Burrat kanë ngrënë mëngjes bashkë

January 29, 2014   | Ngjarjet - Events

Gjeka-Cungu-Zenka-1Nazif Cungu, Fatmir Gjeka e Mehmet Zenka duket se janë takuar sot në një nga lokalet e Podgoricës për mëngjes.

Cungu, kryetar i Forcës së re demokratike, e cila ka fituar 8 ulëse në Kuvendin e Ulqinit, ka deklaruar se Gjeka, bartës i listës së koalicionit “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” me 7 ulëse, ka lëshuar tavolinën e bisedimeve ende pa filluar mirë. Sipas Cungut, Gjeka tashmë ka bërë koalicion me partinë malazeze të Milo Gjukanoviqit, e cila fitoi numrin më të madh të votave në Ulqin, gjegjësisht 9 ulëse në Kuvend.

Por Gjeka i ka demantuar negociatat duke thënë se ata vetëm se kishin ngrënë mëngjes pas një takimi pune në Podgoricë dhe se nuk ka pasur akoma negociata për bashkë-qeverisje në Ulqin.

Analistë e qytetarë të Ulqinit mendojnë se koalicioni për qeverisje në Ulqin do të bëhet në mes të partisë malazeze, koalicionit të udhëhequr nga Fatmir Gjeka, dhe Unionit Demokratik të Mehmet Zenkës.

Partitë shqiptare tashmë kanë deklaruar se duan të bisedojnë për një koalicion të mundshëm por pak kush beson në vërtetësinë e këtij informacioni. Pa u ulur mirë në tryezën e bisedimeve kanë filluar akuzat e ndërsjellta, gjë që të bën të mendosh se e gjitha po thuhet sa për të kënaqur veshët e popullit, qoftë edhe për një kohë të shkurtër.

Gjeka ka deklaruar se koalicioni shqiptarë është i mundshëm vetëm nëse atij i lëshohet pozita e kryetarit të Komunës. Të njëjtin kusht ky ka përmendur edhe për koalicionin e mundshëm me partinë malazeze.

Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro Facebook