Salaj: Thesar i çmuar në zhanrin e biografisë

December 22, 2013   | Kulturë / Kultura

SHAI-Art Club-Ndriçim Kullës-Ylli i shkrimtarit-2Nga Ali Salaj

Shkrimtari, studiuesi dhe politologu i njohur Ndriçim Kulla paraqitet me një vepër biografike shumë të guximshme, por edhe tunduese pasi bëhet fjalë për biografinë e një figure të madhe letrare të njohur botërisht, i cili tash sa vite gjendet një hap pranë Çmimit Nobel. Është kjo biografia për Ismail Kadarenë, të cilën autori Ndriçim Kulla e konsideron si një biografi gjysmë të autorizuar duke marrë parasysh faktin se “Një shkrimtar i tillë (Kadareja) ka arsye për të qenë dyshues ndaj kujtdo që do të guxojë të shkruaj biografinë e tij”.

Autoriteti i pakontestueshëm i Kadaresë dhe qëndrimi i tij që ndonjëherë është cilësuar edhe kontravers, ngjall respekt por shpesh herë mbart dilema të shumta dhe frikë tek krijuesit, të cilët përpiqen të merren me jetën dhe veprimtarinë e tij letrare. Mirëpo, Ndriçim Kulla si një intelektual i veçantë, i tejkalon këto sfida me sukses duke mos rënë nën ndikimin as të kundërshtarëve të Kadaresë, por as duke u bërë ithtar i verbër i tij. Këtë qasje poeti Primo Shllaku do ta quante “ekskursion në zonën e rreptësisë”. Kështu, Ndriçim Kulla, siç e thekson edhe vetë, vuri në një sprovë të vështirë “yllin” e tij duke e shkruar këtë libër që do të mbetet një thesar i çmuar në zhanrin e biografisë, por edhe një literaturë interesante në fushën e letërsisë shqiptare.

Prandaj, në këtë kuadër e konsideroj kënaqësi dhe nder që Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të bëjë përurimin e këtij botimi cilësor, me aksesorët e domosdoshëm të një shtëpie botuese dinjitoze siç është “Plejad”. Me këtë prezantim “Art Club”-i vazhdon misionin e vet në afirmimin e kulturës dhe artit letrar duke i ofruar publikut në Mal të Zi një udhëtim imagjinar nëpër librat më të arritur në hapësirën mbarëshqiptare.