Mbreti i Mashanit ga Muzafer Beljo Çausi

January 28, 2014   | Kulturë / Kultura

Mbreti i Mashanit ga Muzafer Beljo Causi– Rroftë Mreti, çika Mašane! – bërtisnin fëmijët pas tij.
– Rrnofshi ju, fmijë! Zoti ju rujt! – iu përgjigjej.
Dinte e tërë çarshia të argëtohej në hesap të Mashanit, ithtarit të fundit të mbretit. Askush nuk pyeste se për cilin mbret ishte fjala, e as për arsyet pse Mashani, ujësjellës në Kripore, aq e donte, sa nuk e fshehte, sa që kishte guxim t’u kundërvihej pushtetarëve komunistë. Mirëpo, s’i ka kushtuar aq shumë dashuria për mbretin, askush s’ia zinte për të madhe, e as që e merrnin në pyetje. Thjeshtë, ishte e ditur, kur ta takoje Mashanin, e përshëndet për atë “kralin e tij”, e ai, me njerëzillek, po të ishte në çfarëdo pune, ta kthente përshëndetjen dhe vazhdonte tutje.
E shohin bjerrakohësit se po shkonte në Pazar, ashtu i shkurtër dhe shtrembaluq, u ndalën në nja dhjet metra larg njeri nga tjetri dhe secili i bërtet:
– Rrnoft mreti!
– Rrnofsh ti, bir! – me pritesë u përgjigjej Mashani, që arrinte deri tjetri i cili do ta pyeste njësoj dhe ai po njësoj t’ia kthente. Dhe ashtu, gjatë tërë pazarit… Bjerrakohësit argëtoheshin, shpotiteshin pa zemër të keqe; ai nuk hidhërohej, edhe pse, s’ka dyshim e merrte vesh lojën e tyre.
Askush në fqinjësi nuk ka dëgjuar që në gruan e vet, Stankën, të ketë ngritur zërin. As ajo në të. Nuk kishin fëmijë, e kishin në kujdes njëri – tjetrin, ashtu qe gati një gjysmë shekulli.
Mashani e donte Mbretin, kujdesej për Stankën dhe jetonte për parangalla, siç thoshte. E vërteta fjala është për tonja, një pe prej najloni, mjaft i trashë, jo shumë i gjatë, me një grep shumë të madh në fillim. Zinte peshk të egër shkëmbinjsh: grua dhe mrina, andaj grepin e lidhte më parë në nja dy – tri pëllëmbë tel bakri, sepse shpesh i gjente parangallat e këputura me dhëmbë. Ndërsa grepat e Mashanit ishin kallëzime në vete. Nuk i pëlqenin ata grepat e vegjël, më të vegjël se gjysma e shuplakës së vet, ndërsa shuplakën e kishte, faleminderës Zotit, si pirajka për me la teshat e bardha.
– Ose do të xa si duhet, ose da ta la!– ishte rregulli i tij.
Grepi i madh, i madh e joshës – peshku i madh, – besonte dhe kësaj i përmbahej. Në mbrëmje, para se binte teri, i lëshonte nëpër gropa mes shkëmbinjve, tri tonja, jo më shumë.
– Po si, more burrë, gjithë atë punë që e bën, aq larg duhet të shkosh deri te kepat tu vetëm për tre grepa!? – gjithkush i thoshte. E si të mos i thoshin? – Mashani, deri te vendi i gjonjës së tij, te shkëmbinjtë në mes të[ zavalleve të Bashbylykut dhe Opalike, ecte në këmbë gati dy orë. Së paku të ishte ndonjë rrugicë dhish, por të kesh frikë edhe ditën të ecësh atypari, e le më të kthehesh për terr me fener ose me ndonjë bateri të harxhuar.
– Po të kem nafakë, tre parangalla do të zënë kokrra si duhet, veç sa të më dojë nafaka, keni me pa ju! – qetë fliste Mashani.
Asaj vjeshte i ka zënë disa kokrra të mira gruja dhe mrina, e një mbrëmjeje e ka nxjerrë një korbë të zezë, më shumë se dy kilogramësh. Grepi i ishte ngulur në verza, deri sa mendonte ta hante atë bokfën në të…
U bë kasavet Stanka një nate pse ende nuk erdhi, e kishte zakon të vinte që para një ore. U shqetësua, vendi – vend s’e zinte. Shkoi te Halili, fqinji i parë, dhe iu ankua. Halili u bë serioz, e dinte se Mashani veç ashtu nuk i ndërronte rregullat e veta. Por, që ta qetësonte Stankën, e ftoi të hynte, të pinte një kafe, kishte gështenja të pjekura, se Mashani shpejt vjen… Mirëpo kaloi edhe një orë, ndërsa Mashani s’ erdhi… Dolën në oborr, shikuan nëpër terr, i thyejnë gishtat, trazohen, asnjë s’flet një fjalë…
Kur kishte kaluar mesnata, nga terri i ullishtës del Mashani i kërrusur, që mezi merr frymë dhe mezi ecën. Nuk e ka strajcën që mban tonjat, s’e ka as baterinë.
Stanka bëri “kuku”. I dolën përpara dhe e ndihmuan të hynte në shtëpi.
I gërvishtur nëpër tërë fytyrën, gjunjët i kishte të përgjakura, duart plot varrë, dridhej….
– I ziu ti, Mašo, pa ku mm’je rrxu? – E kam ditur, e shkreta unë, të kam folur sa herë! – e qortonte me kujdes Stanka.
– Kurgja s’kam, tana kanë me kalu!, por aja çudija s’ka m’u kthy ma! E e kam prit çysh qi jam gjallë… – luante Mashani me kokë.
– Pa çfarë peshku ka qenë, ka qenë peshk, kuku nanë, pa shika, aja s’ ishte peshk, aja ishte, aja ishte…. – mret! Mret i peshkut ka qenë ajo, mare njerz!

