëzim Kamberi thekson si politikanët e Luginës duhet të bëjnë një presion më të madh tek autoritete në Kosovë e Serbi për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje.

Si degë të thyera nga trungu i lashtë shekullor, fatin e njëjtë të vëllezërve nga Presheva, e kanë edhe shqiptarët në Maqedoni.

Menjëherë pas përfundimit të luftës çlirimtare në Luginën e Preshevës, filluan luftën e armatosur për t`i fituar me gjak të drejtat e tyre. Me dëshmorë e martirë, populli shqiptar në Maqedoni, fituan një gjysmë lirie, por jo edhe ato të drejta që u takojnë si populli më dominues në atë shtet, pas maqedonasve. Lidhur me këtë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik, thekson se populli shqiptar ka fituar vetëm disa të drejta, që ai i quan si “të drejta deklarative”.

“Se sa kemi të bëjmë me të drejtat e shqiptarëve mund të them se shqiptarët kanë një avancim të të drejtave të tyre, por avancim vetëm deklarativ. Avancim deklarativ për arsye se deklarohemi si shoqëri multietnike e demokratike por në fakt disa procese mund të them se janë retrograde me plotë kuptimin e fjalës. P.sh., në ditën e flamurit nuk ka asnjë iniciativë për të protestuar kundër ligjit që është sjellë në Parlamentin e Maqedonisë para dy vitesh, që flamuri shqiptar të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri maqedonas. Ky është ligj dhe ky ligj ka filluar edhe të zbatohet por me një kujdes nga ana e pushtetarëve, p.sh., zbatohet në viset ku shqiptarët nuk janë shumicë absolute”, thotë Pollozhani.

Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe është larg kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni. Shumica e teksteve për shkollat e mesme dhe ato fillore, janë të përkthyera nga gjuha maqedonase. Madje, pavarësisht thirrjeve nga ana e popullit shqiptar që shteti maqedonas t`i njeh të drejtat e shqiptarëve, një gjë e tillë nuk zbatohet në praktikë.

Incidentet ndëretnike në Maqedoni, vazhdojnë të jenë të pranishme. Dhunë është shprehur me rrahjen e nxënësve shqiptarë nga huliganët maqedonas dhe kjo dhunë ishte ushtruar nga maqedonasit disa herë me radhë. Menjëherë pas kësaj, shqiptarët kishin organizuar protesta por asnjëherë nuk ishin zbuluar aktorët e vërtetë. Shpëtim Pollozhani mendon se kjo gjithsesi është nën regjinë e shërbimeve sekrete të cilët janë nën kontrollin e pushtetit. Sipas tij, këto sulme bëhen gjithnjë në çastet kur Maqedonia duhet të marrë ndonjë datë qoftë për bisedime apo anëtarësim në ndonjë institucion ndërkombëtar, siç janë NATO dhe BE-ja.

Telegrafi