Ulqin – Shkodër, vlla e motër – Video Blue Sky

January 14, 2014   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

te kalaja e ulqinitTV “Blue Sky” organizoi në qytetin e Ulqinit koncertin e përvitshëm “Sofra e Shqipes”  

“Në këtë taban për të ripërtëritur këtë lidhje të vjetër, lindi dhe ideja e presidentit të TV “Blue Sky”, z. Gëzim Brahusha për të organizuar edhe në këtë fundvit qe shkoi në qytetin e bukur të Ulqinit koncertin e përvitshëm “Sofra e Shqipes” një risi që e ka kaluar testin më të vështirë edhe në vitin e kaluar në qytetin e Shkodrës dhe që të shërbejë si vazhdimësi e traditave të të dy qyteteve, i cili do të mbetet në mendjen e shumë shikuesve për shumë vlera të jashtëzakonshme, pasi mbështetet tek tradita”   

 Përgatiti RAMAZAN ÇEKA

Nga pazari i famshëm i qytetit të Shko drës, më i madhi në Ballkan, bashkë me barkat dhe sulet që uleshin e ngjiteshin në ujrat e qeta të Bunës, Shkodra dhe Ulqini, nuk transportonin vetëm mallra por edhe traditë, kulturë, zakone dhe marrëdhënie të ndërsjellta. Këto marrëdhënie shekullore kanë bërë që karakteristikat e këtyre dy qyteteve të ishin gati të njëllojta. Kjo afri, sidomos në fillimin e shekullit të kaluar, bëri që shumë familje ulqinake të vendoseshin me banim në Shkodër, sepse në një farë mënyre e ndjenin veten “si në shtëpinë e vet”. Ata u bënë një me qytetin ku erdhën, por njëkohësisht sollën me vete edhe traditat e kulturën, zakonet dhe mënyrën e jetesës duke dhënë e marrë me banorët tradicionalë shkodranë. Ajo që i lidhi më shumë nuk ishte tregtia por marrja dhe dhënia në krushqi e martesa, të cilat ktheheshin në ceremoni të gëzuara familjare që kulmin e arrinin kur këndoheshin jaret e bukura shkodrane dhe këngët e papërsëritshme popullore ulqinake. Vite e dekada kalojnë. Për arsye të sistemit kaluar, ndërpriten kontaktet midis dy qyteteve, por asnjë regjim nuk arrin të ndërpresë kontaktet kulturore e shpirtërore të tyre. Megjithatë, pavarësisht nga mungesa e kontakteve fizike, mediat e sidomos radjoja me valët e tyre arrinin t’i kalonin kufijtë shtetërorë, duke u bërë në një farë mënyre ura lidhëse, sidomos në fushën muzikore. Në vitin 1979 për herë të parë vjen në Shkodër Ansambli i Ulqinit, ku këngëtari i mirënjohur popullor Shaban Gjeka u mirëprit me këngën “Zaganjorja” dhe ky ansambël u përfaqësua edhe me vallen e “Peshkatarëve”, duke dhënë shfaqje edhe në Tiranë Pukë, etj. Janë vitet ‘90 që edhe pse nuk u hapen kufijtë shtetërorë, u shembën ato gardhiqe të përkohshme kulturore e tradicionale, që për dekada me radhë i ndanë shqiptarët nga njëri-tjetri. Shkojnë e vijnë këngëtarë e artistë shkodranë e ulqinakë për të rikthyer atë miqësi e bashkëpunim të vjetër që kanë pasë me shekuj. Në këtë taban për të ripërtëritur këtë lidhje të vjetër, lindi dhe ideja e presidentit të TV “Blue Sky”, z. Gëzim Brahusha për të organizuar edhe në këtë fundvit qe shkoi në qytetin e bukur të Ulqinit koncertin e përvitshëm “Sofra e Shqipes” një risi që e ka kaluar testin më të vështirë edhe në vitin e kaluar në qytetin e Shkodrës dhe që të shërbejë si vazhdimësi e traditave të të dy qyteteve, i cili do të mbetet në mendjen e shumë shikuesve për shumë vlera të jashtëzakonshme, pasi mbështetet tek tradita.

