Këngë epikolegjendare me origjinë nga treva e Anës së Malit

December 10, 2013   | Kulturë / Kultura

Shkruan: Muhamet Nika

KËNGË EPIKOLEGJENDARE ME ORIGJINË NGA TREVA E ANËS SË MALIT  QË FLASIN PËR TË KALUARËN E BUJSHME

Harta e vendbanimeve te nahijes se Bunes_ shkodres_ulqinit_ana malit

Fillimisht duhet veçuar jo paqëllim hartën e Anës së Malit të periudhës romake. Kjo hartë, dëshmon për lashtësi të trevës dhe për rrugët që kalonin nëpër këtë trevë e  të cilat e lidhnin, qytetin e Shkodrës me Perandorinë Romake si  dhe Venedikun. Nga kjo kohë , pa dyshim duket se janë fortifikimet; sot mikrotoponimet e tipit Gjytet,  të vendosura në maja të kodrave, qoftë  në Krythë  e  në Kravar Poshtë, nga të cilat, mendojmë se  mbroheshin karvanët tregtare…. Vetë fakti se në këtë trevë gjinden rrënojat e Shasit antik , lë hapësirë për të besuar në kontiunitet të popullimit të trevës për gjatë historisë. Treva ka qenë e ekspozuar ndaj sulmeve të ndryshme të princërve ushtrive dhe hordhave të huaja, me të cilët, popullsia e trevës u përlesh dhe nga këto përleshje të vazhdueshme u formua edhe një folklor origjinal , ose ai u krijua , duke pasur për model këngë të vendeve tjera që u krijuan nga përvojat e ngjashme historike.

Nga  kohët ka mbetur e ruajtur edhe kënga e Gjergj Elez Alisë, që  me sa duket flet për çështje ” të dhjetash….”, për luftën, që bënte popullsia  me bajlozin e detit, e që në fakt, kështu quhej, konsulli venedikas që mblidhte të dhjetat, dhe “ i cili dilte i zi nga deti…”?!. Atë në këtë kohë e quanin Bajlus(Bajloz- në gjuhen popullore)?!!  Është me interes, që nga kjo kohë me sa duket ka mbetur një shprehje për kuletë, e cila futej në xhepin e pasmë të pantallonave dhe të cilin vendasit e quanin  “ badifoke”, që vjen nga italishtja- padifoko(prapanicë…?!! Frazologjia, popullore, që ende përdoret, në këtë rast, del …,” Ruaje padifoken, se pa të bjen”?

….Ja se si shtrohet rrëfimi i këngës së përmendur të Gjergj Elez Alisë në një variant popullor, të trevave shqiptare edhe atje ku nuk ka det:

……………………………………..
 dalë zani e paska marrun dhenë
se ’i baloz i zi â dalë prej detit,

Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
Ja ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
”Tim për tim kah një dash të pjekun,
tim për tim kah një vashë me ja djergun,
ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
javë për javë kah një krahinë me djegun!”

Veçojmë një analizë standarde të studiuesve të folklorit për vargjet, e këngës e  cila thotë:
“Haraçi që kërkon balozi, dhunuesi i huaj, është i prerë dhe i tmerrshëm. Ai ka si synim të nënshtrojë totalisht territorin e pushtuar, të shfrytëzojë pa mëshirë të mirat e vendit dhe të poshtërojë njerëzit, duke shkelur sa më rëndë mbi jetën dhe nderin e tyre. Këto rreshta kanë një forcë të jashtëzakonshme shprehëse, ato tregojnë lakuriq gjendjen e hatashme të popullit të robëruar….. – Haraçi duhet të paguhet nga të gjithë (’tim për tim’ d.m.th ’shtëpi për shtëpi’)…..” 

Edhe pse , ndoshta nga gjuha e këngës , dialekti i saj, sipas ndokujt, nuk lejon që këtë këngë ta nxjerrim me vendlindje anamalase…, me gjithë atë gjeografia e Anës së  Malit,  e vendosur afër detit , na jep të drejtë të mendojmë kështu.

Tjetër, dukuria, e përvetësimit të këngëve të kësaj treve , nga krijuesi popullor, duke krijuar variante e nën variante tjera është diçka krejt e zakonshme në folklorin popullor?!!

