Fesi përmbi ujë nga Muzafer Beljo Çausi

January 23, 2014   | Kulturë / Kultura

Fesi përmbi ujëGojën s’e mbyll që kur u ul, ndërsa cigarja s’i luan nga buza e poshtme. Si ia del, nuk e kam të qartë, e aq më pak, si mundet që me sabah, të bluajë pa pushim.
Kallëzon Muhoja për një peshkim para tre vjetësh, deri sa nxehemi rreth shporetit në Kafehanen e Boshkos, duke pritur të shkonim të nxirrnim rrjetat.

– Salpaj unë – flet me “fff” dhe përpin fjalë – rrjetën time, vira – vira, leva – leva – nji mut! S’ka gja, as sa m’i xi nji fëltere.
E kapi Qiroja shamadorin, e mori rrjetën. Ftoftë, durt e nxime, ata penjtë e rrjetës si xhileta, me bërtitë, e as nji kokërr s’ka. Me plasë. Ta qifsha kët nafakë! si ta kishim gjujt Zotin me gurë.
Baroja s’ka qef as ta nxjerrë set rrjetën, e shef sa isht sahati. Par çka t’ bante, nisi të bante punën, të ikim nëpër shpija!
Vira, leva!.., kurgja, kurgja, kur: kuku, nanë! ç’isht kja!?
Kcei prej bashit Baroja, hyri në sanall, u trem, një çudë isht në rrjetë! – fërfëlloi Muhoja ma me za; tesh mezi ja marrim vesht fjalët.
Ajo cigarja lëviz fort me buzën, por prite Zot se bie.
– Avara, pak, avara, të shaf se ç’isht kja! – bërtet Baroja, e çka me pa, bir nane, kuku, se çfare gruje ishte! – vazhdoi – pasha Zotin, ma e trashë se kama jeme, ma se dy metra, aci s’kam pa kurr! Ja unë, par askush pi jush! – ma shum se njizet qiellesh, njizet e pesë, edhe ma!..
– Karubë, ma nerp karubën! Bërtet Baroja.
– Pa ta nap karin! – i bërtas unë, kur e ke lanë në mole, hajvan!
– Ma nep grremçin, t’ja ngul ksaj çudije, prapë, kërkon.
– Bërtit ti sa t’ dush, par gremç s’kemi pasë kurrë në fllugë!
Ajo gruja me dham mahet për rrjetë. Ka ardh, sigurisht, t’ hante nji sarg qi ishte ngatrru në rrjetë, pranej i ka met kafshat n’fyt. Aja nuk kapet me rrjeta… Likura i rrshjet, isht si gjarpën i madh, ate s’e nal syni i rrjetës. Veç kja e Baros, sluçajno! Asesi m’i qit n’ sanall, s’ ke si m’i kapë, ishte e fortë, si e bërkavi balastamanë, atë majen bashit, gruja – doli pi rrjete! Ra n’ujë, rrafi nja dy herë me bisht si me rrem dhe deti mi te u myll, s’u pa ma, iku, pshtej! Rinte Baroja maje bashit, isht zverdhë, mezi merr frymë, s’di çka shikan…
Shfreva unë – e përfundon tregimin Muhoja, dhe thaç: shyqyr! Shyqyr qi i iku aja gruja!
– Si, mare, shyqyr? – Sa zemërkeq qi je! – i thotë Boshkoja.
– Njashtu, tamam njashtu – se a mas na kishte dhanë ai fukara denji kurm gruje? – Pa, karucin, mirë qi i ka ikë, – ne asgja, e aj…
– Eee, masanej çuditesh pse ti nuk xe gja, ka Zat! – s’ja le Boshkoja.
– Mas, mare! S’ka Zat n’ gjonjë, punë dreqi isht kja. A e di ti, mare, se sa shpirta na i marrim n’ ditë, e peshku tuj dhanë frymë, kur e hap gojën, çka thotë: nem! Na nem, Bole! Na jemi të nemun me miljona herë, prandej e shef, na përparomë si mini ne brimë t’ murit, kurr s’ bahemi shpi…
– Po, çka mendon ti dhe shokët tu ta leni kët punë? Të gjithë bashkë i keni ma se dyqind vjet, bile keni me na shti në punë edhe t’ju xjerrim pi detit! – prapë s’e le dreqi rahat Boshkon.
– Pasi, me m’ xjerrë pi detit e m’ qitë n’ tokë, pi shiut n’ breshën, – ja faleminerës, ma mirë me m’ hangër peshku se krymat! Mirpa, shika knej, kur t’ m’ vinj dekiku, ka me m’ gjet dhe ktu, edhe n’ det dhe nën jargan. Nuk munesh, ti Bole, m’u mshef pi dekës mas shankut, e as qi ke m’i ik kuda qi ke m’u futë. Aja nuk vjen pi asku, as qi nget mas teje. Ate e ban me vete gjithkund. E ke në vedi në trup qysh kur je kriju me farë dhe aja rri kacuk, e shikan dakikun kur ka me t’gjetë dhe me t’ marr me vedi…
– Pa sa i mençëm qi je tesh natje, çda fjalë e flet si me qenë e Njegoshit.
– Mas m’ krahasa ti mu me atë popin tand, shyqyr zotit, jam musliman!..
– Ç’me ba, mar Muho, unë aty s’vetem gja, mirpa shneti isht ma me ranci, ruju, ti, mas me t’ rrafë era! – i ban me sy Boshkoja.
Të gjithë qeshen, u ka dalë mahmurllëku, ndërsa Muhoja e lag fytin me kafen e dytë…

