Ne kaq ( s’ ) meritojmë ! nga Esat Mehmeti

January 29, 2014   | Kulturë / Kultura, Rajoni / Region

Pamje nga UlqiniShkruan :

Esat Mehmeti, gazetar i radio Ulqinit

 

                                       Ne  kaq ( s’ ) meritojmë !

            E çuditëshme është kjo që ka ngjanë këtyre ditëve në skenën politike këtu në Ulqin. Është e pakuptimë, por s’ishte e papritshme kjo që ka ngjarë në këtë katrahurë. Qofsha i gabuar !, por realiteti është ky që është. Për hërë të parë pas 24 viteve pluralizëm, në Ulqin zgjedhjet i fiton një parti malazeze. E keqja qëndron mes nesh. Ata fituan me fajin tonë. Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja, këtu diçka çalon ! diç nuk shkon ashtu si duhet. Në radhë të parë, diçka nuk është në rregull me ne. Po pikërisht me ne, me udhëheqësit tanë, të cilët e kanë ndarë dhe përçarë këtë popull të ngratë, këta e kanë edhe përgjegjësinë më të madhe. Nga viti 90’ e këndej, pothuaj sa herë kemi zgjedhje të reja, këtu, krijohet nga një subjekt i ri, e ndërrohen koalicione. E vërteta është se jemi këta që jemi. Ky popull s’mund të ndërrohet, e të vij një tjetër në vend të tij, Edhe përkundër asaj se ndoshta, ndokush edhe e ëndërron një dukuri të tillë!. Andaj, politikanët tanë duhet të jenë më të kujdesshëm, më të matur, më tolerues ndaj njëri-tjetrit, e jo sa herë inatosen, krijojnë parti të reja. Partinë nuk e krijon votuesi i theshtë. Partinë e formon ai i cili i ka shijuar atributet e saj. Partinë e themelon ai i cili nuk pajtohet me vendin e dytë, por dëshiron të jetë gjithmonë i pari. Andaj dhe jemi këta që jemi. Jemi dëshmitarë të kësaj çfarë ka ndodhë gjatë këtyre viteve, dhe ç’farë po ngjanë tani. Andaj, shtrohet pyetja, ç’farë kemi pritur nga këto zgjedhje ?. Kur votuesi është lënë në udhëkryqe të jetës, e aq më tepër kur e ka lodhur pesha e rëndë e jetës. Është lodhur nga politika ditore. Nuk mjafton me ju qajtur hallin të vuajturve, por atyre duhet dhënë dorën e lehtësuar vuajtjet. E ardhmje nuk ndertohet nga urrejtja ndaj njëri –tjetrit. Ajo ndërtohet me aksione konkrete .

Në një mjedis ku njerëzit nuk thonë atë që ndijnë, dhe nuk nuk ndijnë atë që thonë, atëherë edhe  punët, padyshim dalin ndryshe. E vërteta është se populli i votoi edhe partitë të tjera. Por s’duhet harruar se gjatë fushatës zgjedhore, u përdorën metoda dhe ushtruan presione nga më të ndryshmet. E aq më tepër kur kemi të bëjmë me të “ fortin “.Është shumë lehtë të manipulohet me ata të cilët janë të lodhur nga pesha dhe hallet e jetës, të rraskapitur e të dërmuar ekonomikisht. Madje duke u premtuar edhe gjëra më të imta, edhe nga ato më të parealizuara e të pakuptimta e duke bërë pazare. Premtuan, e çka nuk premtuan, vetëm e vetëm për të qeverisur e mbajtur pushtetin fortë. Ashtu siç janë duke e mbajur pushtetin qendror me një ekonomi  tepër të lodhur. Kur segmenti shoqëror, pothuaj është shkatërruar fare, apo, ku jeta merr kahjen e një papërspektive. Kjo është ajo e cila na pret, e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Ku fukarallëku çdo ditë e më tepër troket në  shtëpitë tona. Ku radha e gjatë e të papunëve rritet dita-ditës. Me dorën e zgjatur e kanë mbajtu, dhe gjithnjë mundohen ta mbajnë edhe Ulqinin. Andaj, nga kjo, sot Ulqini ka tratmanin e më të varfërit në shkallë republike. Por në anën tjetër duhet folur “hakun” se janë  “ekspert” dhe të trajnuar mirë për të zhvilluar e mbajtur  zgjedhje, e aq më tepër për të mbajtur rezultatin e tyre .