Sofra e Shqipes ne Ulqin

Televizioni “Blue Sky” në edicionin e tij të dytë “Sofra e Shqipes”, nën drejtimin e regjisorit, “Artistit të merituar” Gëzim Kruja, si dhe me moderatoren e këtij televizioni Adelajda Tukaj, u zhvendos me kamerat dhe me stafin e tij të mrekullueshëm në bregdetin e bukur të qytetit të Ulqinit, pranë kalasë madhështore të këtij qyteti mikpritës, sepse risia më e fundit e këtij televizioni të preferuar, ishte organizimi i spektaklit magjik “Sofra e Shqipes” 2014, në bashkëpunim me hotelin “Mediteran”, i cili ftoj në ambientet e tij qytetarë shkodranë dhe ulqinakë për të festuar së bashku festat e fundvitit, ashtu siç di të festojë vetëm televizioni “Blue Sky” me miqtë e vet, sigurisht dhe me të ftuarit, këngëtarët dhe artistët më të mirë të trojeve shqiptare. Në këtë spektakël morën pjesë këngëtarët më të njohur si “Mjeshtri i madh” Bujar Qamili, Vjollca Luka, Xhuvani, Gëzim Salaj, Gjyste Vulaj, Elisabeta Marku, Eli Malaj dhe Haxhi Zeneli i cili kishte ardhur posaçërisht nga Amerika për këtë eveniment të rëndësishëm dhe të gjithë së bashku e hapën programin me këngën (himn) për TV “Blue Sky”, pastaj me radhë ata vazhduan të përformojnë njëri pas tjetrit me vokalin e tyre të bukur dhe brilant. I pari që u ngjit në skenë ishte këngëtari i mirënjohur ulqinak Xhuvani, kënga e të cilit shërbei edhe si formulë falenderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë të pranishmit. Pa dyshim një ndër momentet kulmore të spektaklit ishte edhe ngjitja në skenë e “Mjeshtrit të madh” Bujar Qamili, që me performancen e tij elektrizoi sallën. Pjesë e kësaj nate ishte dhe humori i cili përfaqësohej nga estrada profesioniste e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, i cili u përfaqsua nga aktorët e mirënjohur: “Mjeshtrja e madhe” Zyliha Miloti, “Mjeshtri i madh” Gëzim Kruja, Besnik Çinari, Drande Xhai, Raimonda Marku, Muhamet Çekini, Anton Krosaj etj. E pa lodhur dhe plot gjallëri e pasion, këtë spektakël të pa harruar e drejtoi me shumë energji, finesë e profesionalizëm, moderatorja e këtij televizioni Adelajda Tukaj. Një ndihmesë të madhe për “Sofren e Shqipes” dha edhe orkrstra e këtij televizioni, grupi “Diamant” e përbërë nga Ben Dema tastierë, Bardh Spahja violinë dhe këngëtar si dhe Emiljano Lekaj klarinetë. Për të realizuar këtë natë magjike të paharrueshme, TV “Blue Sky” punoj me stafin e tij të mrekullueshëm, por mbështetjen kryesore e ka gjetur tek biznesmenët e qytetit të cilët janë: Universiteti i Veriut Argenti, B-52, Golden Dap si dhe Kompleksi më i madh Nordin Sh.P.K. Por s’duhet të harrohen kurrë qytetarët shkodranë që e mbështeten në këtë nismë që ata e quajnë fisnike dhe mban gjallë tarditat e qytetit si dhe i bën jehonë atyre. Më poshtë po pasqyrojmë disa intervista dhe opinione që morëm nga protagonistët e këtij spektakli pas përfundimit të shfaqjes: “Fillimisht për ju z.Çeka dua t’ju falenderoj për intervisten. Unë e përjetova këtë ftesë si çdo këngëtar tjetër, me një emocion shumë të madh dhe me një kënaqsi të madhe sigurisht, pasi unë përfaqsoj qytetin tim Ulqinin, vendin ku jam lindur dhe rritur. Është një kënaqsi e madhe për mua për arsye se e shoh çdo ditë, pasi kam jetuar edhe në Diasporë, në SH.B.A. por shqiptarët kurrë nuk i harrojnë traditat e veta. Vazhdimisht në sofrat të tilla, në këto llojë evenimentesh të bukura është vërtetë kënaqsi dhe një unitet për krejt shqiptarët, një afrim njëri me tjetrin dhe më tepër. E veçantë për mua do të jetë sepse sonte u paraqita edhe me këngën time më të re me tekst nga ju dhe muzikë Dionis Basha, orkestruar nga Roland Çukaj e cila mund të them pa hezitim se u prit jashtëzakonisht mirë”. Një këngëtarë mjaft i njohur nga Ulqini me banim në SH.B.A. ishte edhe Haxhi Zeneli.

