Bushati kërkon rrugët lidhëse Ulqin – Velipojë

January 25, 2014   | Rajoni / Region

Bushati-LukshiqProjektet e përbashkëta mes Shqipërisë e Malit të Zi

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku u takua me presidentin malazez Filip Vujanoviç, kryetarin e Kuvendit, Ranko Krivokapiç, dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian të Malit të Zi, Igor Lukshiq.
Gjithashtu ministri Bushati u takua me drejtuesit kryesorë të partive parlamentare shqiptare dhe me përfaqësues të Këshillit Nacional Shqiptar.
Në takimin zyrtar me Ministrin Lukshiq u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe sidomos për bashkëpunimin ekonomik dhe projektet konkrete në infrastrukturë, energjetike, turizëm; për bashkëpunimin ndërkufitar dhe atë rajonal, si dhe proceset integruese evropiane dhe euroatlantike.
Ministri Bushati rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Bushati tha se infrastruktura mbetet një prioritet për bashkëpunimin dypalësh. Ndër projektet konkrete u diskutuan: Rrugët lidhëse në të dy anët e kufirit, veçanërisht ajo Velipojë-Ulqin, Korridori Adriatiko-Jonian, rruga Plavë-Podgoricë nëpërmjet territorit shqiptar, projekte të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në energjetikë u veçua gazsjellësi Trans Adriatik dhe lidhja e tij me TAP, për të cilin dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen e plotë dhe u angazhuan për të bashkëpunuar në të ardhmen.
Në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të plotësimit të paketës për t’i bërë kufijtë të padukshëm duke eliminuar barrierat jofizike, palët ranë dakord për nënshkrimin së afërmi të marrëveshjes për “Njohjen e Lejeve të Drejtimit të Automjeteve” dhe diskutuan për hapjen e një pike të re të kalimit kufitar në Zogaj-Hutaj.
Ministri Bushati nënvizoi nevojën e ratifikimit nga pala malazeze të marrëveshjes së firmosur në fushën e arsimit, me qëllim që t’i hapet rruga nënshkrimit të Protokollit për njohjen reciproke të diplomave universitare.
Gjatë bisedimeve u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për bashkëpunimin rajonal. Ministri Bushati theksoi se, bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale është një proces komplementar dhe në funksion të integrimit evropian dhe atij euro-atlantik. Shqipëria ka presidencën e nismës Adriatiko-Joniane dhe të Kartës së Adriatikut (A5) dhe pret të marrë presidencën e radhës së SEECP-së
Ministri Bushati theksoi se, shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë një urë miqësie dhe bazë e sigurt për marrëdhëniet midis dy vendeve. Ata kanë kontribuar për pavarësinë e Malit të Zi dhe kontribuojnë sot për proceset integruese në NATO dhe BE. Ministri Bushati kërkoi trajtimin e çështjeve të decentralizimit të pushtetit vendor, veçanërisht zgjidhjen e statusit të komunës së Tuzit me konsensus dhe frymë evropiane. Gjithashtu ministri Bushati shprehu nevojën për një përfaqësim me të denjë të shqiptarëve në të gjitha institucionet kushtetuese të vendit.
Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin konstruktiv të qeverisë së Malit të Zi në rajon, dhe për Kosovën, duke shprehur bindjen se një Kosovë e pavarur dhe demokratike dhe e përfshirë në të gjithë nismat rajonale i jep më shumë sinergji e dinamizëm marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon.

/Shekulli Online/ E.L./