Një libër që i bën nder kombit shqiptar

December 21, 2013   | Kulturë / Kultura

SHAI-Art Club-Ndriçim Kullës-Ylli i shkrimtarit-2SHAI „Art Club“ organizoi përurimin e librit të Ndriçim Kullës „Ylli i shkrimtarit – Biografi e Ismail Kadaresë, nga koha e tiranisë deri më sot“

„Mendoj se është një punë e mirë për gjeneratat e reja, për ata që do të studiojnë veprën e Kadaresë, për të cilët libri i Kullës do të jetë një pikë reference për të kuptuar një autor të madh“, ka thënë prof. Dr. Gjergj Sinani.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ organizoi të enjten mbrëma në hotelin „Mediteran“ në Ulqin përurimin e librit „Ylli i shkrimtarit – Biografi e Ismail Kadaresë, nga koha e tiranisë deri më sot“ të autorit Ndriçim Kulla.

Ky libër përbën biografinë e parë analitike mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit më të madh shqiptar të ditëve tona, kandidat për Çmimin “Nobel”.
SHAI-Art Club-Ndriçim Kullës-Ylli i shkrimtarit

Kryetari i SHAI „Art Club“, Ali Salaj, ka thënë se me këtë prezantim kjo shoqatë vazhdon misionin e vet në afirmimin e kulturës dhe artit letrar duke i ofruar publikut në Mal të Zi një udhëtim imagjinar nëpër librat më të arritur në hapësirën mbarëshqiptare.

Duke folur për librin, ai ka thënë se Ndriçim Kulla “vuri në një sprovë të vështirë ‘yllin’ e tij duke e shkruar këtë libër që do të mbetet një thesar i çmuar në zhanrin e biografisë, por edhe një literaturë interesante në fushën e letërsisë shqiptare”.

Sipas Salajt, autoriteti i pakontestueshëm i Kadaresë dhe qëndrimi i tij që ndonjëherë është cilësuar edhe kontravers, ngjallë respekt, por shpesh herë mbart dilema të shumta dhe frikë tek krijuesit, të cilët përpiqen të merren me jetën dhe veprimtarinë e tij letrare.

“Mirëpo, Ndriçim Kulla si një intelektual i veçantë, i tejkalon këto sfida me sukses duke mos rënë nën ndikimin as të kundërshtarëve të Kadaresë, por as duke u bërë ithtar i verbër i tij”, ka theksuar ai para publikut të shumtë.

Profesori i filozofisë, Gjergj Sinani, ka thënë se përkundër asaj që thuhet shpesh se me këtë libër Ndriçim Kulla i bën nder të madh Kadaresë, ai mendon se Kulla i bën një nder të madh kombit shqiptar “sepse ne dhe të tjerët, jo vetëm shqiptarët, kanë nevojë të njohin jo vetëm thjesht krijimtarinë e Ismail Kadaresë, por duhet të njohin edhe kontekstin kur ka shkruar Ismail Kadareja për të kuptuar veprën“.

Sipas tij, Kulla ka arritur që në veprën e vet, „duke ndjekur rrugën artistike të Ismail Kadaresë dhe duke e parë atë në një paralelizëm të ngushtë qoftë me zhvillimet politike brenda Shqipërisë, por qoftë edhe zhvillimet ndërkombëtare, të përshkruaj një mesazh të madh të veprës së Kadaresë, që është mesazhi i lirisë“, gjë që për të përbën një nga vlerat më të mëdha të këtij libri.

„Mendoj se është një punë e mirë për gjeneratat e reja, për ata që do të studiojnë veprën e Kadaresë, për të cilët libri i Kullës do të jetë një pikë reference për të kuptuar një autor të madh“, ka theksuar studiuesi prof. Dr. Gjergj Sinani.

Dorian Nepravishta, redaktor në Shtëpinë Botuese “Plejad”, e cila e ka botuar këtë libër, ka thënë se Kadareja e meritonte një biografi të tillë, që për të është shumë e vonuar.

Duke e cilësuar librin si kulmin e krijimtarisë krijuese të autorit Kulla, ai ka thënë se biografia e Ismail Kadaresë është kurorëzim i një pune të tij 20-vjeçare.
SHAI-Art Club-Ndriçim Kullës-Ylli i shkrimtarit-1

Nepravishta ka thënë se libri është shkruar me një stil shumë të këndshëm.

„Nuk është një libër studimor në kuptimin e thelluar shkencor, është një biografi e letrarizuar“, është shprehur ai.

Autori i librit „Ylli i shkrimtarit – Biografi e Ismail Kadaresë, nga koha e tiranisë deri më sot“, Ndriçim Kulla ka shpjeguar se pse dhe si e shkroi biografinë e shkrimtarit shqiptar me famë qartësisht ndërkombëtare, Ismail Kadare.

„Në punën time krijuese, unë në heshtje po shikoja se po ballafaqohesha me një luftë të paskrupullt ndaj këtij shkrimtari. Nuk e kuptoja se pse bëhej lufta ndaj Kadaresë! Atëherë e kuptova se sekreti ishte zilia. Kjo është natyra e shqiptarit, është një sëmundje e vjetër që kanë shqiptarët, ndjenja e individualizmit“, ka thënë ai.

Sipas Kullës, kjo „luftë“ si dhe polemikat në media të Kadaresë për Kosovën gjatë kohës së luftës, por edhe para dhe pas saj, kanë pasur ndikim që ai të mos e fitonte Çmimin „Nobel“.

„Me një Shqipëri me Ismail Kadarenë Nobelist, do të ishte ndryshe edhe kombi shqiptar“, ka thënë ai.

Autori ka folur edhe për rrugën e gjatë të shkrimit të biografisë së Kadaresë, që nga lindja e idesë pothuajse 20 vjet më parë, kur ai filloi të mbante skeda, takimi me Kadarenë i cili ishte mosbesues, natyrën e vështirë të shkrimtarit e deri te reagimi pozitiv pas botimit të veprës.

„Vështirësia e Kadaresë qëndron tek gjenialiteti i tij“, ka thënë Kulla.

Studiuesi Ndriçim Kulla është autor i disa librave në gjini të ndryshme. Ka drejtuar për mbi 15 vjet me radhë punën studimore dhe bibliografike për mbledhjen, strukturimin dhe botimin e mjaft librave të mendimit shqiptar. Rreth 20 vjet ka qene drejtor i Shtëpisë Botuese “Phoenix” dhe “Plejad”, ndërsa aktualisht punon si ndihmës i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

i.k.