Intervistë me deputetin e Malit të Zi Pozitiv, Dritan Abazoviq

December 1, 2013   | Intervista / Intervju

Dritan-Abazoviq-UlqinJam i vetmi deputet shqiptar opozitar 

Koha javore: Z. Abazoviq, Mali i Zi Pozitiv është themeluar para një viti e gjysmë. Sa e ka arsyetuar krijimin e saj një parti e tillë në skenën politike në Mal të Zi dhe sa jeni të kënaqur me rezultatet e deritashme?

D. Abazoviq: Mendoj krijimi i Malit të Zi Pozitiv e ka arsyetuar fare veten. Futja e tij në skenën politike ka sjellë deri te krijimi i një atmosfere që deri atëherë nuk ka qenë aktuale në Mal të Zi. Nuk do të flas për rezultatet që i ka arritur Mali i Zi Pozitiv. Jo sepse kanë qenë të dobëta; bile unë mendoj se kanë qenë të respektueshme, por kam dëshirë të theksoj diçka tjetër që është ndoshta shumë më e rëndësishme. Mendoj se pas paraqitjes së Malit të Zi Pozitiv në skenën politike në Mal të Zi, çdo gjë ka lëvizur. Kemi një opozitë e cila sillet ndryshe sesa para paraqitjes së Malit të Zi Pozitiv, domethënë kemi një opozitë më fleksibile, kemi ulje të një radikalizmi proserb dhe kemi disa shenja që tregojnë se në të ardhmen mund të presim edhe nga ato subjekte që të jenë shumë më konstruktivë se që kanë qenë deri tani. Në anën tjetër, kemi Partinë Socialdemokrate si pjesë e pushtetit aktual, e cila ka ndryshuar plotësisht politikën e vet. Ajo është shumë më kritike ndaj partnerit të madh, PDS-së. Kjo ka bërë që ata janë paraqitur vetë në zgjedhjet lokale dhe dhënë sinjale tek opinioni se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të participojë vetë, domethënë jashtë koalicionit me PDS-në. PDS-ja si subjekti më i fortë në Mal të Zi, në anën tjetër, ka parë se ndoshta është koha që të reformohet pak brenda vetes dhe të kërkojë disa subjekte të tjera, jo vetëm që t’i kenë marrëdhëniet e mira me socialdemokratë, por të mundohet të afrojë ndoshta në të ardhmen edhe ndonjë parti tjetër. Kur e shikojmë në këtë mënyrë, besoj se paraqitja e Malit të Zi Pozitiv ka pasur  mjaft sukses. Është e vërtetë se zgjedhjet e fundit lokale nuk kanë treguar rezultatin të cilin realisht e kemi pritur, por kjo nuk do të thotë se duhet të jemi pesimistë. Misioni ynë ka qenë shumë i qartë: të krijojmë një frymëzim të ri, një klimë politike fare të re, një parti qytetare e cila me të vërtetë do të jetë qytetare në çdo kuptim të kësaj fjale. Mendoj se në këtë aspekt duhet të jemi më se të kënaqur me arritjet. Gjithashtu jam shumë i kënaqur me paraqitjen e Malit të Zi Pozitiv në Parlamentin e Malit të Zi. Mendimi i të gjithë subjekteve dhe i kolegëve tonë është se kemi treguar shumë konstruktivitet dhe kemi propozuar shumë gjëra reale. Gjithashtu kemi përkrahur çdo gjë që ka qenë në favor dhe në interesin e qytetarëve të Malit të Zi, duke kritikuar çdo vendim apo ligj i cili ka shkuar në dëm të qytetarëve të Malit të Zi.
Dritan-Abazoviq-Ulqin-1

 Koha javore: Si deputet i një partie joshqiptare, Ju shpesh herë jeni kritik ndaj partive nacionale shqiptare për shkak të politikës së tyre ndaj pushtetit. Ku bazohen kritikat Tuaja?