Me moderatoren e tv Blue Sky music Adelaida Tukaj

Si ndiheni sonte në këtë eveniment kaq madhështor që u organizua në qytetin e Ulqinit? 

“Ju falenderoj shumë për intervistën, veçanërisht ju si autor i sa e sa teksteve shumë të bukur. Dëshiroj së pari të them se ky eveniment që e ka ndërmarrë TV blue Sky me president z.Gëzim Brahusha, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme, e cila është pritë prej kohësh të bëhet diçka, dikush duhet ta bënte, por merita i takon Gëzimit pasi atij i ra ndër mend të bashkojë nëpërmes artit trojet tona e popullin tonë me anë të artit dhe të këngës, veçanërisht asaj popullore. Unë jam i nderuar që sonte gjendem mes artistësh më të mëdhenj të popullit shqiptar dhe me humoristët gjithashtu. Këto pjesmarrës që kanë ardhur sonte këtu, janë adhuruesit e muzikës të pastër shqiptare, të cilët me këmbëngulje do t’i dalin në fund me muzikën e pastër shqiptare. Unë sonte përfaqësoj Diasporën, ndaj ndihem jo vetëm i emocionuar, por dhe shumë i nderuar që marr pjesë në këtë sofër të madhe. Dëshiroj t’ju them se ne në Diasporë me këngën shqipe bashkohemi, jetojmë me te, ndaj i dëshiroj TV Blue Sky që ka marrë përsipër organizimin e “Sofrës Shqiptare” të vazhdojë dhe mos të ndalet kurr, ashtu si kënga e pastër shqiptare”.

Sofra e Shqipes ne Ulqin-1

Para se ta mbylli biseden me ju, a mund të na thoni sa ju mungon Ulqini në SH.B.A.? 

“Ulqini, po ashtu edhe Shkodra që e kemi dëshiru gjithmonë për ne që jemi në Diasporë, në mendjet tona është Ulqini dhe Shkodra sepse për asnjë moment nuk mund ta ndajmë Shkodren sepse jemi të lindur nga një nanë. Unë e vizitoj Ulqinin shumë shpesh dhe saherë vizitoj Ulqinin, vizitoj edhe Shkodrën sepse janë për mua nana ime, për arsye se me këngën shkodrane dhe atë ulqinake u rrita prej këngëtarëve më të njohur që ka Shkodra dhe populli shqiptar, duke filluar prej Bik Ndojës, Shyqyri Alushi, i ndjeri Xhevdet Hafizi, Bajram Spahia, Naile Hoxha, të gjithë këta artistë që nuk përsëriten më dhe që ne po mundohemi të mbajmë këngën e tyre të gjallë, të cilët na mungojnë.” E sa për spektaklin sigurisht që e prita me shumë kënaqësi dhe e falenderoj shumë producentin e TV Blue Sky z.Gëzim Brahusha, i cili më përzgjodhi në këtë mbrëmje kaq të bukur dhe kaq madhështore, siç ishte “Sofra e Shqipes”, ju them të drejtën e prita me shumë entuziazëm”.

Si ndiheni sonte në mes kolegëve tuaj?

 “Sonte është vërtetë bukur, është kënaqsi të jesh në mesin e kolegëve dhe në mesin e këtij publiku kaq të madh edhe kaq të zjarrtë, siç dinë të jenë shkodranët dhe ulqinakët”.

Si e ndieni veten në këtë eveniment, si shkodrane apo si ulqinake! 

“Unë gjithmonë kam me mbetë shkodrane por jam nuse e Ulqinit dhe do e kisha vërtetu shprehjen Ulqin-Shkodër, vlla e motër, por në rastin konkret burrë e gru, mish e thu u shpreh ajo plot emocion dhe buzëqeshje”. Në këtë spektakël madhështorë, emocione dhuroj edhe këngëtarja shumë e preferuar Gjyste Vulaj.

Sofra e Shqipes ne Ulqin-hotel mediteran

Si e pritët ftesën për të marrë pjesë në “Sofrën e Shqipes”? 

