Fatmir Toçi: Shqiptarët humbasin drejtimin e Ulqinit pas 24 vjetësh (!)

January 27, 2014   | Real Estate

Fatmir TociNJE LAJM I TRISHTE NGA ZGJEDHJET NE ULQIN

I papritur dhe i trishtë është lajmi që vjen pas hapjes së kutive të votimit nga zgjedhjet vendore në komunën e Ulqinit me mbi 20 mijë banorë, të ndarë pothuaj barabar midis qytetit dhe 38 fshatrave që përbëjnë komunën me të njëjtën emër. Pas plot 24 vjetësh, kur kanë qenë shqiptarët që kanë drejtuar e organizuar punët e qytetit të Ulqinit e fshatrave përreth, mandati i kalon një përfaqësuesi të pakicës malazeze, i cili mundi të marrë 9 këshilltarë në këshillin e komunës, edhe pse shqiptarët në këtë komunë përbëjnë rreth 75 përqind të popullsisë.Partitë shqiptare të përçara, të copëzuara e në mungesë të habitshme bashkëpunimi morën 18 këshilltarë, që do të thotë se të gjitha bashkë fitojnë në çdo garë elektorale. Por ishte pikërisht kjo përçarje e mungesë e kahershme bashkëpunimi që ia dhuroi mandatin e kryetarit të komunës një partie tjetër joshqiptare.Nuk është hera e parë që partitë shqiptare “bëjnë autogol” duke lëshuar terren dhe duke lëshuar pushtet në politikën e vendit fqinj, Malit të Zi. Edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, po për shkak të përçarjes të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi shqiptarët morën një deputet më pak duke lëshuar terren dhe duke pasur një zë më pak në Parlamentin malazez.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve është domethënia më e qartë për përçarjen dhe mungesën e bashkëpunimit midis shqiptarëve në Malin e Zi, por kryesisht e partive të shumta politike, e drejtuesve të tyre, që duket që e kanë ndarë Ulqinin në bastione interesash partiake duke harruar përkatësinë kombëtare, interesat që nuk i ndajnë, por i bashkojnë, duke gjeneruar edhe një frymë dasie, mosbashkëpunimi e konklikti edhe midis popullsisë shqiptare në shtetin fqinj.

E kam përjetuar dyfish keq këtë lajm të papritur në kohën kur shqiptarët janë bërë një faktor i vërtetë stabiliteti dhe bashkëpunimi në republikën e Malit të Zi, kur shqiptarët kishin më shumë se dy dekada që po tregonin se dinë të drejtojnë, administrojnë e qeverisin me përgjegjësi në vendet ku jetojnë e punojnë. Në zonat që kanë marrë zhvillime të dukshme dhe kanë pësuar transformime pozitive për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe në shërbim të banorëve për përmirësimin e jetës së tyre.

Ulqini është për mua qyteti bregdetar shqiptar që, pas Vlorës, e preferoj dhe e dua më shumë; për qytetarinë e tij, për qetësinë dhe mikpritjen e banorëve, për zhvillimin mesdhetar të turismit, për pastërtinë, për kulturën e lashtë dhe të re, për gjuhën e pastër që flitet e të kriojon ndjesinë sikur të jesh në Shkodër, për kulinarinë tradicionale me bazë prodhimet e detit, për etjen për arsim e dije.

Për më shumë se 10 vjet kam qenë ndër protagonistët për organizimin e panaireve verore të librit në shëtitoren e Plazhit të Vogël të Ulqinit; veprimtari rajonale mbresëlënëse që ulqinakët ditën t’i kthejnë në ngjarje kulturore të përmasave e të mesazheve të mëdha bashkëpunimi, ku si asnjëherë tjetër mblodhën në qytetin e historisë, mikpritjes e turizmit figurat më të shquara të kulturës e politikës nga i gjithë Rajoni, që nga prezenca në masë e shkrimtarëve, poetëve, studiuesve etj., e deri tek autoritetet më të larta, ministrat e presidentët e të dy vendeve.

Dua të besoj se kjo humbje e hidhur e qeverisjes së Ulqinit nga shqiptarët do të jetë një moment serioz reflektimi për faktorin politik shqiptar, i cili, pavarësisht nga alternativat politike të zhvillimit që kanë në programet e partive të tyre, duhet të gjejnë forcën për të qenë bashkë në gara të tilla madhore siç janë zgjedhjet vendore apo të përgjithshme, si një mesazh jo vetëm uniteti e bashkëpunimi, por edhe kompaktësimi të faktori shqiptar në interes të zhvillimeve kombëtare në të gjitha fushat.

Fatmir Toci Facebook