D. Abazoviq: Kritikat e mia bazohen në jetën reale. Nuk kam dilemë se çdo shqiptar në Mal të Zi mendon njësoj si unë. Unë vërtet nuk i takoi një partie nacionale shqiptare, por jam i vetmi shqiptar i cili është opozitë në këtë moment në Parlamentin e Malit të Zi. Kur i kemi parasysh gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe kërkesat e tyre legjitime, siç janë kthimi i pronave, formimi i komunës së Malësisë, punësimet e ndryshme në institucionet publike, decentralizimi etj., mendoj se nuk ka asnjëfarë dileme se çdo shqiptar do t’ju thotë se është i pakënaqur. Për këtë arsye, unë nuk i kuptoj partitë nacionale shqiptare të cilat ende vazhdojnë një politikë destruktive, shumë servile ndaj pushtetit aktual që është në fuqi që 24 vjet, i cili është fajtori kryesor për situatën në të cilën gjendemi dhe për shkak të të cilit trevat ku jetojnë shqiptarët janë trevat më të varfra në Mal të Zi, ku shumica e popullatës emigron në SHBA apo në shtete të ndryshme perëndimore. Mendoj se vetë partitë shqiptare nuk janë të kënaqura me pozitat e veta. Disa herë kemi rast që kanë nënshkruar të njëjtat marrëveshje për komunën e Malësisë, ku PDS faktikisht luan me ta, manipulon me popull, nuk tregon ende vullnet për të mbaruar një premtim që e ka dhënë mbi 12 apo 13 herë në njëzet vitet e fundit. Duke qenë se edhe deputetët tjerë joshqiptarë nga Mali i Zi Pozitiv kanë folur për të drejtat e shqiptarëve dhe në përgjithësi për të drejtat e pakicave, mendoj se në këtë moment, mbase është një thënie pak arrogante, por unë mendoj se është shumë reale, që Mali i Zi Pozitiv është parti shumë më shqiptare sesa janë subjektet të cilat vetëdeklarohen si parti nacionale shqiptare.

Koha javore: Si i cilësoni zgjidhjet ekzistuese ligjore sa u përket pakicave dhe sa respektohen të drejtat e pakicave, sidomos të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi?

D. Abazoviq: Problemi qëndron definitisht te zbatimi i ligjeve. Ligjet e Malit të Zi dhe Kushtetuta e Malit të Zi nuk janë ideale, por nuk janë edhe shumë të dobëta. Prandaj mendoj se ka shumë hapësirë që të avancohen të drejtat e të gjitha pakicave, përfshirë edhe të drejtat e popullit shqiptar në Mal të Zi. Por kemi një moszbatim, prolongim, arsyetim. Çdoherë kur përmendet diçka pozitive nga aspekti i realizimit të të drejtave, përmendet ana ligjore e jo realizimi i asaj ane ligjore. Unë nuk shoh se kemi progres në ndonjë lëmi sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të pakicave në përgjithësi. Nuk shoh se ata janë më tepër prezentë në institucionet publike, nuk shoh një vullnet të jashtëzakonshëm që të kemi një decentralizim më të madh dhe t’u jepet faktikisht më tepër mundësi që të marrin vendime të ndryshme, të paktën në nivelin lokal. Në përgjithësi, ekziston një konstatim se ligjet nuk zbatohen, nuk ekziston vullneti i duhur dhe kjo sigurisht ka implikim shumë të madh edhe në popull në mënyrë që ata të tregojnë pakënaqësinë e vet ditë pas dite. Shpresoj që në bazë të kësaj pakënaqësie, diçka do të ndryshojë në të ardhmen. Dua të përmend me këtë rast Raportin e Ministrisë së Pakicave për vitin 2012, në të cilin nuk ka asgjë të re. Mali i Zi Pozitiv ka qenë i përmbajtur lidhur me këtë raport. Raporti është shumë real, por ato gjëra që janë aty përsëriten nga raporti në raport dhe nuk realizohen në jetën e përditshme. Për këtë arsye nuk kemi dashur që t’i japim legjitimitet dhe t’i japim dikujt dritë të gjelbërt që të vazhdojë të punojë në këtë mënyrë që nuk është efikase.

Dritan-Abazoviq-Ulqin-2

Koha javore: Pozita e mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi është çdo ditë e më e vështirë. Çfarë duhet bërë për përmirësimin e pozitës së tyre? Cila është zgjidhja, sipas Jush?

D. Abazoviq: Pajtohem me konstatimin se gjendja e mediave në gjuhën shqipe është me të vërtetë alarmante, katastrofale, jashtëzakonisht e keqe. Nuk kam shpjegim se pse ndodh kjo gjë. Mendoj se ajo nuk ka lidhje me gjendjen ekonomike në të cilën gjendet Servisi Publik i Malit të Zi. Prandaj i kam fare të pakuptueshme masat e tyre, reduktimin e kohës së transmetimit. Kjo tregon një papërgatitje të qeverisë së Malit të Zi që t’u mundësojë të gjithë qytetarëve, sidomos atyre që nuk e kanë gjuhën e përbashkët, ta ndjejnë veten plotësisht të integruar dhe të mbrojtur në këtë shtet. Sa i takon mediave të shkruara, aty vërtet ekziston problemi financiar në gazetën “Pobjeda”, e cila faktikisht në këtë moment punon plotësisht jashtë ligjit, me ndihma të cilat i jep në mënyrë joligjore qeveria e Malit të Zi. Por sikur të kishte pak vullnet që këto probleme mundur shumë lehtë te gjendej modeli ku Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave apo Ministria e Kulturës do të kishte mundësi që me një fond jo shumë të madh të organizojë nëpër ndonjë media komerciale apo në ndonjë media jashtë kësaj gazete një gazetë javore e cila do të kishte qenë në gjuhën shqipe dhe do të kishte qenë ndoshta shumë më cilësore se që është kjo që e kemi në këtë moment. Sa i takon mediave private, mendoj se ato gjenden në situatë shumë të keqe. Unë pres që Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, duke qenë se nuk ka punë shumë, duhet të angazhohet në këtë drejtim dhe të marrë një iniciativë se si të zgjidhen këto probleme. Për zgjidhjen e këtij problemi, e përsëris, nuk nevojiten mjete të jashtëzakonshme, nevojitet vetëm pak më tepër vullnet dhe një organizim shumë më i mirë se në këtë moment.

