Reagimi i Studenteve te Ulqinit ne Prishtine per situaten politike aktuale ne Ulqin

January 28, 2014   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

Studentët e Ulqinit në Prishtine-1
Studentët, viktimat më të rrezikuara thërrasin për një zgjidhje kombëtare

Duke u nisur nga situata  politike e krijuar së fundmi në Ulqin, në si studentë nga Ulqini ndiejmë obligimin moral dhe atdhetar që të reagojmë pasi që e ardhmja jonë konsiderojmë se gjendet në rrezik.

Deri te kjo situatë ka ardhur për një varg arsyesh, ku përgjegjësia fillon nga klasa politike deri tek vet populli. Deri te kjo “votë e ndershme e PDS-së”  ka ardhur si shkak i gjendjes së rënduar ekonomike të krijuar në popull, vyshkjes së vetëdijes kombëtare, shantazheve të natyrave të ndryshme duke filluar nga sigurimi i praktikës profesionale e tutje, injorancës dhe shitjes direkte të votës së lirë, duke mos anashkaluar dhe ndasitë e mëdha të krijuara në mes faktorit politik nacional shqiptar. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e elektoratit ka ndryshuar qëndrimin e vet brenda natës e mos të themi brenda minutave para mbylljes së qendrave të votimit.

Duke u gjendur para aktit të kryer, sot jemi në këtë situatë ku rrezikohet identiteti i shqiptarëve autokton në këto treva. Me ardhjen e një partie jo shqiptare (sado pro shqiptare të reklamohet) që në vetvete përmbanë “pseudoshqiptar”, të gjithë shqiptarëve iu humbet e drejta morale për të kërkuar avancimin e të drejtave etnike në këtë shtet, ku të drejtat e pakicës shqiptare janë të realizuara në një nivel tepër të ulët.

Andaj ne si studentë, ndiejmë se e ardhmja jonë është seriozisht e rrezikuar dhe i bëjmë thirrje faktorit politik shqiptar që të tejkalojnë inatet dhe problemet personale duke e vënë interesin e popullit para çdo interesi tjetër. Mundësia e një koalicioni të tillë ekziston, duke mos dashur të ngrisim njërin dhe ulur tjetrin, poashtu duke lënë anash lokalizmat sepse para së gjithash jemi të gjithë shqiptarë, qoftë edhe duke e ndarë mandatin e të parit të Ulqinit. Konica shumë vjet më parë e besoj edhe sot njëjtë do kishte thënë, “Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni.”

Ata të cilët sot e vendosin interesin personal para atij kombëtar, nesër do t’i dënojë historia.

 

Studentët e Ulqinit në Prishtinë, SUP