Por, jo vetëm kaq. E keqja edhe më e madhe qendron  ndër ne, të udhëheqësit tanë. E gjithë kjo erdhi si rezultat i moskoordinimit të mendimeve dhe mungesës së një veprimi organizativ, apo më mirë të themi, mungesë e një  kulture politike. Autoritetet politike, sigurisht se nuk e kanë menduar mirë këtë që ngjau në  zgjedhjet e fundit, sepse po të ishte menduar mirë, nuk do të vepronin kështu të ndarë në disa parti politike. Këto treva dhe ky popull me traditë, ku shkalla e vetëdijes dhe zhvillimi shpirtëror është e ngritur, andaj meriton edhe më shumë. Ky popull, përherë ka ruajtur dhe trashëguar kulturën dhe identitetin kombëtar, ka ruajtur vëlera të mirëfillta, kulturore dhe shpirtërore. Ky popull ka vuajtur dhe ka sakrifikuar për çeshtje madhore. Edhe në kohërat më të vështira ka folur edhe atëherër kur ishte e ndaluar, kur të tjrët heshtnin. Por edhe si shumëherë, ndonëse edhe në heshtje, me shpirt e zemër, përherë në mënyrën e vet e ka shfaqur mëllefin dhe paknaqësinë ndaj dukurive negative. Por kjo nuk është e veçanta. Nuk është hera e parë që këtij mjedisi i mungon një organizim i tillë. Ulqini, ndoshta  i vogël  për nga territori, por i madh nga dëshira për të qenë  pjesë e gëzimeve të mëdha.

Shpesh fitohet bindja se shqiptarëve të këtij mjdisi, por edhe më gjërë, jashtë kufijve politikë të shtetit amë, ende u mungon një strategji kombëtrare se si t’i qasen realizimit të objektivave të tyre kombëtare. Mbrojtja e identitetit kombëtar është vlerë e madhe .Problemet politike, nuk zgjidhen me deklerata politike, por me strategji politike. Lufta politike, mund të bëhet vetëm me argumente .

Udhëheqësit tanë, jo rrallë symbyllas e anashkalojnë këtë mjedis, duke harruar se shumë prej tyre, sot kanë bërë emër dhe karierë, kanë dalë nga gjiri i këtij populli. Ndonëse përfaqësuesit tanë politik, duke mos  lënë mënjanë kokëfortësinë, huqet dhe inatet personale u ndanë dhe u përçanë. Kështu, harrojnë se ky vend nuk është  vetëm pronë e tyre, por edhe i të tjerëve. Është vendi që i bashkon shqiptarët.

Sa i çuditësme, është edhe i neveritshëm fakti se “ Politikani “ ynë, duke i  shfrytëzuar e  “lodruar“ atributet e një subjekti politik shqiptar të këtij mjedisi, u rrit dhe bëri karierë  vite me radhë, madje edhe duke u  avansuar në majen e pushtetit  dhe më lartë …,ose tjetri, me siglën e një subjekti tjetër, i cili edhe sot e kësaj dite, ushtron  dhe funksione kyçe. Për hirë të inateve dhe huqeve, nga lakmia e tepërt për të zënë ndonjë vend në poste të larta, këta, brenda një nate rreshtohen dhe “zbukurojnë” radhet e një subjekti tjetër. Por jo vetëm kaq. Nuk ishin vetëm këta në këtë panel. Ishin edhe të tjerë. Kishte  edhe nga ato të cilët ishin veshur me kostume dhe kollare ( ndoshta, ndonjëri prej tyre e kishte edhe për herë të parë kollarën  atë mbrëmje, ose ishte ulur për herë të parë  në panelin e parë të një mbrëmje solemne), vetëm e vetëm  për t’u dukur të bukur, apo zbukurur panelin e asaj nate. Këtu, kurgjë e keqe nuk është .E keqja qendron, se disa nga këto, nuk kanë kurgjë të përbashkët  me këtë subjekt. Politika e përçarjes, nuk i kontribon të ardhmes. Këta nuk i kanë kontribuar as subjektit ku e kanë zbukuruar panelin e asaj mbrëmje. Ata, aty vetëm kanë bërë foto. Mendoj se vota e tyre është e kushtëzuar tjetërkund, atje ku është biznesi. Këtë e dijnë edhe ata vet, edhe të tjerët .Këtë e din edhe subjekti nikoqir. Vallë çfarë t’i thëmi kësaj ? !, Nejse, është e drejta dhe zgjedhja e tyre. Por vlera e njeriut është karakteri e morali i tij i lartë, e jo veshja, Njeriu peshon dhe vlersohet në bazë të diturisë, punës dhe mirëqenies që posedon. Këta, kanë hapur edhe biznese, i përgëzoj…është për t’u lavdëruar…por vallë ! mira e së mirës është mos të bëhen pazare me fuqinë punëtorte për çeshtjen e votës. Kjo nuk është e ndershme, nuk është humane, e aq më pak kombëtare. Koha do t’i tregojë. Historia është e vetmja shkencë e cila gjërat e fsheta i zbardhë pas disa viteve. Një fjalë e urtë popullore thotë : “Shoqërohu me shokun me të cilin të bashkon vështërsia dhe largoju shokut me të cilin të bashkon  rahatija