Mali i Zi Pozitiv-Ulqin- Dritan Abazoviq

Koha javore: Më 26 janar në komunën e Ulqinit do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale. Çfarë pret Mali i Zi Pozitiv nga këto zgjedhje duke qenë se merr pjesë për herë të parë?

D. Abazoviq: Mali i Zi Pozitiv do të hyjë fare i relaksuar në këto zgjedhje. Duke qenë se për ne janë zgjedhjet e para lokale, nuk presim një rezultat të jashtëzakonshëm dhe spektakolar. Qëllimi ynë është shumë i qartë: t’i promovojmë disa njerëz të rinj, disa fytyra të reja, të cilat me siguri do ta kenë ardhmërinë e vet edhe në skenën politike, por në përgjithësi në skenën e Ulqinit në të ardhmen, në këtë apo në atë formë. Pra, qëllimi është që të tregohet se ekzistojnë njerëz të rinj, të edukuar, të cilët këtë qytet e shohin shumë më të mirë dhe shumë më të organizuar se që është në këtë moment. Vetë fakti që këto janë zgjedhje të parakohshme tregon se pushteti aktual në komunën e Ulqinit ka dështuar totalisht. Qysh në fillim ka pasur gabime të jashtëzakonshme. Mund të jap vetëm disa shembuj si argumente: një vit kemi pasur dy drejtora të Organizatës Turistike, pastaj kemi pasur një mosmarrëveshje që nuk është karakteristikë në asnjë komunë të Malit të Zi, ndërmjet kryetarit dhe nënkryetarit, ku njëri-tjetrin e kanë sulmuar për korrupsion dhe padijeni; kryeadministratorin e Komunës nuk e kemi që tetë muaj. Të gjitha këto argumente tregojnë që pushteti lokal ka dështuar totalisht dhe nuk ka mundur të prezantojë apo të fusë në jetën e Ulqinit një vlerë të re dhe një atmosferë të re, ku do të ndjehemi të gjithë më të integruar dhe çdo njeri do të ndjente më tepër liri se më heret. Është e vërtetë se situata ekonomike është e vështirë, por kjo çfarë kam përmendur nuk ka lidhje me ekonominë apo me situatën financiare, e cila është me të vërtetë e vështirë në komunën e Ulqinit. Askush nuk ka pritur që ne të bëhemi Dubai dhe të kemi hotele të ndryshme dhe vende pune, por çdokush prej nesh ka menduar se me ndryshimin e pushtetit të mëparshëm do të krijohet një atmosferë e re dhe do të mundësohet pak më tepër hapësirë për veprimin demokratik. Përkundrazi, ka ndodhur diçka krejt e kundërt. Janë uzurpuar institucionet, Parlamenti i Ulqinit nuk ka funksionuar një kohë shumë të gjatë për shkak se kryetari nuk ka ditur nëse e ka apo jo shumicën, ku ne kemi treguar jo se nuk kemi kapacitet demokratik, por që institucionet publike i përjetojmë si firma private apo si shtëpi private. Kjo është diçka që është nënçmuese për çdo qytetar të Ulqinit. Për t’ju rikthyer pyetjes, Mali i Zi Pozitiv do të marrë pjesë si subjekt në vete në këto zgjedhje. Nëse do të arrijmë rezultat të mirë, shpresoj se do të jemi shumë konstruktivë, nuk do të jemi element turbullues apo element i cili do të bëjë vepra negative ose që nuk shkojnë në favor të qytetarëve të Ulqinit. Nga ana tjetër, edhe nëse nuk arrijmë ndonjë rezultat të kënaqshëm, nuk kemi nevojë të jemi fort të dëshpëruar. Në këtë garë ne nuk do të hyjmë për të marrë privilegje individuale, nuk do të hyjmë sepse kemi qejf të promovojmë vetveten. Përkundrazi mendojmë se duhet të japim një kontribut që ky Ulqin të jetë më i mirë dhe më i organizuar se që është në këtë moment. Nëse qytetarët e Ulqinit do ta kuptojnë këtë kështu, shpresoj që do të na japin përkrahjen. Nëse jo, sidoqoftë unë jam i bindur që kushdo që do të jetë në pushtet pas këtij pushteti, mendoj dhe uroj që të jetë shumë më efikas dhe të japë një kontribut më të madh se pushteti i deritashëm.

Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image