Mediat: Pas 24 vitesh, Ulqini nuk do drejtohet më nga shqiptarët

January 27, 2014   | Sporti / Sport

Fitorja-e-malazezeve-me-flamur-shqiptar-1Në zgjedhjet lokale të së dielës në Mal të Zi, partia e Milo Gjukanoviç ka arritur të marrë më shumë mandate në Asamblenë e Ulqinit.

Kështu, pas 24 vjetësh, kjo komunë me shumicë shqiptare nuk do të udhëhiqet nga një parti shqiptare.

Kryetari i deritanishëm, Nazif Cungu, ka thënë se nuk e ka pritur humbjen e partisë së tij, Forca e Re Demokratike, e cila ka marrë tetë vende në Asamble, ndërsa partia e Gjukanoviç ka marrë një më shumë.

Në një deklaratë të partisë së Nazif Cungut thuhet se e pranojnë humbjen, ndërsa do të punojnë që në zgjedhjet e ardhshme të rimarrin pushtetin në qytetin e Ulqinit.

“Z. Cungu shtoi se padyshim që nuk e priste një rënie të tillë në këto zgjedhje, por gjithsesi ky rezultat do të shërbente si shkollë për Forcën dhe kjo parti do të punonte më shumë e më mirë në të ardhmen. Në fund kryetari i Forcës deklaroi se pavarësisht nga kjo betejë, lufta e Forcës në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe në përmbushjen e programit të vet politik nuk do të ndalet, por do të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e Forcës së Re Demokratike.

EXPRESS