Andaj, jo vetëm kaq. E keqja edhe më e madhe sa vjen e shtohet. Nisur nga përvoja disavjeçare, nuk është vështirë të përfundohet se subjektet politike shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë, janë të zotët për t’u ndarë e për t’u coptuar, por jo për t’u bashkuar e për të krijuar një krah të fortë politik. Këtë fakt e dëshmon më së miri ndarja dhe formimi i shumë partive politike, dështimi i koalicioneve etj. Këta sikur harrojnë interesat kombëtare, shpesh edhe  duke u bërë të mërzitëshëm para masës së gjerë me deklarata  e qendrimet  e tyre vetanake, duke akuzuar njëri-tjetrin për dështime, e në anën tjetër  e kanë harruar vehten. Mbrojtja e identitetit kombëtar është vlerë e madhe. Problemet politike, nuk zgjidhen me deklerata politike, por me strategji politike. Lufta politike , mund të bëhet vetëm me argumente .

                        Vallë, ku çon politika e përçarjes ?.

Andaj, mos harroni se pasuria  më e madhe  që mund të fitoni nga populli, është besimi i tij ndaj jush. Besimin e popullit mund ta fitoni shumë vështirë, por mund ta humbni shumë shpejt. Neriu, besimin në radhë të parë duhet ta kërkojë në vetvete. Ai që humb besimin e popullit, i ka  humbur të gjitha. Besimin  e popullit e fitojnë vetëm ata që vihen në shërbim të popullit të vet, duke qenë të zhveshur nga karrierizmi, lakmia për pasuri e pushtet, nga pasionet dhe veset e liga. Ata që mendojnë se populli duhet t’i vihet në shërbim të tyre, ata janë të humbur. Populli në udhëheqësit e vet vërenë cilësitë dhe tiparët e tyre. Ai i don dhe i çmon njerëzit e veprave, e jo të fjalëve …Udhëheqësit dhe intelektualët janë pasqyra  e një populli. Shpirti i një populli është udhëheqësi i mirë, ai që e përfaqëson popullin e vet në mënyrë të denjë, që realizon dëshirat, qëllimet dhe synimet e tij duke u bërë figurë integruese për  popullin  e vet. Andaj, është e pafalshme  sjellja e disa politikanëve tanë që kanë filluar dhe  gjithnjë vazhdojnë me një fushatë të egër ndaj njëri –tjetrit. Si duket, problemin e kemi me vetveten, më shumë se me të tjerët. Këtë më së miri e dëshmojnë zgjedhjet e fundit në Ulqin.

Jemi dëshmitarë të gjallë të asaj çfarë po ndodhë këtyre ditëve në Ulqin. Po të vazhdohet me këto përplasje, është rrezik  se çarjet do të vazhdojnë deri në themel. Plasaritjet, ndarjet dhe përçarjet e Juaja zotërinj liderë, po reflektohen edhe  në popull. Nëse Ju politikanë nuk gjeni mirëkuptim ndërmjet veti, nuk rreshtoheni mbarë, e nuk bashkëpunoni për hirë të popullit tuaj, atëherë i tërë populli do t’ju mallkojë, e mallkimi i tij është i rëndë. “ Ju jeni të përkohshëm, populli është i përjetëshëm”, thotë një fjalë e urtë popullore. Ju zotërinj politikanë që udhëheqni sot politikën, këtu dhe më  gjerë, do të jeni përgjegjës edhe para popullit edhe para historisë, andaj, bashkohuni ndërmjet veti si vëllezër, e atëherë edhe populli do të jetë i  bashkuar dhe do t’ju dojë e respektojë më shumë. Për çeshtjet madhore lihen mënjëanë të gjitha  huqet e inatet. Të ngritet flamuri kombëtar, të ulen ata partiakë. Andaj bashkohuni për të mirën e popullit. Mos e bëni problem, bashkimin e  subjekteve shqiptare. Një problem që nuk gjenë rrugën e kompromisit, shkon në rrugën ne falimentimit. Andaj, të bashkuar jemi edhe më të fortë.