Buna në Pinjesh nga Muzafer Beljo Çausi
Kurrë nuk kam pasur qejf të luaj bixhoz me letra, por që një vjeshte, të turbullt dhe me shira, çdo ditë, në kafehanen e Boshkos, isha pranë tyre. Saktësisht, prapa tyre, pas letrave në duart e huaja – isha kibicer. Prapë, jo pse më interesonte rrjedha dhe përfundimi i lojës, i doja ata që luanin, ua shikoja fytyrat, më pëlqenin bisedat e tyre…
Shaqirin veshët e tradhtonin. Si i binin letra të mira, gjaku do t’ia kaplonte mollëzat, ndërsa veshët do të merrni ngjyrën e patlixhanit… Shqetësohej, s’i zihej vendi, Pastaj kriste dhe shante kah atyre që e përcillnin kur lojtarët kundërshtarë e merrnin me mend se çka fshihte në duar.
– Kurkush s’ t’ ka faj, ty vesht si danji “zvuçnik” të lajmërojnë në të gjitha anët – qeshnin të gjithë – ndërsa Shaqirit edhe më shumë gjaku ia skuq fytyrën.
Vetëm damarët e shuplakës së djathtë s’i punonin, ajo gjithmonë kishte të ftohtë. Një copë akulli! As dimrit, as verës nuk e hiqte prej saj atë dorezën prej leshi.
Ia hekuros nusja e djalit këmishën e bardhë, pantallonat drap, e qet kapelën, – burrë zotëri, par që s’del punë ta bindë të heqë atë dorezë, së paku sa për ta larë e terur, të mos e turpërojë në Ranë…
– Për të gjitha fajtore isht Buna, lagështia e saj m’ ka hy në eshtna, da ta marr me vedi në Pinjesh – thoshte vazhdimisht.
Hë, shikoj: njeriu e çon ujin e Bunës në majë të Pinjeshit, në varrezat e qytetit, në eshtrat e veta! Dhe, posi, vetëm ashtu nëse merret me vete diçka, sepse atje lart shkohet duarthatë…
Pis, grindavec! Shaqiri të gjithë i kalonte, si të gjithë njerëzit shtatshkurtër, kur me dikë bën fjalë.
Pastaj pak përkulet përpara, e mbyll njërin sy dhe duke u kërcënuar ia kallëzon shkopin. Por ai askënd askurrë s’e ka trembur, ajo vetëm ishte një shfaqje e çdoditshme në Ranë. Sa për të kaluar kohë, pak u duhet. E mbush bregun e detit zhurma dhe gazi dhe ashtu ranacakët e kalojnë një orë të ngadalshme vjeshte.
Atij tetori, dhe ditëve kur letra s’e donte kurrsesi, gjakun ia pinte dhe birit ta çonte në Bune.
Donte, thoshte, që edhe një herë ta shihte masën e qefullit në ujë dhe në tratkë…
– Ke lujt mendsh, i ke tetdhet vjet, mezi ecën rrugës! – asgjë s’ndihmonte: do po do, si ndonjë fëmijë i keq!
– Nse ti s’da me m’ çu, ka kush dan! – s’kam met unë pa miq! – kërcënohej, dhe në të njëjtën kohë duke lutur: – Vetëm kam me u ulë në bash të fllugës!… Kam m’u pshtjellë mirë dhe s’kam me ba za!
E dinin se ai fort rren; të mos fliste ai?!
U ul në skamin e fllugës, dy vetë e ndihmuan të hynte në të, dhe, me të vërtetë, u qetësua sikur të ishte ndonjë nuse! Vetëm sytë i shkëlqenin dhe pa iu dridhur qepalla, shikonte syprinën e qetë të detit.
E kishin harruar të gjithë atë kur një masë e vjeshtukut vizëlloi para bashit.
U shqetësua dhe pa zhurmë, duke pëshpëritur: mbaje, lëshoje, gërgoje… dhe e rrethuan peshkun.
Në sipërfaqen e ujit dallohej rendi i goglave, kur peshkaxhitë para vetes e panë fantazmën: Shaqirit vetëm maja e kresë i dallohej mbi ujë!
– Vozit përpara, vira, vira, shpejt! – komandonte nga uji – unë e maj me kamë plumin, s’ka me m’ikë asnji!…
Askush s’e vërejti se kur u zhvesh në fllugë në brekë të gjata dhe me nënkëmishë dhe kur prej kiçit ishte lëshuar në detin e ftohtë.
Pastaj kallëzonte se këtyre të rinjve të papërvojë kishte frikë se do t’u ikte e tërë masa e peshkut të vjeshtës nën rrjetë.
Ka ndodhur, me të vërtetë, që konopi me plumb i rrjetës të shkonte nëpër fundin me rërë, dhe, kur njëri qefull e gjen birën, pas saj shkojnë edhe të tjerët. Del peshku prej rrjetës si kur që rrjedh vaji prej lakamicës.
Djali, kur në mbrëmje erdhi ta merrte, e gjeti pranë një zjarri në breg të detit, të mbështjellë me një batanije.
– Je la, Apa? t’laftë hoxha n’ teneshir, ishalla! – luajti mendsh i biri.
Shaqiri ia nisi asaj nate të teshej, të kollej…
Vdiq dy muaj më vonë.
Ai e çoi një grusht uji të Bunës në Pinjesh!