“E kam pritë me kënaqsi të madhe për shumë arsye, duke filluar nga ajo që e organizon TV Blue Sky në të cilin unë si këngëtare jam si ikona e këtij televizioni, i cili ka respektin më të madh për mua. Unë sonte përfaqësoj malësinë time përtej kufinjve, në Mal të Zi, dhe se zhvillohet në Ulqin ku unë jam banuese prej gjashtë vitesh”,

Është hera e parë që ju merrni pjesë në “Sofren e Shqipes”? 

“Po, vërtetë është hera e parë për mua por në sofrat e tjera kam marrë pjesë shumë më përpara, që në fillimet e karrierës time si këngëtare”.

Si e ndjetë veten sonte në këtë eveniment kaq madhështor? 

“Shumë bukur për deri sa isha e rrethuar nga kolegët e mi që i respektoj shumë, ishte kënaqsi pa diskutim”. Gjatë shfaqjes, parashikuar më së miri nga organizatorët, e mori fjalën kryetari i Bashkisë Vau Dejës z.Gjon Marku, i cili solli mirënjohjen e këtij qyteti të vogël për TV “Blue Sky”, duke i akorduar titullin “Mirënjohja e Bashkisë Vau Dejës.”Këtë organizim madhështor të muzikës shqipe, e përkrahën dhe dashamirës të muzikës dhe të zhvillimit të jetës artistike në Ulqin si: Kryetari i Komunës së Ulqinit z.Nazif Cungu, Biznis Klub Ana e Malit, Eko-Al me drejtor z.Naser Gjeloshi dhe Rapex me pronar z.Jakup Gjeloshi, duke ju bashkëngjitur këtij evenimenti si pjesë e “Sofrës së Shqipes”. Një kontribut të shquar në këtë aktivitet dhanë edhe mikpritësit ulqinakë si drejtori i hotelit z.Selatin Gjeloshi, drejtori i shkollës së muzikës z.Josuf Lika dhe bisnesmeni Ibrahim Milla, të cilët nuk mund të rrinin pa u shprehur dhe pa dhënë vlersimet e tyre për këtë eveniment, ku dhe vetë ata kishin kontributin e tyre për t’u realizuar në mënyrën më perfekte. Fjala sponsor ndoshta ishte më e pa rëndësishme për Kryetarin e (UBA) Ulqin, Bisnis Asociacion, z.Ibrahim Milla të cilit i morëm opinionin për “Sofrën e Shqipes”.

Si e përjetuat ju sonte spektaklin “Sofra e Shqipes” të shfaqur në lokalin tuaj me një organizim kaq profesional dhe madhështor, ku padyshim nuk mund të anashkalohet edhe kontributi juaj si një zot shtëpie i vërtetë: 

“Kjo që po më bëni ju nuk është vetëm pyetje dhe të falenderoj që po më krijon mundësinë të shprehem :Së pari dua të vlersoj TV “Blue Sky” që bëri të mundur një veprimtari kaq madhështore për Ulqinin, sepse në Ulqin, shumë pak evenimente organizohen të këtij lloji dhe së dyti dua t’i përshëndes të gjithë shkodranët të cilët e adhurojnë kaq shumë Ulqinin e ulqinakët dhe vijnë e na respektojnë. Kjo natë është diçka e veçantë sepse unë jam kaq vite në Ulqin dhe nuk ka ndodhë ndonjëherë kaq atmosferë e mirë dhe të grumbullohen shqipëtarët e Ulqinit dhe shkodranët, gjithashtu dhe këngëtarët e të gjitha trevave shqiptare kudo që jetojnë, në Kosovë, Shqipërinë e jugut, Mali i Zi dhe të Maqedonisë. Thonë që historia përsëritet dhe në rastin tonë kjo është e vërtet. Pas një periudhe të gjatë ndërprerje dhe izolimi në sistemin e kaluar zemrat dhe traditat e dy qyteteve u bashkuan përsëri, tashti në kushte më komode e moderne. Nëpër rrugët e Shkodrës dhe Ulqinit shikon makina dhe autobuze me targa respektive, por kjo nuk është asgjë kur shikon në dasma spektakle e show, këngëtarë dhe orkestra nga këto dy treva që nuk njohin kufij shtetëror por kanë një moto të kaherëshme: “Të gëzojmë dhe të këndojmë së bashku”.

Gazeta Nacional