Ia arritën dy shokë të moçëm të tij, kurrfarë shokësh, dhe të tre shkuan deri te anija, e gërgiten, sa s’shamatohen. Do të kthehet nga peshkimi cili do të teprojë…

– Hajt, – u bërtasin pi kafehanes – ju metë fesi mi ujë, ishalla, t’pushojnë ata t’shpis pi jush!
Haxhirja e Muhos da ta përzinte hallvën me rrem me qenë qi dikush i merr mushtulluk. E, ç’isht rrnesa, mare Zat, katerdhet vjet e ka prit deri sa ka qenë gjemxhi. Katërdhet vjet janë dishiru, kanë ba katër fmi, pi Skenderijes i ka pru benebrekë dhe boçe, e tesh s’ munen m’i pa me sy njini – tjetrin!..

E, dimrit të kaluar, vërtet i mbeti fesi përmbi ujë…
Mirëpo, Muhoja nuk ishte nën të, andaj Haxherja nuk ia bëri hallvën.

– Na xu mu dhe Qemon në Mole se baheshim gati për me shku n’ gjonjë, dhe na lut, qi me rrjetat tona, t’ja lshojmë edhe rrjetën e tij, masi pa shkojshim kah Valdanosi.
– Ma nep – i thot Qemali – na kemi m’i xjerrë natje dhe kemi me ta pru! Par ja, edhe aj da me ardhë me ne. Dhe ashtu u ba.
I nxorëm unë dhe Qemoja rrjetat tona, s’isht keq: ka korba, disa sargje, peshk për së mari.
Në rrjetën e Muhos – kurgja! s’ka as për nji mizditë.
– Pa si me pasë gja? – e gërget ortaku jem, kja rrjet isht ma plakë se ti, tanë e shkyme. Ma kallej kishe xan gja si t’i kishe shlu ata benebrekt e Haxhires!
Flet diçka, gungjat.
U nisëm mrapa, unë në kiç me pentë, ai rri në shkam midis fllugës, pi cigare, pshtyn n’ det, dersa Qemoja, sa mas me nejt kat, nis e neton rrjetën në bash.
Në njinën ishin xanë nja dhet letrika, razha, e çka me ba meta? n’pazar s’i blen kush, e na jemi ngi me peshk. Dhe secilën qi e xjerr pi rrjete, Qemoja e hedh n’ujë.
Unë e shaf Muhon: për secilin ban sikur me qenë gollman kur gjuhet n’ tap, fryn, shfryn. M’ kapi gazi.
Kur n’ det fluturoj dhe letrika e funit, ma e madhja, ma s’u duru, gati sa s’u hedh mas saj… N’ dakikun e funit u majt mas t’ binte n’ det, por fesin – francuskën – ia kapi era. Shkej n’ det!
– T’ kthehem, Muho?!
– Ja, s’ka gajle, vozit! Le t’shkonj fesi n’pith t’samës! e ti: – i foli Qemos – hidh peshk n’ det, hidh, munesh, i ke rrjetat plet!… Edhe magjypi, kur ka pasë mjeft tlyn e ka ly bythën!

Muzafer Beljo Causi Facebook