Revista BUZUKU, arkiv në miniaturë + Foto

January 14, 2014   | Kulturë / Kultura

Revista-Buzuku-Perurimi-UlqinRevista BUZUKU, arkiv në miniaturë (me rastin e botimit të numrit 40-jubilar)

Në gamën e revistave dhe periodikut në shqip në Mal të Zi, në periudhën e pluralizmit vend të rëndësishëm zënë edhe revista BUZUKU, ku ditë më parë doli në qarkullim numri jubilar i 40-ti  më radhë i saj. Numri i parë revsitës BUZUKU është botuar me  27.6.2001, ndërsa i 40-ti  me  16.12.2013. Fillimisht revista botohej si organ i Shoqatës Dom Gjon Buzuku, ndërsa nga numri 37 është revistë e pavarur, ku nga numri i parë e deri më tash kryeredaktor është dr.Simë Dobreci.

Eshtë përshtypje e p[rgjithshme se materialet e botuara në ketë revistë, dëshmojnë qartë se misioni i saj ishte sensibilizimi i popullsisë shqiptare nga Kraja, përkatësisht zona e Shestanit, për të ruajtur dhe ngritur vetëdijen kombëtare shqiptare. Nëse shfletohen  numrat e botuar deri më tash, del qartë se është prezantuar një material  shumëplanesh si nga gjuhësia, folklori, historia, gjeografia, etnologjia, arkivistika  etj, duke dëshmuar pasurinë e këtij mjedisi dhe popullsisë përkatëse. Në rethana të ndryshme  shoqërore si më parë por edhe tash, popullsia shqiptare e këtij mjedisi ka emigruar, duke u vendosur kryesisht në rrethinë të Tivarit, Ulqinit e po ashtu edhe në  Shkodër, Amerikë, Australi etj. Por, varësisht prej  vendit ku janë vendosur, ata janë tjetërsuar, duke shkuar drejt asimilimit, ku një dukuri e tillë është e pranishme edhe në ditët tona.  Rast tipik  është qyteti i Tivarit  por edhe rrethina e tij, ku janë duke humbur gjuhën dhe traditën kulturore shqiptare.

Revista-Buzuku-Perurimi-Ulqin-5

Fillimisht, kjo revistë ndonëse është informative, kulturore dhe shoqërore,  ka pasur karakter lokal, por me kalimin e kohës, është bërë pothuaj revistë mbarëkombëtare. Në sajë të materialeve të botuara deri më tash, më të drejt mund ta quajmë se është bërë një lloj arkivi në miniaturë. Madje nuk e teprojmë nëse themi se është botuar çdo gjë që ka të bëjë me  Shestanin dhe popullsinë e saj, duke ofruar një lëndë më interes edhe për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore. Jemi të bindur se në të ardhmen studiues të ndryshëm, kur të shfletojnë revistën BUZUKU, do të gjejnë inspirim për hulumtime të metutjeshme shkencore.

Nëse në të ardhmën do të analizohet kontributi i disa personaliteteve nga Ulqini e rrethina në profilet e tyre profesionale, nuk ka dilemë se vend nderi zenë edhe dr.Simë Dobreci. Por ndonse ai njihet si specialist nga fusha e mjekësisë, në të ardhmën do të njihet edhe si kryeredaktor i revistës BUZUKU. Sepse  është merita  e tij  ekskluzive në mbledhjen, sistematizimin dhe redaktimin e materialeve që janë botuar në këto 40 numra të revistës. Nuk ka dilemë  se në ketë aspekt ndihmesë kanë dhënë edhe  bashkëpunëtorët si dhe stafi i redaksisë, por puna më e madhe  ka rënë mbi dr.Simë Dobrecin, i cili ka arritur me sfiduar edhe rrethanat e pavolitshme shoqërore të kohës.

Revista-Buzuku-Perurimi-Ulqin-1

Ne ketë jubile të revistës ai sot duhet të jetë krenar për  punën e realizuar, por edhe ne mburremi, sepse nuk është e lehtë të botohën 40 numra të revistës, pa mbeshtetje  financiare, por e ka realizuar me sukses këtë mision falë  donatoreve të ndryshëm, si pak kush në mjedisin tonë.

Andaj, me rastin e këtij numri jubilar, urojmë që dr.Simë Dobreci të na dhurojë edhe numra të tjerë të revistës, duke vazhduar misionin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjerë.

 

Ulqin, më 28.12.2013                                                                         Dr.Nail  Draga

(Fjala e rastit në përurimin e numrit jubilar-40, të revistës BUZUKU)