Ministri Bushati vizitë në Malin e Zi

January 24, 2014   | Rajoni / Region

lukshiq-bushatiMinistër i Jashtëm Dimiter Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi, gjatë të cilës pati takime me Presidentin e Republikës, Filip Vujanoviç, Kryetarin e Kuvendit, Ranko Krivokapiç, dhe me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian të Malit të Zi, Igor Lukshiç. Ne kete vizite, Ministri Bushati u shoqerua nga dy deputete te Qarkut te Shkodres, Mimoza Hafizi dhe Paulin Sterkaj.

Ministri Bushati u takua me drejtuesit kryesorë të partive parlamentare shqiptare dhe me përfaqësues të Këshillit Nacional Shqiptar. Në takimin zyrtar me Ministrin Lukshiç u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik dhe projektet konkrete në infrastrukturë, energjetike, turizëm; për bashkëpunimin ndërkufitar dhe atë rajonal, si dhe proceset integruese evropiane dhe euroatlantike. Gjatë bisedimeve, bashkëbiseduesit nënvizuan se ekziston një përputhje e plotë e objektivave strategjike të të dy vendeve në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO. Ministri Bushati rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Bushati tha se infrastruktura mbetet një prioritet për bashkëpunimin dypalësh. Ndër projektet konkrete u diskutuan: rrugët lidhëse në të dy anët e kufirit, vecanërisht ajo Velipojë-Ulqin, Korridori Adriatiko-Jonian, rruga Plavë-Podgoricë nëpërmjet territorit shqiptar, projekte të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në energjetikë u veçua gazsjellësi Trans Adriatik dhe lidhja e tij me IAP, për të cilin dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen e plotë dhe u angazhuan për të bashkëpunuar në të ardhmen.

Në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të plotësimit të paketës për t’i bërë kufijtë të padukshëm duke eliminuar barrierat jofizike, palët ranë dakord për nënshkrimin së afërmi të marrëveshjes për Njohjen e Lejeve të Drejtimit të automjeteve dhe diskutuan për hapjen e një pike të re të kalimit kufitar në Zogaj-Hutaj.

Ministri Bushati nënvizoi nevojën e ratifikimit nga pala malazeze të marrëveshjes së firmosur në fushën e Arsimit, me qëllim që t’i hapet rruga nënshkrimit të Protokollit për njohjen reciproke të diplomave universitare.
Gjatë bisedimeve u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për bashkëpunimin rajonal. Ministri Bushati theksoi se bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale është një proces komplementar dhe në funksion të integrimit evropian dhe atij euro-atlantik. Shqipëria ka presidencën e Nismës Adriatiko-Joniane dhe të Kartës së Adriatikut (A5) dhe pret të marrë presidencën e rradhës së SEECP-së.

Ministri Bushati theksoi se shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë një urë miqësie dhe bazë e sigurt për marrëdhëniet midis dy vendeve. Ata kanë kontribuar për pavarësinë e Malit të Zi dhe kontribuojnë sot për proceset integruese në NATO dhe BE. Ministri Bushati kërkoi trajtimin e çështjeve të decentralizimit të pushtetit vendor, vecanërisht zgjidhjen e statusit të Komunës së Tuzit me konsensus dhe frymë evropiane. Gjithashtu Ministri Bushati shprehu nevojen per nje perfaqesim me te denje te Shqiptareve ne te gjitha institucionet kushtetuese te vendit.

Ministri Bushati vlerësoi qendrimin konstruktiv të qeverisë së Malit të Zi në rajon, dhe për Kosovën, duke shprehur bindjen se një Kosovë e pavarur dhe demokratike dhe e përfshirë në të gjithë nismat rajonale i jep më shumë sinergji e dinamizëm marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, Ministri Bushati pati një takim me Presidentin e Malit të zi, Filip Vujanoviq. Në takim me të, Bushati siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Malit të Zi dhe gjithe rajonit në NATO.
Në takim me Kryetarin e Parlamentit Ranko Krivokapiç u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se te gjitha projektet e përbashkëta krijojnë një rrjet rajonal që pergatit vendet tona për një integrim më të shpejtë në BE, si dhe rrit konkurueshmërinë në tregjet rajonale dhe ato globale.

Gjatë vizitës zyrtare Ministri Bushati bëri një takim me përfaqësues të faktorit shqiptar në Mal të Zi. Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve të Malit të Zi në proceset integruese të vendit në BE dhe NATO, Ministri Bushati theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar seriozisht për hartuar projekte të reja ndërkufitare, si per shembull hapjen e pikave të reja kufitare. Gjate ketij takimi, bashkebiseduesit ndane mendimin se respektimi i te drejtave te Shqiptareve eshte ne interes te vete Malit te Zi. Ministri Bushati i garantoi bashkebiseduesit per mbeshtetje te vazhdueshme te qeverise Shqiptare ne kete drejtim.

(a.n/BalkanWeb)