Përjetimi emocional i këngës, dhe ngarkesa psikologjike edhe te brezi më i ri i këngëtarëve, të cilët e përjetojnë dhe e këndojnë si diçka krejt të re, që ndodh edhe sot,  dëshmon për kontiunitet të vetëdijes kolektive për periudhën e pushtimit venedikas etj.

 Nga ana tjetër, shumë mikrotoponime të zonës, dhe heraldika të kohës që dalin- datojnë nga kjo periudhë e përforcojnë tezën e parashtruar.

 Por le t’i kthehemi, çështjes së përvetësimit të këngëve epiko legjendare te një zone apo krahine nga trevat tjera shqiptare. Shikuar si dukuri, vërehet se cikli më i bukur i këngëve epiko-legjendare ku ngjizet trimëria me dashuri, e kanë vendlindjen në trekëndëshin ; Rumi- Rozavat-Valdanos…, apo Krajë , Shkodër, Ulqin…

Mbase mund të ketë ngjarë për ndonjërën nga këngët e epikës legjendare , kujtesa historike edhe të jetë zbehur, por me gjithë atë, djepi i tyre është ruajtur në këtë trekëndësh, kurse variantet e tyre , të përhapura gjithandej vetëm se i fuqizojnë ato…Dihet se në këtë aspekt prinë kënga e  Legjendës  së Rozafatit, por ajo që e konkretizon çështjen është , “ Balada e Ymer Agë Ylqinit”, e cila është thjeshtë një rrëfim për burrin  i cili ik nga burgu, për të çuar në vend premtimin që ia kish dhënë gruas së tij që ta presë , e të mos martohet për 9 vjetë, 9 muaj e 9 ditë. Në ditën e nëntë të muajit të nëntë të vitit të nëntë ai kthehet në shtëpi..” Kjo baladë është një version i rrëfimit të Odiseut dh Penelopës”.

Ndërsa, ne e veçuam këtë këngë e cila dihet se është me gjeografi të Ulqinit, por që nuk ruhet në Ulqin dhe nuk bënë jetë vepruese . Mirëpo ngjarja e Agait Ulqinak , trazon zemrat e rapsodëve popullorë në tërë Shqipërinë e Veriut, në Kosovë e deri në Shkup, dhe për fund  përse të mos ketë ngjarë kështu edhe me këngën e Gjergj Elez Alisë.

Nga kjo kohë kemi edhe dy këngë  që u mblodhën në Anë të Malit e që janë “Kanga e harapit n’ Anë të Malit” dhe për të cilën do të flasim më poshtë, në një rast tjetër, si dhe “ KANGA E HARAPIT”-n ë të cilën vërejmë se si një vajzë, pasi  babain e kish të moshuar dhe pasi nuk kishte vëlla të ndeshej në mejdan me bajlozin i thotë babait të vetë.

 

-Çka ke bab i thot qi kjan?/-M’ka ardh dita mu karit/Mejdan harapi me ka lyp/Un i mjeri plak pa jam-/ Edhe djal nuk pa kam/E bija pa i that: -Marak mas ban!/Zoti punt i rregullan/ Te berberi ke me çu/ ke me m’qeth e ke m’mrru/ke me m’ rru e me m’gadit/Si djal 20vjeç me m’qit/Samir vajza isht gadit/porsi djal e ka qit….

 

Më vonë në këngë vërejmë se vajza ka sukses dhe e vret bajlozin.1

Shaban Osmanaj , mbledh edhe një këngë në Anë të Malit, me titull Vorri i Harapit. Pra anamalsit besojnë që në njvend afër Millet/fshat anamalas e ka vorrin harapi.

Kënga e Ggj Elez Alisë ndihet përveç se te shqiptarët edhe te bullgarët serbët e boshnjakët, por po shkëpusim këtu një pjesë studimi…,  se  çfarë ndodh në variantin maqedonas të këngës për të kuptuar variantin shqiptar –Anamalas, aty veçohet:

  Në variantin maqedonas një “harap i zika dalë në fushat e Selanikut dhe ka ngritur shatoret e tij të bardha. Ai merr nëpër këmbë nderin e njerëzve dhe i ka vënë vendit një haraç të rëndë. Harapi kërkon çdo ditë nga një nuse të re e çdo mbrëmje nga një vashë me të cilat bën dashuri dhe pastaj i vret. I ka ardhur radha Angjelinës, së motrës së Dojçinit të sëmurë. Duke fshirë avllinë ajo qan dhe i derdh lotët breshër. I vëllai e sheh dhe e pyet se ç’ka. Motra i tregon të vërtetën:“Erdhi radha ime, mua do të më marrin.”Dojçini(kupto Dolçini-Ulqinku;Dolçino- i ëmbli,v.j.)?!!  E porosit të motrën që të shkojë tek Ymer Biçakçiu dhe të mprehë shpatën e mejdanit që ka nentë vjet që nuk punon dhe është ndryshkur. Ymeri i kërkon vajzës “sytë e zez” dhe Angelina duke qarë largohet prej tij. Kthehet në shtëpi dhe i tregon të vëllait se ç’i ka ndodhur. Ky e urdhëron që ta lerë aty shpatën e pamprehur e të marrë kalin e të shkojë te nallbani Mitro Pomerjançe për ta mbathur. Por edhe nallbani i kërkon Angjelinës “fytyrën e bukur, si dielli i kthjellët”. Dhe vajza qan dhe kthehet përsëri në shtëpi me gjokun e pambathur. Atëherë i vëllai i sëmurë kërcen në këmbë dhe i thërret së motrës: “Shko e merr armët e ftohta dhe çoja Pletikosa Pavles (“flokëgërshëtuari Pavel” – figurë në disa këngë të sllavëve të jugut) që t’i lajë.” Vajza bën ashtu siç i thotë i vëllai, por edhe armëlarësi i kërkon asaj “shtatin e hollë si një kallam deti.”

Çupa kthehet në shtëpi duke qarë e lebetitur: “As miq e as vëllezër besnikë / Ata janë që të gjithë turq të pabesë.” Atëherë Dojçini i armatosur por me armë të pamprehura, me kalin e pambathur niset e shkon në qytetin e Selanikut. Pasi vret Harapin e zi kthehet prapa e në rrugë e sipër u pret kokat Ymer Biçakçisë, Mitre Pomerjançit dhe Pletikosa Pavlit. Me të ardhur në shtëpi ai kërkon që të vijnë priftërinjtë e shenjtë, i ndezin qirinjtë dhe heroi jep shpirt.
Në variantin serb trimi quhet Xherxhelezi, person negativ dhe i dorës së dytë, kundërshtar i hidhët i heronjve protagonistë të tyre të krishterë.
Në këngët boshnjake Xherxhelezi ( d,m.th.me emrin si në këngët serbe) është një mejdanxhi i sulltanit.
Kjo mjafton për të treguar se as këngët serbe, as ato boshnjake,s’ kanë asnjë përqasje me heroin e këngës shqiptare, i cili është simbol vetëmohimi për lirinë e vendit dhe mbrojtjen e nderit të familjes.

Prof. Eqrem Çabej – më i madhi linguist shqiptar – ka vënë në dukje rolin dhënës të poezisë popullore shqiptare ndaj poezisë sllave. Ndër elementet më me rëndësi thekson Profesori, janë emrat tripjesësh të heronjve Gjergj Elez Alia, Gjeto Basho Muji, Dezdar Osman Aga etj. Këta emra vazhdojnë të jetojnë edhe sot në emrat e banorëve të Veriut: Ded Gjo’ Luli, Prel Memë Ujka etj.– besoj se pas kësaj që u tha çdogjë është e tepërt të shtohet.

Kultivimi struktural i lashtësisë folklorike që bëhet në këtë trevë e dëshmon më së miri  këtë.

Rrebeshet e mbrojtjes së truallit, dhe pasurisë, me ndërtime kështjellash, janë dukuri interesante , që kërkojnë studim të thuktë….Fati i flijimit dhe i gurëzimit të mbretëreshave në themele kalash, formimi i Ulqinit si qytet i  lasht, fati tragjik i vdekjes së Shasit me legjendat e veta.., pushimorja e Gjon Vlladimirit, si dhe shumë e shumë legjenda e dëshmi tjera tregojnë për një antikë dhe arkaikë të pasur  e të hershme të Anës së Malit..

 

1. Shaban Osmanaj; Këngë popullore nga Ulqini….

ART CLUB 2011, f .162,