Të nesërmen s’ka mundur të çohej nga shtrati, çdo gjë i ka dhimbur. Ka mbetur ratë, dhe ashtu qëndroi një muaj ditë. E vizitonin fqinjët, kushërinj dhe miq peshkatarë.
Pa u lodhur të gjithëve ua ka përsëritur kallëzimin:
I ka vënë mezet në tre grepat e veta dhe i ka zgjedhur gropat ku do t’i lëshonte parangallat. Në një grep e ka vënë një marxhan të gjallë, që sapo e zuri me grep të vogël, dhe e hodhi në mes të dy kepave, në një shkrapë, të thellë dhe të errët. I lidhi tonjat për do thepa, u ul dhe ndezi një cigare. S’kaluan as pesë minuta, tonja me marzhan u agantua, donte të këputej. Shpejt e kapi shpagën, me kujdes e provoi, e cimoi dhe nisi ta çonte. Por s’e luan gjë! S’ luan dhe s’ka zot që e tërheq. Tamam sa kujtoi se grepi do të ketë mbetur në ndonjë plasë mes shkëmbinjsh në fund, kur tonja ia nisi të luante andej-këndej. Ai e tërhoqi me forcë, përgjigja iu dha edhe më me forcë, e rrëzoi në gjunjë, ndërsa shpaga e lidhur për dore ia preu mishin. Peshku prapë u ndal, nuk mundte ta luante vendit. Mashani kaloi në një shkëmb kundruall, doli në një kep, provoi ta tërhiqte nga ana e kundërt. Asgjë! E ngrehu tonjën sa i kishte dhënë Zoti forcë dhe qëndroi ashtu, duke pritur se lodhja dhe dhimba do ta detyronin peshkun të lëvizte. Këmbët e lagura i nisën t’i dridheshin duke ndenjur në një vend, litari i hollë i është futur thellë në mishi e shuplakës, në disa vende e shihte gjakun që i delte. Terri veç e kishte mbuluar bregun e detit, dëgjohej vetëm rrahja e tallazeve të vogla mbi rrasa. Ai rrinte i qetë dhe i ngrirë, i kthyer pas në një pozitë të pazakontë, duke e mbajtur shpagën e tërhequr fort, duke e mbajtur atë peshk të fuqishëm!
Nuk e dinte Mashani se sa kohë kishte kaluar, se sa kohë ka qëndruar ashtu i palëvizshëm, tri – katër orë, sigurisht, kur në një çast, pa dhënë asnjëfarë shenji, e lëshoi shpagën e ngrehur, dhe, kur nën këmbët e tija, u çuan tallazet. Peshku tash me fuqi rrihte në sipërfaqe, Mashani me panik e mblodhi shpagën, e zvogëloi largësinë në mes të peshkut dhe vetes. Në momentin kur dy herë e mbështolli atë litar rreth dorës, peshku u nis drejt e në fund. Mashani prapë u rrëzua në gjunjë, por që tonja s’i doli nga dora, spangoja ishte i futur në mish. Virri nga dhimba, edhe pak dhe do të shkonte pas peshkut në ujë, do ta zinte peshku atë… , por u lirua litari, – peshku s’ishte më në parangall!
Ajo kishte ikur, e kishte marrë grepin me vete, e kishte mbytur Mashanin.

E pra, o sa mirë ishte… kur e mbante me ato duart e përgjakura, deri sa e ndiente se ishte aty, kur së paku kishte shpresë se ishte e tij… S’ka gjë që kishte dhimba, duart shërohen, shpirti jo. Kurrë më pastaj s’do të jetë njësoj.

– Rren, mare, ku ka aci peshku në bregun tonë? Sigurisht isht rrxu nëpër shkaminj, ka marre me pranu… – pëshpëritnin vizitorët e tij, deri sa Stanka i përcillte.
Ajo nuk hidhërohej, edhe asaj i tërë kallëzimi i dukej i dyshimtë.

Kur bëri më mirë, Mashani s’i përmendi më parangallat…
Stanka aq më pak: – Dhashtë Zoti të mas shkojë ma në gjonjë!

Kah fundi i verës së kaluar, Në Mole ishte mbledhur një popull i madh, kur një grup i peshkatarëve nën ujë nga Beogradi, u kthyen nga gjonja, nga ana e Bashbylykut.
Në anije e kishin një kërnjë mbi 35 kilogramësh. Në cepin e buzës i dukej një tel prej bakri, ndërsa grepi i ndryshkur i kishte mbetur thellë në fyt… një grep i madh sa një bërçik i dorës së Mashanit.
– Mbreti i Mashanit! – ia qëlluan menjëherë vendasit, ndërsa zhytësit shikonin me habi.

Nikoja nuk pritoi të vraponte ke Mashani, që sa më parë ta bënte me dije se e kishin zënë atë peshkun “e tij”.
Vetëm sa, kallëzoi Nikoja pastaj – ai ka bërë me dorë: “lere”, pa lëvizur nga vendi:
– Shikoni ju, unë e kam pa ma hejret!